Dy radhë të gjata, njëra me burra, tjetra me gra, janë krijuar rreth një vendi të shpërndarjes së ndihmave të Programit Botëror të Ushqimit (WFP) në kryeqytetin afgan, Kabul, në nxehtësinë e diellit të mesditës.
Shumë nga njerëzit që presin mbështetje në Khwaja Rawash, një lagje e klasës së mesme pranë aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit, janë të varfërit e rinj të Afganistanit. Dikur kishin punë të denjë, tani ata mbështeten në ndihmën e ndërkombëtarëve për të mbijetuar.
Është më e qetë se sa ishte në ditën e parë të dhurimeve këtë muaj në këtë distrikt, thotë për CNN Khalid Ahmadzai, një partner koordinues i WFP në vend. Në atë kohë, më 11 maj, njerëzit u ngjitën nëpër mure për të hyrë brenda.
WFP thotë se ndihmoi 3,000 familje në atë distrikt në ditën e parë, me çdo familje që kishte mesatarisht shtatë anëtarë. Të dielën e kaluar, rreth 700 qytetarë pritën me durim deri në dy orë para se t’u kontrolloheshin dokumentet e identitetit dhe t’u dorëzoheshin paratë.
Ahmadzai thotë se njerëzit janë të dëshpëruar.
“Disa ditë më parë, një grua erdhi tek unë dhe më tha: “Dua të të jap djalin tim për 16,000 afganë,” thotë ai, një shumë që arrin në rreth 175 dollarë. “Ajo po qante. Ishte ndjenja më e keqe që kam pasur në jetën time”.
Ai shtoi: “Djali i saj ishte ndoshta tre-katër vjeç… Ndjenja që kishte për urinë dhe gjendjen ekonomike që kishin, ajo ishte në një fazë për të kërkuar të shiste djalin e saj”.
Luftëtarët e armatosur nga talebanët, të cilët dikur sulmuan kryeqytetin e Afganistanit, tani ofrojnë sigurinë në qendrën e shpërndarjes së ushqimit.
Prania e tyre nxjerr në pah një ironi mizore të artikuluar nga Azima, një mësuese në radhë, e cila po merr ndihmë për herë të parë në jetën e saj. Ajo thotë se situata e sigurisë është përmirësuar që kur talebanët pushtuan Kabulin vitin e kaluar: “Sulmet vetëvrasëse janë ndalur. Por gjendja ekonomike e njerëzve nuk mund të ishte më e keqe.”
Kriza ekonomike e Afganistanit është shfaqur prej vitesh; rezultat i varfërisë, konfliktit dhe thatësirës. Por pasi talibanët morën pushtetin në gusht 2021, SHBA dhe aleatët e saj ngrinë rreth 7 miliardë dollarë të rezervave valutore të vendit dhe ndërprenë fondet ndërkombëtare. Ky veprim gjymtoi një ekonomi tashmë të varur shumë nga ndihma.