Talat Xhaferi në Kiev dhe mesazhet e ndërgjegjes së fjetur

Porositë e kryparlamentarit tonë që prekin ndërgjegjen e botës dhe njerëzimit që nuk mund të bëjë më tepër për Ukrainën… Ndërgjegjja e fjetur e Kishës Ortodokse Maqedonase kundrejt agresionit, një tjetër situatë absurdi… Është koha Maqedonia të shpallë moratorium të negociatave me BE-në për shkak të shkeljes së marrëveshjes dypalëshe nga ana e Bullgarisë?!

Nga Daut DAUTI

  1. Javën që lamë pas qeveria e Dimitar Kovaçevski i mbushin 100 ditët e veta, dhe kjo duhej të ishte ngjarja e javës. Ngjarja e javës duhej të ishte edhe fillimi i procesit edukativo arsimor pas festës së Pashkëve, sepse kështu kishin rënë dakord ditë më parë kryeministri me kryetarin e sindikatës, ama, pishman haxhillëku e bëri të veten…Por, të gjitha këto ngjarje, papritmas i hodhi nën hije vizita në Kiev e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili i veshur me këmishë antiplumb, hipur në tren në shtetin ku bëhet luftë, për çka duhej më tepër se guxim, u takua hiq më pak se me Volodimir Zelenskin, personin nr.1 botëror, i cili më shumë se dy muaj po udhëheq rezistencën e pashoqe ndaj agresionit rus…

Nuk ishte vetëm vizita dhe akti heroik i Talat Xhaferit, vizita e Irpinit dhe Buçës, ku qe kryer një nga masakrat e forcave ruse, as fakti që ishte burrështetasi i parë nga rajoni që sfidoi rrezikun, por dhe porosia që e dha atje të mërkurën. Sepse, në takimin ballë për ballë me Zelenskin, ai ka prekur në ndërgjegjen botës:”Nuk mund t’ju shikoj në sy, jam i pagojë dhe gjithë zemërim. I zemëruar që bota nuk ka zë mjaftueshëm të fortë t’i thotë “ndal” këtij invazioni të pamend. I zemëruar jam që njerëzimi lejoi të jemi dëshmitarë memecë të një lufte që mendonim se është pjesë e historisë. Jam i shqetësuar nga numri i varrezave lehet e të cilave nuk mund t’i shikojë syri i njeriut, ndërsa pashë vetëm pjesë të Buçës dhe Irpinit… Ndonëse e kam vështirë t’ju shikoj në sy, do t’ju dëshiroj të jini të fortë dhe të qëndrueshëm deri në lirinë e Ukrainës dhe popullit ukrainas”.

Kështu Talat Xhaferi, mori mbi vete atë pjesë të fajit që bota nuk i qëndroi prapa deri në fund Ukrainës, edhe pse e kishte joshur dhe nxitur për ta afruar. Ukraina që sot po lufton me forcat e veta, pa involvim të drejtpërdrejtë të NATO-s, në variantin më optimist mund të humbë dy republikat separatiste dhe Krimenë, të sigurojë një status neutraliteti(atë që e nxiti perëndimi për hyrje në NATO kaherë e ka harruar edhe Zelenski), madje të humbë kontrollin e detit të saj, gjëra këto që ka mundur në variante shumë më të favorshme t’i bënte disa vite para luftës…Heroizmi i sotëm vështirë se do ta kompensojë mungesën e vizionit të botës dhe të vetë udhëheqësve ukrainas që hynë në një valle pa krye, prandaj dhe fjalët e Talat Xhafeit kanë prekur në ndërgjegjen e gjithë atyre që nuk e parashikuan me kohë një tragjedi të madhe si kjo e shkatërrimit të një shteti.

Talat Xhaferi në mënyrë lucide gjeti analogjitë me situata që ka kaluar Ballkani: ”Ne në Ballkanin Perëndimor i kemi të freskëta kujtimet nga imazhet e këtilla që i shihnim jo më gjatë se dy dekada më para, e kemi të freskët Reçakun në Kosovë, e freskët është Srebrenica në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjithsesi mendoj se ne ju kuptojnë dhe e dimë më së miri çfarë do të thonë këto imazhe që i shohim këtu. Gjithsesi, personalisht do të zotohem që këto imazhe të emërtohen me emrin që u takon, dhe ky është gjenocid dhe asgjë tjetër”.

  1. Nuk është ngjarje, si mund të jetë?! Është një situatë groteske, nëse mund ta quaj ashtu…Media me dy muaj vonesë “zbuluan” që Kisha Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkopia e Ohrit, nuk e paska dënuar agresionin rus në Ukrainë! Si na kishte ikur pa e vërejtur kjo? Njëri prej atyre që u gjet i thirrur për ta komentuar këtë fakt është një ish koleg nga Fakultetit i Gazetarisë, Branko Gjorgjevski, i cili vite me radhë është marrë me temat fetare dhe profesori Denko Malevski. Do të citoj kolegun e fakultetin, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte prekur pikërisht shkaqet e mundshme të kësaj heshtjeje, njëri më absurd se tjetri!

I vetmi qëndrim i Kishës për situatën në Ukrainë ishte porosia “kundër luftës vëllavrasëse” që e dha për Pashkët kryepeshkopi Stefan, një qëndrim neutral drejtuar dy palëve, por, si thotë Gjorgjevski, “pa e theksuar kush është agresor, kush është viktimë, kush i bën krimet, kush vret, kush i rrënon jo vetëm vendbanimet, por dhe objektet fetare”.Sipas tij, janë dy arsye për këtë lloj qëndrimi: njëri, që të mos prishen marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Ruse, për shkak të ndikimit që ka në ortodoksi, dhe e dyta, që duket poashtu e tmerrshme, ekzistimi i një rryme proruse në Sinodin e KOM-AO-së!

Kalkulimi i Kishës Maqedonase nuk i sjell ndonjëfarë dobie në atë që është interes, njohja e autoqefalisë, mendon gazetari. Sepse, që prej moti dihet qëndrimi i Kishës Ortodokse Ruse në kontestin e Kishës Maqedonase me atë Serbe: duan zgjidhje të kontestit, por janë në anën e Kishës Ortodokse Serbe, e cila e pengon autoqefalinë! ”Këtë e dinë peshkopët tanë prej kaherësh, prandaj dhe ai kalkulim për mos prishje të marrëdhënieve me Moskën kishtare, nuk do të na sjellë dobi”, deklaroi Gjorgjevski. Problemi i dytë, si duket është edhe më serioz, sepse në Sinodin e Kishës Maqedonase ka një rrymë të fortë peshkopësh të rinj për nga mosha, të cilët janë filorusë dhe të cilët nëpër objektet kishtare vënë kryqa rusë dhe se në kuadër të këtij raporti të forcave, Sinodi edhe po ta vë në rend dite, nuk do të arrinte të nxirrte ndonjë akuzë ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Në qëndrimin, ose më mirë heshtjen, ndaj agresionit rus, me të drejtë Gjorgjevski përmend aspektin e interesit, sepse po të kishte diçka të tillë, Kisha edhe mund të marrë ndonjë qëndrim në interes të vetin, por duket se këtu logjika ka ikur nga koka e peshkopëve, pasi qëndrimet proserbe të Kishës Ruse, janë pikërisht në dëm të mëvetësimit të Kishës Maqedonase! Në anën tjetër, pikërisht fati i Kishës Maqedonas, ose rruga e autoqefalisë së saj, i ngjan fatit të Kishës Ukrainase, që ka kaluar rrugës së njëjtë të pavarësimit dhe këtu një solidaritet i ndërsjellë është shumë më i logjikshëm se një pozicionim neutraliteti. Edhe qëndrimi prorus i peshkopëve,është diçka që është i palogjikshëm, edhe pse rrënjët mund t’i ketë te një ndjenjë apo vetëdije pansllavizmit që rrënjët i ka në Rusi, por çfarë hajri ka prej kësaj, kur pozicionimi duhet të bëhet duke u nisur nga vetvetja, duke e ditur se historikisht, jo tash, por gjithnjë, Rusia ka pasur Serbinë dhe kishën Serbe, si faktorë që i ka përkrahur, e këto të shpeshtën kanë qenë kundër interesave të ortodoksëve maqedonas, deri sot. Të mos flasim se në nivel të parimit ose më saktë humanizmit, një subjekt që i përkulet Zotit, duhet para së gjithash të jetë në anën e së drejtës dhe të viktimës.

Një aspekt tjetër, jo më pak i rëndësishëm është se botën ortodokse, kishat mbajnë atribut nacional, që do të thotë se ato përcjellin ose marrin pjesë edhe në krijimin e qëndrimeve politike të shtetit. Dihet se Maqedonia u rreshtua me botën perëndimore kundrejt agresionit rus, dhe ky dualizëm midis politikës shtetërore dhe asaj kishtare, është në dëm të interesave të vendit.

  1. Nuk e dimë çka të bëjmë me fqinjët. Keq pa ta, edhe më keq kur i ke e ta hapin gropën. Presidenti i Serbisë, siç thanë disa analistë, ia hodhi edhe një herë Bullgarisë. Sepse, duke ngritur “rampën” për disa prodhime elementare bujqësore(vaj, drithë…), në këto kohë të mungesave në tregje,tha se vetëm duhet të dihet se kush është fqinji i mirë. Ndërkaq, Bullgaria, edhe pse me Maqedoninë ka nënshkruar një farë marrëveshje për fqinjësi të mirë, po e dëshmon të kundërtën. Nëse e shtrijmë në rrafshin historik, Bullgaria e ka humbur Maqedoninë që në luftërat ballkanike dhe i është bërë kompleks i patejkalueshëm ndikimi serb në Maqedoni(në kohën e ish-Jugosllavive), dhe vazhdimisht po e thekson këtë, por vetë Bullgaria, me pretendimet e veta të paprincipta, duke e mohuar direkt ose indirekt qenësinë maqedonase, gjithnjë e më shumë po e largon Maqedoninë nga vetvetja dhe po i ndihmon Serbisë ta ruajë afërsinë shumëdekadëshe. Dhe për këtë, Bullgaria nuk ka më të drejtë ta fajësojë Beogradin, por vetveten. Shansin e vetëm të tregohet më konstruktive, për t’i ndihmuar fqinjit në rrugën për BE, po e përdor për t’u larguar sa më shumë…

Dhe kur jemi këtu, duke parë se prej Sofjes vijnë gjithnjë kushtëzime të reja, është koha për t’ia lënë “jadecin” Sofjes dhe Brukselit. Ndaj kreut shtetëror, e këtu edhe ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, të cilin shpesh e keqkuptojnë me besimin e tij se mund të ketë një marrëveshje me Bullgarinë, u kisha sugjeruar të provojnë të vetmin opsion deri tash të pasprovuar: të shpallin moratorium të negociatave! Me këtë t’ia hedhin fajin Sofjes dhe Brukselit. Sidomos Brukselit, që në mënyrë joparimore qëndron pas kërkesave absurde të Sofjes dhe nuk i bën kurrfarë presioni. Le t’ia mendojnë ata nëse është e udhës që në këto kohë të turbullta të lojërave gjeostrategjike, duhet ta tolerojnë një anëtare të vet të luajë me fqinjin e saj si macja me miun. Kjo lëvizje taktike duhet bërë edhe për shkak se gjithë këtë proces forcat opozitare po ia adresojnë qeverisë si dështim. S’besoj se dikush dëshiron të mbahet mend për diçka që i cenon interesat e shtetit. Marrëveshja me Greqinë, ishte një akt i cili normalizoi raportet me fqinjin jugor, ndërkaq nuk i preku aspektet identitare, përveç atyre false e joshkencore (antikuzimi), ndërkaq kjo me Bullgarinë, që u nis krejtësisht me qëllim tjetër, u shndërrua në një farsë falë forcave palës bullgare.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Një fëmijë 6 vjeç mbytet në lumin Shkumbin në Tetovë

Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se sot në ora 14:00 përmes E-112 është pranuar informacion për një fëmijë 6-vjeçar në lagjen Krasniqi në...

Mullinjë me erë në Tearcë, Neziri nënshkruan memorandum bashkëpunimi me komunën Foiano di Val Fartore

Kreu i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri dje ka pritur në takim delegacionin italian nga komuna e Foiano di Val Fartore, e me këtë...

Fuqia e armëve nordike: Pajisjet ushtarake që Suedia dhe Finlanda do t’ia sillnin NATO-s, pas anëtarësimit në aleancë

Përzgjedhja e pajisjeve ushtarake vendase e armëve dhe automjeteve të prodhuara në vend, të cilat do të forconin arsenalin e NATO-s nëse Finlanda dhe...

Sefer Seferi më 18 Qershor shkund ringun në Zvicër

Bokseri i njohur shqiptar Sefer Seferi pas një pauze të gjatë po rikthehet në arenën sportive dhe këtë e ka bërë të ditur vet...

Maqedonia e Veriut lider në rajon me masat dhe menaxhimin e krizës

Maqedonia e Veriut është lider në rajon me masat dhe menaxhimin me krizën. Këtë informacion e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë Kreshnik...