Atje ku një agresor lufton kundër një populli me moral të lartë, pata mundësi që ta kaloj një ditë në shenjë përkrahjeje për demokracinë si vlerë universale dhe popullin ukrainas.
Shkruan Arta Bilalli Zendeli
Dita kaloi shumë shpejt sepse vizitova dhe pashë situata nga më të ndryshmet. Duke filluar nga takimi me deputetë e deputete ukrainase, fjalimi nga një Rektor Universiteti në Universitet, salla sporti të modifikuara në strehimore për refugjatë, fëmijë të vegjël që flinin të qetë fare pasi kishin pirë qumësht e e kishin flakur tutje biberonin (që më zgjuan nostalgji për fëmijët e mi), fytyra të ndrojtura e të trishtuara adoleshentësh, gra e burra të moshuar që në fjalinë e parë kishin nevojë të tregonin se me sa mundim kanë arritur deri në qendrat e refugjatëve, njerëz që e punonin tokën dhe i mirëmbanin kopshtet e tyre.
Njerëz të cilët mundoheshin të gjenin diçka adekuate për vete e të afërmit nga masa e dhuruar e ndihmave humanitare dhe shumë vullnetarë- mjekë, motra medicinale, profesorë universitetesh që vullnetarisht ishin vënë në shërbim të refugjatëve.
Deputetët kishin veshur rrobat e ushtarëve dhe erdhën për të na takuar në shenjë falenderimi kurse deputetet ishin tërë kohës në shërbim të nevojave të qytetarëve, e sidomos refugjatëve.
Nuk mund të mos e përmendi faktin se në një park kishte fëmijë të mbledhur që nën tingujt e muzikës angleze vallëzonin e luanin, pa brenga.
Dhe, PO, dielli ndriçonte fort mbi Ukrainë!