Një fije shprese për portierin

Loris Karius nuk do ta harrojë kurrë atë finale Championsi, përballë Realit të Madridit. Dy gabime të portierit gjerman, i kushtuan shtrenjtë Liverpoolit, që gjithsesi u kthye shumë shpejt për t’u ngjitur në çatinë e botës. 

Karius pretendon se e ka “varrosur” atë ditë në thellësi të kujtesës së tij.

Kjo ka ndodhur vite më pare, nuk ka më asnjë rëndësi, e kam lënë pas. Kjo temë më mërzit,” – siguroi ai tetorin e vitit të kaluar për faqen zyrtare të Bundesligës.

As përvoja e tij te Besiktasi dhe as huazimi në radhët e Union Berlinit nuk e kanë ndihmuar portierin gjerman të forcohet dhe të rifitojë nivelin e tij më të mirë. Në qershor, pas pushimeve, Karius u rikthye te Liverpool për t’iu bashkuar skuadrës me të cilën ka kontratë deri në fund të sezonit, por nuk pritet që të zbresë në fushë me “The Reds”.

Për pak javë hapet merkatoja e dimrit që mund t’i afrojë një mundësi të re 28-vjeçarit. Sipas “Kicker”, Greuther Fürth, skuara e fundit të renditjes në Bundesligë, është në kërkim të një portieri pas dëmtimit të rëndë të Marius Frunk. Loris është në pritje, pret thjesht një sinjal nga klubi gjerman sapo të nisë viti. Një rreze shprese që mund të jetë edhe treni i fundit për të qëndruar në elitë.

WWW.EXPRESS.MK

Share: