Për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet, Komuna e Tetovës ka vënë në funksion një ekip i cili do të jetë në kontakt me të gjithë ata të cilët pësuan dëme nga përmbytjet e të shtunës dhe të së dielës, raporton KlanMacedonia.
U bëhet thirrje qytetarëve që të paraqiten në numrin kujdestar në Komunën e Tetovës për të paraqitur dëmet e shkaktuara.
“Do të duhen dy apo tre ditë të përfundojë procesi i vlerësimit të dëmeve materiale që kanë shkaktuar përmbytjet nga reshjet e shiut dje dhe pardje. Raportin që do ta kemi do ta bëjmë publike për opinionin” – tha Besar Durmishi nga komuna e Tetovës.
Dëme të konsiderueshme materiale në pronat e qytetarëve dhe institucioneve kanë shkaktuar reshjet e rrëmbyeshme të shiut dhe moti I lig në Rajonin e Tetovës.
Pas mbledhjes së Shtabit të Krizës nga Komuna e Tetovës thanë se për tejkalimin e situatës do të kërkohet ndihmë nga Qeveria, sic u tha për kompensimin e dëmeve, pastrimin e shtretërve të lumejve si dhe ndihmë nga Qyteti I Shkupit për pastrimin e rrugëve.
Ndërkaq, pas motit të lig në rajonin e Pollogu, Qendra Evropiane Sizmike ka evidentuar së paku katër lëkundje tërmetesh nga 2.2 deri më 2.7 ballë sipas shkallës së Rihtërit. Sic thuhet epiqendra e tërmeteve ka qenë midis Gostivarit dhe Tetovës.