Dauti me këshillë për Shaqirin: Largojeni anglishten nga klasë e para, krijon konfuzion me gjuhën amtare!

-Për të mirën e zhvillimit normal intelektual të fëmijëve, duhet t’i lehet primati gjuhës amtare. Pedagogët dhe mësuesit nuk duhet të brengosen aspak se nuk mësohet anglishtja, e cila, kuptohet, është më se e nevojshme për aftësimin e përgjithshëm, sepse ajo mësohet pa kurrfarë shtyse, pa kurrfarë “kurikulumi”, nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale.

Shumë prindër janë gjetur në siklet me “pengesat në komunikim” me fëmijët e tyre. Paramendoni këtë dialog: “Babi, më blej në pazar “kaliflaur” dhe “zukini”! Dhe ai t’i jetë drejtuar gruas: “Më përkthe!”. “Lulelakër(karfiol) dhe kungulleshka”!, “përkthen” gruaja e udhëzuar në gjuhën e fëmijës që pretendon të bëhet vegetarian(e). Ose: “babi, jam në provim sot, mos më “xhinks”!“. Çka është kjo “xhinks”, pyet prindi. Bija ndalet e mendon si t’ia shpjegojë dhe ia shpjegon me shumë fjalë e me shumë gjestikulime duarsh, pa e gjetur fjalën shqip: ”…domethënë, kur ti don të bësh diçka, i thua dikujt, aman, mos thuaj diçka se po ma prishë!”

Kjo i vjen mos me t’baksuzu?, ia kthen prindi, por vajza e tij thotë: “Po, po, ama ka një fjalë tjetër…shqip, si ishte ajo?

“Mos me t’marrë mësysh?”…

“E, e tamam…!”

Dialog i vështirë apo jo? E po i vështirë, kështu janë gjeneratat e reja, të cilat para se të mësojnë alfabetin shqip, mësojnë anglishten me smartfonët e tyre(pse jo “telefonat e mençur”?).

Ky dialog midis një prindi dhe një fëmije të tij, mund të jetë tipik për kohën. M’u kujtua kjo pasi para një jave prof. Edmond Tupja dha një propozim interesant për mësimin e gjuhëve. Në të vërtetë, me këtë temë ka lidhje edhe shkasi pse ai ishte i ftuar në TV Klan te Arian Çani, e ky ishte botimi i një libri me qëllim të shqipërimit të shumë termeve të internetit.

Se sa ka ndikim interneti në bastardhimin e çdo gjuhe, është e tepërt të flitet, sepse, si një proces normal në kushte jo normale, qenka fakti se për çdo vit po zhdukeshkan disa gjuhë!

Libri qenka titulluar “Terminologji informatike: problematika dhe zgjidhje”, dhe është rezultat i punës disavjeçare të autorit Erion Çano, që jeton në Austri, dhe Edmond Tupes, ku të dytë janë përpjekur që 500 fjalëve dhe terminëve nga fusha e informatikës, t’u gjejnë fjalë adekuate shqipe. Librin duhet parë, por ajo që mund të thuhet është se këta dy autorë, ithtarë të pastërtisë së gjuhës, kanë bërë një punë të mirë, që duhet të përkrahet dhe të zbatohet në praktikë. Pse të mos veprojmë si kroatët, të cilët janë ithtarë të purizmit gjuhësor dhe shumë para nesh kanë gjetur shprehje për informatikë, por jo vetëm për këtë fushë, dhe ata nuk kanë “opozitë” por “oprba”, nuk kanë “hard disk” apo “maus”, por “tvrdi disk” ose “miš” etj. Edhe pse shumë fjalë të huaja në gjuhë të ndryshme, dhe këto internacionalizmat nga anglishtja, latinishtja, greqishtja, frëngjishtja…, janë vështirë për t’u zëvendësuar, prapë se prapë nuk duhet të mungojnë përpjekjet që aty ku ka fjalë tjetër shqipe, të insistohet në përdorimin e saj. Kur kemi fjalën “kuvend”, pse ta përdorim fjalën “parlament”, pse “event” ose “eveniment” kur e ke fjalën “ngjarje”, pse të “surprizohemi” kur bukur e shqip mund të “befasohemi”…Por, nuk është kjo çështja kryesore ku dua të dal, sepse kjo është pasojë e një situate që duhet të zgjidhet në nivel tjetër. Desha t’i kthehem propozimit të prof. Edmond Tupjes në atë emision, i cili me të drejtë thotë se anglishtja nuk guxon të mësohet krahas shqipes nga klasa e parë, por tek pas moshës dhjetëvjeçare.

Profesori Tupja, që është një autor interesant dhe tepër specifik i letrave shqipe, i cili i lufton edhe tenedencat zhbërëse të gjuhës,kësaj radhe, duke u thirrur te një autor në zë të pedagogjisë, tha se kur truri ngarkohet me më shumë gjuhë njëkohësisht, krijohet konfuzion dhe kjo reflektohet në përvetësimin e tyre. Si pasojë e kësaj, gjuhët “luftojnë” me njëra tjetrën në trurin e fëmijës, dhe pastaj shkakton ngecje. Dhe sugjerimi që gjuha anglishte të mësohet sa më vonë, është një çështje që duhet ta shikojnë të gjitha vendet. E para, sepse në zhvillimin intelektual të fëmijëve, duhet t’i lehet primati gjuhës amtare. Kurse e dyta, ministritë tona të arsimit, pedagogët dhe mësuesit nuk duhet të brengosen për anglishten, e cila, kuptohet, është më se e nevojshme për aftësimin e përgjithshëm, sepse ajo mësohet pa kurrfarë shtyse, pa kurrfarë “kurikulumi”, nëpërmjet internetit dhe rrjeteve sociale. E treta, si një e mirë tjetër, është se nxënësit që sapo kanë nisur shkollën, do të shkarkonin çantën për një libër a dy dhe një a dy fletore më pak! Më pak do ta rrezikonin shtyllën kurrizore nga deformitetet e moshës!

Prandaj, i nderuar Jeton Shaqiri, ministër i arsimit, thërriti sa më parë ekspertët pedagogjikë, psikologë etj. dhe shqyrtoni sugjerimet që anglishten ta zhvendosni në klasat e larta të fillores. Kjo ngarkesë kaherë është vërejtur por ka mbisunduar qëndrimi se anglishtja u ndihmon në jetë. Ndërkaq anglishten as që ka nevojë ta mësojnë, kur e mësojnë në mënyrë spontane, jo në orët e mërzitshme në shkollë, por në smartfonët dhe kompjuterët e shtëpisë pa kurrfarë mësuesi.

(Nga kolumna e Daut Dautit në gazetën “Koha”)

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Një fëmijë 6 vjeç mbytet në lumin Shkumbin në Tetovë

Qendra për Menaxhimin e Krizave njofton se sot në ora 14:00 përmes E-112 është pranuar informacion për një fëmijë 6-vjeçar në lagjen Krasniqi në...

Mullinjë me erë në Tearcë, Neziri nënshkruan memorandum bashkëpunimi me komunën Foiano di Val Fartore

Kreu i komunës së Tearcës, Nuhi Neziri dje ka pritur në takim delegacionin italian nga komuna e Foiano di Val Fartore, e me këtë...

Fuqia e armëve nordike: Pajisjet ushtarake që Suedia dhe Finlanda do t’ia sillnin NATO-s, pas anëtarësimit në aleancë

Përzgjedhja e pajisjeve ushtarake vendase e armëve dhe automjeteve të prodhuara në vend, të cilat do të forconin arsenalin e NATO-s nëse Finlanda dhe...

Sefer Seferi më 18 Qershor shkund ringun në Zvicër

Bokseri i njohur shqiptar Sefer Seferi pas një pauze të gjatë po rikthehet në arenën sportive dhe këtë e ka bërë të ditur vet...

Maqedonia e Veriut lider në rajon me masat dhe menaxhimin e krizës

Maqedonia e Veriut është lider në rajon me masat dhe menaxhimin me krizën. Këtë informacion e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë Kreshnik...