A duhet Kosova ta kushtëzojë pjesëmarrjen në “Ballkanin e Hapur” me pranimin e saj politik nga Serbia – flasin analistët

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Aziatike, Karen Donfried gjatë vizitës së saj në Beograd, përshëndeti nismën “Ballkani i Hapur”.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e Presidentit të Serbisë, Ndihmësja e Sekretarit amerikan të Shtetit theksoi se kjo nismë [Ballkani i Hapur] paraqet një mundësi për të promovuar më tej potencialin investues të rajonit.

Kjo deklaratë e sekretares Donfired nuk po shihet si sinjal për Kosovën që të bëhet pjesë e kësaj nisme rajonale, por vetëm si mbështetje nga Amerika për çdo bashkëpunim rajonal që mund të ndodh.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, në një prononcim për Telegrafin theksoi se “Ballkani i Hapur” nuk ka vetëm problemin politik, por edhe të natyrës ekonomike dhe juridike.

“Ka të bëjë me atë se nga këndvështrimi amerikan çdo iniciativë për bashkëpunim rajonal është e mirëpritu, por kjo nuk do të thotë se çdo gjë duhet të bëhet me sy mbyllur. ‘Ballkani i Hapur’ nuk e ka vetëm problemin politik, i cili është jashtëzakonisht i vështirë që të realizohet, por ka edhe probleme të natyrës ekonomike dhe juridike”, tha Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi

Ai shtoi se “Ballkani i Hapur” është promovuar për herë të parë nga George Soros në vitin 2000, kur kishte paraparë disa kushte që të realizohet.

“Një TVSH rajonale, e cila duhet të rimbuërsohet nga BE-ja, pastaj, Unioni Doganor ballkanik. Ka disa kushte të cilat realisht ‘Ballkani i Hapur’ nuk i ka plotësuar dhe është një marrëveshje ende në proces e sipër. Unë e shoh më shumë si problem ekonomik dhe juridik, që nuk është realizuar ende si duhet, sesa që është edhe problem politik në Kosovë”, u shpreh Arifi.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare më tej ka theksuar se është pro asaj që Kosova të bëjë një kërkesë zyrtare që të bëhet pjesë e “Ballkani i Hapur”.

“Unë jam që Kosova të bëjë kërkesë zyrtare te këto tri vendet e ‘Ballkanit të Hapur’ që janë pjesëmarrëse. Të bëjë kërkesë që Kosova të pranohet politikisht nga Serbia dhe në këtë kontekst, që Kosova dëshiron të jetë pjesë e ‘Ballkanit të Hapur’, pra ta bëjë një lojë diplomatike, por duke kërkuar kushte dhe rregulla në aspektin ekonomik, politik dhe juridik se çka përfaqëson ‘Ballkani i Hapur’”, u shpreh Arifi.

Ai shtoi se përmes kësaj Kosova do t’i sfidonte vendet e “Ballkanit të Hapur”, që nëse qenka një projekt kaq i rëndësishëm, siç po pretendojnë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, atëherë le ta gjejnë mënyrën që ta akomodojnë Kosovën në këtë projekt.

Analisti Dukagjin Gorani gjithashtu ka thënë se nuk e sheh si sinjal drejtuar Kosovës, deklaratën e sekretares amerikane, Karen Donfried ku ajo u shpreh se përshëndesin nismën “Ballkani i Hapur”.

Analisti, Dukagjin Gorani

“Nuk mendoj se bëhet fjalë për sinjal drejtuar Kosovës për pjesëmarrje në ‘Ballkanin e Hapur’. Kjo çështje, së paku për qeverinë aktuale, ka marrë fund. Me sa kuptova nga deklarimi i znj. Donfried, ajo vetëm sa e përsëriti përkrahjen e kësaj nisme, e cila disa vjet më herët mbante emrin ‘Mini Schengen’ – propozim ky i administratës së mëhershme e presidentit Trump”, u shpreh Gorani për Telegrafin.

Në takimin e fundit që pati kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, u tha se janë dakorduar që Samiti i ardhshëm i ‘Ballkanit të Hapur’ të mbahet në gjysmën e parë të muajit qershor në Ohër. Ndërsa në fillim të shtatorit, bashkërisht do të organizojnë Panair të madh turistik për verë dhe ushqim në Serbi nga ku prodhuesit nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia do të kenë mundësi t’i prezantojnë prodhimet e tyre.

E për një mundësi të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë Samit, analisti Dukagjin Gorani e ka parë si të pamundshme. Ai shton se edhe nëse Qeveria Kurti do të ndërronte vëmendje sa i përket pjesëmarrjes në ‘Ballkanin e Hapur’, nuk do të mund ta arsyetonte para publikut vendor.

“Edhe nëse do të ndërronte mendje qeveria Kurti rreth pjesëmarrjes në “Ballkanin e Hapur”, nuk e di se si do t’ia arsyetonte këtë publikut vendor – marrë parasysh refuzimet e prera dhe disavjeçare të saj. Andaj, nuk e shoh të mundshme pjesëmarrjen e Kosovës në të, së paku jo me këtë qeveri”, u shpreh Gorani.

E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi ka thënë se “Ballkani i Hapur” do të dëmtonte procesin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë të nënshkruar këtë marrëveshje me Bashkimin Evropian.

“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar marrëveshjen e MSA-së me BE. Prandaj, duhet të ketë kujdes këtu, sepse secili shtet që ka nënshkruar një MSA, pra ka një marrëveshje me BE-në për disa çështje, siç është ajo e çmimeve dhe tregjeve të BE-së, është një periudhë tranzitore, të cilën duhet ta respektojnë dhe ‘Ballkani i Hapur’ mund ta dëmtojë procesin e MSA-së”, tha Arifi.

Foto nga takimi i “Ballkanit të Hapur” të mbajtur më 04 nëntor 2021

Nisma e bashkëpunimit të “Ballkanit të Hapur” përfshinë Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis tre vendeve.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”.

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës. /Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Të ndihmojmë Luljetën, ka shumë nevojë për ne!

Të ndihmojmë Luljetën. Ajo ka më shumë se nevojë për ne sot, se nesër mund të jemi secili prej neve në vendin e saj. Ajo...

Edonis Muja lanson projektin ‘Mamacita’

Edonis Muja lanson projektin ‘Mamacita’ Ai ka ardhur me projektin e tij të ri muzikor. ‘Mamacita’ quhet kënga e re e Edonis Mujës, që...

Grubi: Në Çarshi të Shkupit përjetësohet emri i Ukshin Hotit

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi bashkë me kryetarin Ali Ahmeti, znj. Myrvete Hoti, drejtorin e ITSHKSH-së...

Shaqiri: Nga shtatori fëmijët nuk do të mësojnë më në Kosovë, po ndërtojmë shkollë në Bllacë të Poshtme

Nga shtatori i këtij viti, fëmijët e moshës shkollore nga fshati Bllacë e Poshtme i komunës së Çuçer Sandevës nuk do ta ndjekin më...

Sinishtaj porosi për Kosovën: Gjukanoviqi është kriminel!

Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Jehona e Malësisë”, Vilson Sinishtaj, iu ka drejtuar zyrtarëve të shtetit të Kosovës dhe ka theksuar se Millo Gjukanoviq është...