Gjashtë sulme ndaj Policisë së Kosovës brenda dy jave, me breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë – ende nuk ka të arrestuar

Policia e Kosovës nga 13 prilli deri më 16 prill është sulmuar pesë herë në veri të vendit, ndërsa sulm ndaj Policisë pati edhe të martën e 26 prillit.

Sulmet ndaj Policisë gjatë këtyre dy javëve kanë ndodhur me vendosjen e iriqëve metalikë në rrugë, gjuajte me gurë, madje janë përdorur edhe AK 47 dhe granatë dore.

Katër sulmet e para ndaj Policisë ndodhën nga 13 deri më 15 prill, për të pasuar sulmi i pestë të shtunën e 16 prillit.

Sulmi i fundit, i gjashti me radhë ndodhi të martën (26 prill), ku një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar me armë.

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar të martën për Telegrafin se “Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin”.

Ndërsa, në Prokurorinë Speciale të Kosovës nuk janë përgjigjur në interesimin e Telegrafit për hetimet që po zhvillohen.

Pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës janë shtuar patrullimet e Policisë së Kosovës në drejtim të Bërnjakut.

Deri tani nuk është raportuar për asnjë të arrestuar për sulmet ndaj Policisë, ndërsa institucionet janë kritikuar për mungesë serioziteti.

Kritika për institucionet pati anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni.

Sipas tij, institucionet e hetuesisë, inteligjencës dhe drejtësisë do të duhej të kishin angazhim më të madh dhe më të veçantë për të identifikuar sulmuesit dhe motivin e sulmeve.

“Sidoqoftë, për motive politike apo kriminale, këto sulme kundër zyrtarëve të Policisë së Kosovës e tensionojnë situatën ndëretnike dhe ndërshtetërore. Çdo veprim që me dhunë i rrezikon zyrtarët dhe qytetarët e Kosovës duhet të trajtohet dhe sanksionohet pa kompromis”, deklaroi Quni në një përgjigje me shkrim për Telegrafin.

Sa i përket Qeverisë së Kosovës, Quni tha se do të duhej që më zëshëm këto veprime t’i adresojë te qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes “me qëllim që lidershipi i Beogradit të detyrohet për distancim ndaj këtyre grupeve kriminale që strehohen apo e sigurojnë logjistikën në Serbi”.

Ndërsa, Enver Dugolli, zëvendëskryetar i Komisionit për Siguri nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se çështja e hetimeve është komplekse dhe mund të zgjasë, por se “zmbrapsje nuk do të ketë”.

“Ne do kishim dashur qysh dje të zbuloheshin dhe të arrestoheshin kryerësit e këtyre sulmeve, mirëpo çështjet hetimore po vazhdojnë me një dinamikë të nevojshme dhe shpresojmë që së shpejti do kemi edhe rezultate. Ne e përgëzojmë Policinë e Kosovës për vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre në përmbushjen detyrat dhe përgjegjësive ligjore”, deklaroi ai për Telegrafin.

Mes tjerash, Dugolli theksoi se “kriminelët herët apo vonë do kapen dhe do përgjigjen për këto krime të rënda terroriste”.

“Edhe sulmi i sotshëm sikurse edhe sulmet e mëparshme ndaj Policisë se Kosovës janë të drejtuara kundër rendit dhe qetësisë, kundër paqes dhe stabilitetit, janë kundër Kosovës. Veprimet e Policisë së Kosovës në vënien e rendit dhe qetësisë, duke luftuar krimin dhe kontrabandën do vazhdojnë”, shtoi ai.

E drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti javën gjatë sulmeve të para ndaj Policisë kishte dhënë detaje nga sulmet.

Sulmi i parë ka ndodhur më 13.04.2022 rreth orës 07 e 30 në magjistralen Mitrovicë – Zubin Potok, ku patrulla e Policisë ka hasur në rrugë në iriqë metalikë që përdoren për dëmtimin e gomave të automjeteve. Aty ishin vendosur rreth 46 iriqë mes të rrugës dhe që mundësonin bllokimin e rrugës.

Sulmi i dytë ka ndodhur ka ndodhur të njëjtën ditë, rreth orës 21:45, ku Njësia e policisë kufitare duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit në afërsi të vendkalimit kufitar është sulmuar me gur.

Sulmi i tretë ka ndodhur të enjten mbrëma në fshatin Bube rreth orës 20:40 ku janë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë. Ai tha se dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë, ndërkaq përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

Drejtori i Policisë njoftoi se gjuajta ka ndodhur diku në distancë 200-300 metra afër patrullës që ka qenë e vendosur në fshatin Bube. Ai tha se kjo rrugë ilegale ishte mbyllur para një kohe e që është përdorur për kontrabandë dhe aktivitete kriminale.

Ndërkaq, sulmi i katërt ka ndodhur të premten e 15 prillit rreth orës 07:40, ku janë sulmuar drejtpërdrejtë patrullat e policisë kufitare. Sulmi është kryer me granatë dore dhe AK 47. Të dy veturat e blinduara të policisë janë dëmtuar, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Sulmi i pestë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit më 16 prill, saktësisht në orën 03:10, në Sharpej të Jarinjës kanë ndodhur dy shpërthime (dyshohet nga mjete piroteknike).

Shpërthimet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë.

Ndërkaq, sulmi i gjashtë ndaj Policisë ndodhi të martën, 26 prill ku një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut është sulmuar me armë.

Për reagimet ndaj Policisë ka pasur reagime të shumta nga vendorët dhe ndërkombëtarët.

Për sulmin në veri ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Për tri ditë resht, zyrtarë policorë të Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot herët, një breshëri plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ardhur nga Serbia”, ishte shprehur Kurti.

Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sulmin ndaj Policisë e ka quajtur akt kriminal dhe të patolerueshëm.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se sulmet kanë për qëllim cenimin e rendit dhe ligjit.

Pas sulmeve ndaj policisë në veri, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbështetur organet e sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese.

“LDK ofron gjithë mbështetjen e nevojshme për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe garantimin e sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të shkurtër të lëshuar nga LDK.

E për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sulmet ndaj Policisë duhet të jenë alarm për të gjithë.

Haradinaj në një postim në Twitter shkruan se krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike e etnike dhe se ai i rrezikon të gjithë.

Përveç zyrtarëve vendorë, sulmin ndaj Policisë e ka dënuar edhe Ambasada amerikane, Bashkimi Evropian, OSBE-ja.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, është shprehur thellësisht i shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe gurë të hedhur ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit afër Zubin Potokut.

Ambasadori amerikan përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto sulme ndodhën kur autoritetet sovrane e përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne bëjmë thirrje shmangen spekulimet që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar Hovenier, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut.

Përmes një reagimi në Twitter, nga kjo zyrë ishin shprehur se Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm.

“U bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të kryhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagimin e tyre.

Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, kishte reaguar edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë është shumë i shqetësuar me sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të neveritshme, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të fokusojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhej në postimin e OSBE-së pas sulmeve të para ndaj Policisë

Lidhur me sulmin, ka reaguar edhe vet Sindikata e Policisë së Kosovës, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e Kosovës të kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës në përmirësimin e mirëqenies së pjesëtarëve të saj.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka falënderuar Policinë e Kosovës për guximin e treguar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit. /Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Edonis Muja lanson projektin ‘Mamacita’

Edonis Muja lanson projektin ‘Mamacita’ Ai ka ardhur me projektin e tij të ri muzikor. ‘Mamacita’ quhet kënga e re e Edonis Mujës, që...

Grubi: Në Çarshi të Shkupit përjetësohet emri i Ukshin Hotit

Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi bashkë me kryetarin Ali Ahmeti, znj. Myrvete Hoti, drejtorin e ITSHKSH-së...

Shaqiri: Nga shtatori fëmijët nuk do të mësojnë më në Kosovë, po ndërtojmë shkollë në Bllacë të Poshtme

Nga shtatori i këtij viti, fëmijët e moshës shkollore nga fshati Bllacë e Poshtme i komunës së Çuçer Sandevës nuk do ta ndjekin më...

Sinishtaj porosi për Kosovën: Gjukanoviqi është kriminel!

Kryetari i Shoqatës Atdhetare “Jehona e Malësisë”, Vilson Sinishtaj, iu ka drejtuar zyrtarëve të shtetit të Kosovës dhe ka theksuar se Millo Gjukanoviq është...

Ali Ahmeti: Ukshin Hoti fabrika e të menduarit cilësor shqiptar

Nga sot një nga rrugët më të frekuentuara të Çarshisë së Vjetër të Shkupit do të mbaj emrin e veprimtarit të çështjes kombëtare, Ukshin...