Mos paç punë, mbaje gajlen e huaj! Kjo fjalë e urtë shpesh na kujtohet nga muhabetet koti, siç thonë nga Shqipëria. E në skenën politike, ke edhe muhabete edhe argumente koti. Kështu, mbrëmë deputeti i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov në “Click Plus” në TV21, kishte shprehur një brengë të tij lidhur me propozimin i Aleancës për Shqiptarët për model zgjedhor me 8 njësi, sepse sipas tij, kjo do të forconte pozicionet e Bashkimit Demokratik për Integrim!
Bashkimi Demokratik për Integrim, Bashkimi Demokratik…! Aman më, mendoni se çka është interesi i përgjithshëm, mos u merrni me BDI-në!
Nevojën për ndryshime në kodin zgjedhor e kanë imponuar partitë e vogla, para së gjithash, Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit, duke u nisur nga motivi që përmes këtij modeli, të vinë në shprehje përfaqësimi i tyre direkt, e jo nëpërmjet koalicioneve si parti satelitore partive të mëdha. Ky motiv mban, por një simulim që kishte bërë para do kohe TV Siteli, bazuar në votat që kanë marrë këto parti të vogla në zgjedhjet e fundit, doli se vetëm njëra mund të përfitonte, edhe ajo është E Majta e Apasievit. Në emisionin Klik-plus, deputeti i Elmi Aziri me të drejtë i tha Trajanovit se nuk duhet të shikohen gjërat nga motivet partiake, por që zgjedhjet të jenë demokratike, të realizueshme teknikisht, duhet të ketë barazi tek votuesit, ku do të shihet fuqia e deputetit, fuqia e komunës.
Është për t’u habitur që edhe një lider që duket racional në qëndrimet politike, siç është Trajanovi, bëhet “pre” e “rrezikut të BDI-së”, edhe pse në mjediset ku janë shqiptarët në shumicë, zor se vjen në shprehje ndonjë parti e vogël maqedonase dhe LD-së së tij, as i hyn as i del prej xhepi! Në anën tjetër, ç’i janë vënë aq shumë BDI-së këta të LD-së, kur ajo është në koalicion me të? Edhe sikur të ishte ashtu, logjika thotë se ai më së pari duhet të shikojë interesin e partnerit të koalicionit, e jo të bëjë përpjekje t’i vetëdijësojë kundërshtarët politikë të BDI-së
Ka dhe një të vërtetë tjetër, është dëshmuar se ato parti që janë marrë me BDI-në, vetëm kanë pësuar rënie!