Madhështia civilizuese e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Përbën kulm të pretenciozitetit ideja që shqiptari duhet të bëhet pjesë e kombit maqedonas duke hequr dorë nga kombi shqiptar i ndërtuar mbi shtyllat më të larta civilizuese, në organizatën madhështore që është Lidhja Shqiptare e Prizrenit

Nga Rilind DAUTI

Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon momentin kur për herë të parë u mblodhën shqiptarë të të dyja feve dhe nga të katër anët e Shqipërisë me qëllim të harmonizimit dhe organizimit të përpjekjeve politike të tyre. Ajo u mblodh më 10 qershor 1878 dhe dokumenti i parë i miratuar prej saj ishte “Kararname” e 18 qershorit 1878. Ky dokument fillestar vetëm kalimthi e përmendte Shqipërinë, sepse përndryshe kishte karakter kryekëput pro-osman. Por vetëm dy javë më vonë, më 2 korrik 1878, miratohet Statuti me qëllimet programore të Lidhjes, e që kishte karakter kombëtar shqiptar. Prandaj, nëse ka një datë që mund të merret si datëlindja e kombit shqiptar si konstrukt shoqëror-politik, është pikërisht 2 korriku i vitit 1878.(Ajo që për kombin maqedonas është 2 gushti 1944 në ASNOM, për shqiptarët është 2 korriku 1878 në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.)

Synimi kryesor i Lidhjes së Prizrenit ishte ruajtja e territoreve të banuara me shqiptarë nga rënia nën sundimin e shteteve fqinje, dhe bashkimi i vilajeteve të Shkodrës, Manastirit, Janinës, që e kanë marrë emrin nga kryeqytetetgjegjëse, dhe Vilajetit të Kosovës me kryeqytet Shkupin, që nga këto katër të krijohet një vilajeti unik shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane, i cili herëdokurdo në ato kufij të gjerë do të shndërrohej në Shqipërinë e pavarur.(Pa dyshim, në ato kufij përfshiheshin edhe pjesë ku asnjëherë nuk ka patur shqiptarë kështu që nuk i takojnë Shqipërisë, por për ato vise pa problem do të mund të kishte marrëveshje për modifikim të kufirit në mënyrë paqësore në vend të tmerreve që më vonë i solli Lufta e Parë Ballkanike që kishte për qëllim pushtimin e sa më shumë pjesëve të Shqipërisë.)

Për arritjen e këtyre qëllimeve u përpoq me mjete diplomatike kryetari i Komisionit të Jashtëm i Lidhjes Shqiptare, Abdyl bej Frashëri, së bashku me disa bashkëpunëtorë të tij. Ai udhëtoi nga njëri kryeqytet në tjetrin kryeqytet evropian ku u takua me politikanë, gazetarë, akademikë, dhe njerëz tjerë me rëndësi, me qëllim të marrjes të mbështetjes për shqiptarët. Si një intelektual i madh që ishte, Abdyl beu poashtu shkroi në shtypin e shteteve evropiane ku e njoftonte publikun e atyre shteteve mbi madhështinë e historisë dhe kulturës shqiptare, ashtu që edhe opinioni publik i këtyre shteteve të jetë në anën e shqiptarëve në vend se të fqinjëve që kishin qëllime grabitqare ndaj territoreve shqiptare.

Përveç Abdyl Frashërit me bashkëpunëtorët e afërm, aktivitete të jashtme për fitim të mbështetjes ndërkombëtare bënë edhe krahinat e Shqipërisë veç e veç, të cilat Kongresit të Berlinit dhe Fuqive të Mëdha i dërguan një numër të madh të letrave, telegrameve, memorandumeve, proklamatave, dhe protestave. Në letrat që shqiptarët ua dërgonin fuqive evropiane përmendeshin shumë gjëra: lashtësia dhe veçantia e shqiptarëve, Skënderbeu, vëllazëria dhe lufta e përbashkët për mbrojtje të atdheut e shqiptarëve muslimanë dhe krishterë, gatishmëria për vetësakrificë në mbrojtje të atdheut, dhe virtyte tjera.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit veproi pas Luftës Ruso-Turko në të cilën Serbia pat dëbuar qindra mijë shqiptarë nga Sanxhaku i Nishit, kështu që njëra nga veprimet që i ndërmori ajo ishte kujdesi për këta refugjatë që kishin mbetur pa asgjë. Kjo është një aspekt i lartë civilizues i Lidhjes së Prizrenit i përmendur gati se asnjëherë.

Në shekullin XIX që ishte shekull i zgjerimeve të mëdha kolonialiste mbështetur në supremacinë racore dhe fetare të njërit ndaj të tjerëve, Lidhja e Prizrenit e bëri hapin e madh civilizues që shkonte përtej çdo standardi civilizues të shteteve më të mëdha të asaj kohe: Lidhja e Prizrenit u mbajt në Xhaminë Bajrakli si vend më praktik për të mbajtur kuvend përfaqësuesit që erdhën nga çdo cep i Shqipërisë, megjithatë, në Lidhjen e Prizrenit ishin pjesë e pandashme edhe shqiptarët katolikë që kishin përfaqësuesit e tyre në organet e Lidhjes dhe në fushëbetejat për mbrojtjen e Shqipërisë qëndruan krah për krah me vëllezërit e tyre muslimanë! Kjo e tregon vetëdijen e lartë përparimtare të paprecedentë që e kishte elita shqiptare e asaj kohe, e cila e ndërtoi një komb multifetar, ndryshe nga kombet fqinje që ishin ekskluzive vetëm për besimtarët e një feje, prandaj ishin dhe vazhdojnë të jenë përjashtuese ndaj besimeve tjera. Ku sot e kësaj dite në mënyrën më primitive të mundshme, pozitat në shtet (në veçanti në organet e sigurisë) i lidhin me përkatësinë fetare!

Në janar të vitit 1881 u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Shqiptare në të cilin u mor vendimi për transformimin e Komitetit Kombëtar në Qeveri të Përkohshme me në krye Ymer Prizrenin. Qeveria i kishte 12 anëtarë, një prej tyre ishte edhe Abdyl bej Frashëri që e mori detyrën e ministrit të jashtëm. Kështu, në Prizren që sot nuk është nën sovranitetin e shtetit shqiptar, u krijua protoqeveria e protoshtetit shqiptar i dalë nga vullneti i brendshëm dhe mbështetur nga asnjë fuqi e jashtme, për dallim nga Greqia, Bullgaria, Serbia, dhe Mali i Zi, që mbrapa vetes i kishin simpatitë e pështira antimuslimane dhe mbështetjen e parezervëtë së paku një shteti të madh evropian.

Është pikërisht kjo mungesë e mbështetjes së jashtme ajo që çoi në shtypjen e kësaj përpjekje për vetsundim të shqiptarëve në çdo pjesë të Shqipërisë. Përkundër të gjitha përpjekjeve diplomatike dhe ushtarake të saj, Lidhja e Prizrenit nuk i realizoi objektivat e saj sepse thjeshtë rrethanat ishin të tilla. Ishte e pamundur të luftohet edhe kundër Perandorisë Osmane, edhe kundër fqinjëve ballkanikë, e në veçanti ishte e pamundur të luftohet kundër Fuqive të Mëdha që çuan luftanije në brigjet e Ulqinit që t’i bindin shqiptarët t’ia dorëzojnë qytetin e lashtë shqiptar Malit të Zi.

Por ky mossukses në arritjen e objektivave të saj (që siç u përmend, nuk ishte faji i saj), nuk ia zbeh fare madhështinë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sepse prapëseprapë me veprimet e saj ajo përgjithmonë e njoftoi udhëheqësinë e shteteve evropiane dhe opinionin e tyre publik me nevojat dhe kërkesat e shqiptarëve. Ndërkaq, Lidhja e Prizrenit jo vetëm që e shënoi lindjen e kombit shqiptar por edhe vetë u bë një nga mitet themeltare të së njëjtës. Ajo frymëzon idealin e bashkimit, ndihmën vëllazërore të një shqiptari për një shqiptar tjetër, dhe mishëronte vlera të larta civilizuese që mahnitin edhe sot e kësaj dite.

Prandaj, kur e ke parasysh se në çfarë ngjarje dhe baza civilizuese u krijua kombi shqiptar, e kupton se sa pretenciozë janë disa persona me gjoja bindje përparimtare që duan shqiptarët në Maqedoni të Veriut të bëhen pjesë e një kombi maqedonas “multietnik”, “qytetar”, “si kombi amerikan”… Shiheni çfarë pretencioziteti!E ku mund të krahasohet kombi maqedonas me kombin amerikan në mënyrën e formimit dhe përmbajtjen? E mbi të gjitha: ku mund të krahasohet kombi maqedonas me kombin amerikan në KUALITET ashtu që të vlejë që një shqiptar etnik të heqë dorë nga kombi shqiptar?! (Kombi amerikan në cilësi ia tejkalon çdo kombi në Evropë.)Për të qenë të saktë, e vërteta është se te kombi maqedonas prej në fillim marrin pjesë një grumbull i shqiptarëve. Bëhet fjalë për shqiptarët ortodoksë të Rekës. Megjithatë, ata edhe për nga vetëdija etnike identifikohen si maqedonas, ndërsa kur kanë dyshime për këtë, dyshimet nuk i zgjidhin duke u kthjellur që janë shqiptarë por duke e ndërruar vetëidentifikimin në bullgarë. Por për ne që e kemi ruajtur vetëdijen etnike shqiptare dhe bindjen që i takojmë popullit shqiptar, përbën kulm të pretenciozitetit ideja që shqiptari duhet të bëhet pjesë e kombit maqedonas duke hequr dorë nga kombi shqiptar i ndërtuar mbi shtyllat më të larta civilizuese, në organizatën madhështore që është Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ku populli shqiptar i çoi përfaqësuesit e tyre nga çdo cep i Shqipërisë së plotë!

Sa i përket emërtimit të shqiptarëve si maqedonas në kuptimin jokombëtar të fjalës, kjo mund të jetë e pranueshme për shqiptarët bazuar mbi trashëgiminë e Maqedonisë antike që edhe shqiptarët e konsiderojnë të vetën, dhe faktin që historikisht të qenit maqedonas është identitet rajonal dhe multietnik. Por është kulmi i pritjeve të tepruara që shqiptarët me vetëdije të fortë etnike të bëhen pjesë e kombit maqedonas ashtu siç ai u krijua në ASNOM!

Dialogu strategjik i Maqedonisë së Veriut me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shans i mirë që përfaqësuesit e shqiptarëve në qeverinë e RMV aleatëve amerikanë t’ua shpjegojnë nevojën dhe mënyrën e reformimit të shtetit që do të çonte te një shtet më i mirë për të gjithë, përfshirë dhe mundësinë e krijimit të një identiteti të përbashkët. Nëse SHBA dhe në përgjithësi komuniteti ndërkombëtar vazhdon me insistimin e ruajtjes së kufijve aktualë në Ballkan përkundër faktit që këta kufij u vizatuan me luftëra ekstremisht gjakësore, me dredhi, nga pazaret e fuqive të huaja që nuk iu interesonte mirëqenia e njerëzve që i banojnë këto toka, dhe me shtete të cilave që moti u ka kaluar raisond’etre origjinale përse janë krijuar, atëherë në Maqedoninë e Veriut do të mund të konsiderohej një komb multietnik me pjesëmarrjen e plotë të gati 1/3 së popullsisë që janë shqiptarëtvetëm nëse sërish ndryshon emri i shtetit por tani në një emër etnikisht-neutral si p.sh. Republika e Pajonisë. Dhe më pas, në një shtet me simbole etnikisht-neutrale dhe me kushtetutë tërësisht qytetare që nuk e përmend asnjë “popull dhe pjesë populli” siç bën kushtetuta e RMV-së aktuale, do të mund të krijohej kombi multietnik i pajonasve modernë. Përndryshe, në Maqedoninë e Veriut që pa vullnetin e tyre ushtron sovraniteti mbi vendbanimet shqiptare, shqiptarët gjithmonë do të vazhdojnë së qeni pjesë e kombit shqiptar me të gjitha idealet dhe tiparet që gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i ka përpiluar ky komb i vogël në numër por i madh në vetëdijen civilizuese! (koha.mk)

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

“Rikthimi i PDK-së në qeverisje” – misioni i Krasniqit si kryetar

“Misioni im si kryetar është ringritja, fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje, si parti e fitoreve, për zhvillimin e vendit tonë”. Kështu ka thënë...

Si ta përballoni valën e të nxehtit?

Dehidratimi, mbinxehja dhe lodhja ekstreme janë disa nga rreziqet kryesore që mund të sjellë vala e të nxehtit.  Ato mund të ndikojnë në përkeqësimin...

Zaev: Gjuha dhe identiteti maqedonas janë siguruar

Ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev është deklaruar në lidhje me propozimin e modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Zaev...

Amerika e përkrah propozimin europian për Maqedoninë e Veriut

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përkrahin propozimin europian për Maqedoninë e Veriut dhe këtë e konfirmon edhe ambasadorja amerikane në vend, Kate Byrnes. Ne kemi...

Europa i qëndron prapa propozimit francez për Maqedoninë e Veriut

Edhe euro-ambasadori në vend David Geer, ka përshëndetur procesin dhe rrugën europiane të vendit me shpresë që tashmë hapja e rrugës për negociata do...