Edhe një mandat në krye të Alternativës, Gashi: Ne u futëm në politikë nga detyrimi ynë intelektual e moral

Afrim Gashi dje ka marrë besimin e 600 delegatëve për një mandat të ri 4 vjeçar në krye të partise, Alternativa. Ai ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve në sallë duke theksuar se është futur në politikë nga detyrimi intelektual e moral. Në vazhdim ju sjellim fjalimin e plotë të kreut të Alternatovës, z. Afrim Gashi.

Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur kongresistë, aktivistë, delegatë dhe ju mysafirë,

Mirë se keni ardhur në Kongresin e parë të Alternativës dhe ju faleminderit nga zemra për nderin që na e keni bërë! Kur e shoh këtë sallë plot, kur i shoh gjithë këta mysafirë që sot na kanë nderuar, edhe një herë bindem se vendimi që e kemi marrë para 8 vjetëve që të organizohemi politikisht, ka qenë vendimi më i mirë që e kemi marrë ndonjëherë.

Të dashur të pranishëm, meqë protokolli më ka lënë që ta kem fjalën e fundit në këtë pjesë të fillimit, me mirëkuptimin tuaj dua t’i them ca gjëra që mbase me shumëkënd prej jush i kemi diskutuar pjesë-pjesë e ndaras, por që nuk kemi pasur mundësi t’i shtrojmë në këtë format të takimit.

Ashtu siç e tha ministri ynë, Bekimi, ne u gjendëm në politikë jo nga rastësia, madje as nga dëshira. Ne u futëm në politikë nga detyrimi ynë intelektual e moral. Nëse e rrokët një detaj nga historiku ynë, i paraqitur në video-materialin e përgatitur, ne hymë në politikë para se ta bëjmë partinë politike. Kur Shkupi ynë po vërshohej nga përmendoret, në dhjetor të 2013-tës, ne dolëm ta pyesim publikisht pushtetin se kush e kishte vendosur në shesh përmendoren e Car Dushanit dhe me çfarë fondesh ishte bërë ajo? Dhe, ashtu si storjet e ngjarjeve të mëdha, ne nuk e kishim ditur se, duke bërë një reagim të tillë publik, praktikisht po futeshim në portën e politikës, që në esencë nënkupton angazhim për menaxhimin e jetës së polisit, pra të qytetit. Dhe, pastaj, erdhi themelimi i lëvizjes sonë politike, vijuan dy protesta të mëdha, njëra më 13 qershor 2015, kur protestuam shqip, dhe tjetra në Ditën e Europës, më 9 maj 2016, kur kërkuam drejtësi, dinjitet dhe demokraci. Të vështruara në një retrospektivë historike, bashkë me fushatën e zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit 2016, ato janë hallka të ndërtimit të historisë sonë politike, por në kuptim të vlerave dhe idesë, ato janë shtylla mbi të cilat do të ndërtohej kauza jonë politike, janë gurthemele mbi të cilat do të ngrihej ideja jonë politike dhe janë fortesa mbi të cilat do të mbahej vizioni dhe misioni ynë politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Dhe, për fat të keq, ashtu siç ndodhë rëndom kur në skenë futet një aktor i ri, së pari vjen paragjykimi, së dyti vjen injorimi, së treti vjen luftimi dhe shumë vonë vjen mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. I tillë ishte edhe fati ynë.

Të dashur të pranishëm, zonja e zotërinj, duke u organizuar në parti politike, ne shpesh gjendemi para sfidave dhe vendimeve të rënda që duhet t’i marrim e për të cilat e dimë se kanë çmim të lartë, por edhe dobi ose dëme të mëdha. Siç tashmë e dini të gjithë, ne iu bashkuam kësaj qeverie jo se e deshëm pushtetin, por për shkak se e deshëm shtetin. E në një moment kur shteti ishte në ngërç dhe kur rrezikohej stabiliteti i tij, pamundësia e krijimit të një shumice të re, pamundësia e shpalljes së zgjedhjeve të reja dhe rreziku që i kanosej perspektivës europiane me atë gjendje jostabiliteti, ishin shtytja jonë për ta marrë këtë vendim. Natyrisht, për këtë e kishim parasysh edhe pritjen e miqve tanë ndërkombëtarë, si dhe të vëllezërve tanë shqiptarë të rajonit. E dimë mirëfilli se ky vendim ka pasur një kosto politike, por ne me plot vetëdije vendosëm që më mirë të shpëtonte Roma se Cezari, më mirë këtë çmim ta paguante Alternativa sesa qytetarët e vendit tonë.

Sidoqoftë, ajo që dua ta kujtoj është se, përkundër kësaj, AlternAtivA mbetet partia e parë shqiptare që iu bashkua një qeverie me një marrëveshje politike të nënshkruar dhe të publikuar. Deshëm kështu të dëshmojmë se kur flasim për transparencë dhe përgjegjësi, këtë e fillojmë nga vetja jonë. E kur flasim pastaj për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje, përkundër disa pikave që tashmë janë realizuar e disa janë në realizim i sipër, dua t’ju them se e kemi mirëkuptimin dhe gatishmërinë e plotë të kabinetit qeveritar që ajo të realizohet në përpikëri dhe plotni. Por, duke e bartur përgjegjësinë që realizimi i tyre të mos jetë vetëm sa për t’i hequr nga lista, por edhe që ato të jenë përmbushje cilësore dhe me efekte pozitive, ne gjithnjë kemi kërkuar një moment të volitshëm për t’i vendosur në rend dite. Megjithatë, dua ta rehatoj opinionin se kurdo që të mbahen zgjedhjet, ne do të dalim para opinioni dhe do të japim llogari për sasinë dhe cilësinë e realizimit të asaj marrëveshjeje.

Të nderuar të pranishëm, shprehur me fjalët e Sami Frashërit, Alternativa kjo ka qenë dhe kjo është. Ndërsa sot, kur po e shpalosim kongresin e ri bashkë me programin e ri partiak, kur po flasim në temën “Alternativa ç’do të jetë”, më duhet t’i theksoj disa pika që mendoj se janë me rëndësi për t’i veçuar.

E para, jo vetëm për nga radhitja, por si prioritet mbi prioritetet, është integrimi. Ndonëse, siç e kemi thënë në sloganin e këtij kongresi, gjithmonë dhe gjithçka ka alternativë, në kontekstin aktual gjeopolitik vetëm integrimi në BE nuk ka alternativë. Prandaj, edhe kur ne ishim të sfiduar se a do të vazhdojë integrimi në BE ose do të futeshim në një krizë politike, ne nuk kishim asnjë hezitim se cilën rrugë duhej ndjekur. Hapja e negociatave për anëtarësim në BE është shndërruar në ideal të të gjitha partive që e ruajnë kursin euro-atlantik, ndërsa partitë shqiptar e kanë këtë aktin më të lartë patriotik. Kjo është edhe arsyeja që ne kemi kërkuar dhe kemi këshilluar që bisedimet me Republikën e Bullgarisë të zhvendosen nga tema e interpretimit të historisë në interpretimin e ardhmërisë, zhvillimit dhe bashkëpunimit, në mënyrë që historia nesër të na regjistrojë si fqinjë europianë që kanë ditur ta ndihmojnë njëri-tjetrin për të mirën e qytetarëve të tyre.

E një çështje tjetër që gjithmonë na ka preokupuar dhe me të cilën po merremi edhe aktualisht, ndërsa – siç po shkojnë punët – do të kemi nevojë të merremi edhe një kohë, është drejtësia. Pa drejtësi, pa shtet të së drejtës, nuk ka as kohezion e mirëbesim të brendshëm, as shtet funksional, as prirje europiane. Prandaj, meqë sot kemi përfaqësues gati të të gjitha partive në vendin tonë, unë dua edhe një herë t’ju them se drejtësia është një temë e cila na prekë të gjithëve dhe në të cilën bashkohemi të gjithë. Ta ndërtojmë një drejtësinë profesionale, të paanshme, të depolitizuar, të departizuar dhe europiane, sepse për këtë do të na falënderojnë edhe brezat që vijnë, ndërsa një shtet i tillë do të prodhojë mirëqenie afatgjatë për të gjithë qytetarët e tij.
Shumë të dashur të pranishëm, e di se edhe integrimi, edhe shteti i së drejtës janë çështje që duhet t’i bëjmë sot dhe tani, por nuk duhet të harrojmë se pa zhvillim ekonomik nuk ia vlen asgjë. Shifrat alarmante të qytetarëve tanë jorezidentë dhe fotografitë e autobusëve që çdo ditë i dërgojnë të rinjtë tanë në Perëndim, shpesh edhe me intelektualë të rinj, janë sinjale dëshpëruese për ne, se ne nuk kemi arritur te gjejmë zgjidhje që ata njerëz të mund të realizohen në vatrat e tyre familjare. Kjo është arsyeja që Alternativa do të insistojë dhe nuk do të heqë dorë kurrë nga kërkesa që të gjenden modalitete që rrogat në Maqedoninë e Veriut të jenë në proporcion me nevojat që i kanë qytetarët, duke pasur rritje të vazhdueshme, ndërsa ne – partitë politike – ta shpallim idealin më të lartë krijimin e vendeve të reja të punës, qoftë në sektorin publik ose në atë privat. Vetëm nëse arrijmë t’i mbajmë njerëzit këtu ka kuptim edhe flamuri, edhe emri, edhe gjuha edhe historia. Në të kundërtën, krejt ato shndërrohen në relikte.

E bashkë me drejtësinë shkon edhe tema e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Jemi përcaktuar që ta bëjmë këtë betejë dhe këtë por e dëshmojmë edhe me punën tonë. Veç tjerash, duke e drejtuar Ministrinë e Shoqërisë Informatike e duke bashkëpunuar me miq ndërkombëtarë, jemi duke prodhuar mundësi digjitalizimi që do ta ulin ndjeshëm korrupsionin dhe ky do të jetë një lajm i mirë për të gjithë.

Një temë për të cilën kemi qenë të paragjykuar që në fillim dhe që gati asnjëherë nuk është kuptuar drejt në opinion ka qenë ridefinimi. Ne e kishim thënë qysh më 2014, ndërsa e kemi përsëritur në vazhdimësi, se shteti ynë është bërë në kushte të krizave, qoftë më 1991, qoftë më 2001, andaj edhe asimetria që ekziston mes shoqërisë dhe shtetit është potencial që mund të gjenerojë kriza edhe në të ardhmen. Prandaj kemi kërkuar që në kushte të paqes, pa erë baruti, të ulemi e të diskutojmë si qytetarë dhe politikanë që e duan këtë vend dhe duan ta shohin të zhvilluar dhe me perspektivë europiane, se çfarë duhet të bëjmë që ky shtet të jetë komplementar me shoqërinë. Nëse shqiptarët janë një komunitet i ndërmjetmë, mes shumicës dhe minoriteteve të tjera, shtrohet pyetja si duhet definuar të drejtat e tyre etnike, a janë ata bashkësi etnike apo janë komb, si duhet definuar shteti kundrejt tyre dhe si duhet të ndodhë ky inkluzion shoqëror, që ashtu të sheshohen të gjitha dallimet dhe shteti të jetë koheziv dhe inkluziv. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim edhe më tej në këtë, duke qenë të bindur se kjo është në të mirë të së ardhmes së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Diçka tjetër që një kohë të gjatë më ka intriguar dhe më ka sfiduar është tema e përfaqësimit të qytetarëve përmes pjesëmarrjes së tyre në shprehjen e vullnetit demokratik përmes votës. Ne të gjithë tashmë e dimë se ky kod zgjedhor nuk i përfaqëson në mënyrën më të mirë qytetarët tanë dhe se ai duhet ndryshuar. Prandaj ne, në programin tonë, kërkojmë që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në një zonë zgjedhore, me prag zgjedhor prej 2% dhe me mundësi që në zgjedhje, përmes votimit elektronik, edhe qytetarët tanë jorezidentë ta shprehin vullnetin e tyre politik. E kur kësaj t’ia shtojmë edhe listat e hapura, jam i bindur se Maqedonia e Veriut do të jetë shembull i jetës demokratike jo vetëm në Ballkan.

Megjithatë, Alternativa nuk do të ishte kjo që është nëse si parti e qendrës së djathtë, që beson në vlera konservatore, nuk do të angazhohej zëshëm edhe për tema tipike konservatore, siç është edhe familja. Ne besojmë se familja është një bashkësi mes një burri dhe një gruaje, që realizohet publikisht, dhe si e tillë regjistrohet.. Kjo nënkupton se secila trajtë tjetër që nuk ndërtohet mbi këto parime mund të jetë një bashkësi tjetër sociale, por nuk është familje. Në një botë ku liberalizmi gati se nuk është shpallë dogmë e shenjtë, të pretendosh për vlera konservatore shpesh merret si hendikep, por për ne nuk ka kuptim angazhimi publik dhe politik nëse nuk i shprehim zëshëm edhe bindjet tona rreth temave që sot e preokupojnë mbarë botën e qytetëruar.
Pavarësisht kësaj që e thashë më sipër, për të cilën do të mbetemi të përkushtuar jo vetëm në katër vitet e ardhshme, por gjithmonë, dua t’ju them se Alternativa sot po hap edhe një faqe tjetër të re të veprimit të saj politik. Ky kapitull i ri, me pak fjalë, konsiston në përcaktimin se për ne nuk ka parti armiqësore dhe parti miqësore. Ne nuk i shohim partitë e tjera përmes tytës, por përmes dorës së shtrirë për dialog, komunikim dhe bashkëpunim. Madje, edhe kur nuk pajtohemi katërçipërisht, ne nuk do të ngurrojmë të komunikojmë. Unë e di se ka vite që partitë shqiptare e kanë shpallur sukses luftën e brendshme politike, por kjo luftë shumë shpesh i ka tejkaluar atributet politike, duke u shndërruar në betejë për jetë a vdekje mes “të ligëve” e “tradhtarëve”, në një anë, dhe “patriotëve” e “atdhetarëve”, në anën tjetër. Prandaj, prej sot për ne nuk ka as tradhtarë e as atdhetarë. Secila parti e ka programin e saj, votuesin e saj, lidershipin e saj dhe, mbase, kauzën e saj. Ne do të bashkëpunojmë ose do të refuzojmë të bashkëpunojmë duke u bazuar vetëm në vlerat në të cilat ne besojmë e të cilat i përshkrova më sipër. Ne nuk jemi palë e përplasjes, as e ofendimit, as e denigrimit. Nëse dikush dëshiron të gjejë te Alternativa palë, ajo është pala që flet për vlerat e të djathtës konservatore, për shtetin, për kombin, për gjuhën, për familjen, për trashëgiminë kulturore, për identitetin religjioz e kështu me radhë. Kush beson në këto vlera, Alternativën mund ta ketë partner. Kush nuk beson në këto vlera, edhe nëse jep oferta të majme të pushtetit, Alternativën do ta ketë oponent.

Para se të përfundoj, dua t’ju them edhe në gjë. Dallimi që ne synojmë ta bëjmë në skenë nuk është grupor, por vleror. Dëshirojmë që vlerat në të cilat besojmë të jenë identiteti ynë, e jo emri i subjektit dhe emri ynë personal. Është morali ynë dhe është ideologjia jonë që i krijon binarët e rrugës sonë. Kjo, natyrisht, kërkon konsistencë, qëndrueshmëri dhe këmbëngulësi, por ju bind se këto do t’i gjeni te Alternativa.
Ndërkaq, në frymë të besimit tonë se partia është në shërbim të qytetarit, ne – qoftë në opozitë ose në qeveri – do të vazhdojmë t’i shërbejmë qytetarit,pavarësisht përkatësisë së tij etnike, religjioze e politike, duke qenë të bindur se pa këtë element nuk ka kurrfarë kuptimi angazhimi ynë politik. Krejt parimet, vlerat dhe besimi ynë në fund duhet të rezultojë me qytetarë të lumtur dhe polis të virtytshëm.

Po e mbyll fjalën time duke ju falënderuar të gjithëve që jeni këtë kongres. Në veçanti i falënderoj miqtë dhe kolegët e partive politike, si dhe diplomatët dhe mysafirët e lartë, të cilët me praninë e tyre na nderuan jo vetëm personalisht, por e nderuan edhe kauzën tonë, në përgjithësi. Falënderime pa fund edhe për delegatët e kongresit dhe aktivistët e Alternativës, që për kaq vite kanë qëndruar panë nesh duke besuar tek ne. Ata janë heronjtë e secilit sukses, sado i vogël qoftë.

Miq të dashur, kaq kisha për kongresin e parë të Alternativës. Ju faleminderit e mirupafshim!

Afrim Gashi
Shkup, 15 maj 2022

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

“Rikthimi i PDK-së në qeverisje” – misioni i Krasniqit si kryetar

“Misioni im si kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë”. Kështu ka thënë...

Si ta përballoni valën e të nxehtit?

Dehidratimi, mbinxehja dhe lodhja ekstreme janë disa nga rreziqet kryesore që mund të sjellë vala e të nxehtit.  Ato mund të ndikojnë në përkeqësimin...

Zaev: Gjuha dhe identiteti maqedonas janë siguruar

Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është deklaruar në lidhje me propozimin e modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Zaev...