Masa të targetuara dhe konsolodim fiskal si reagim ndaj inflacionit dhe rrezikut nga stagflacioni

Oferta dhe kërkesa. Ligjet themelore ekonomike dhe baza e të gjitha parimeve ekonomike. Proporcioni i të mirave dhe shërbimeve të ofruara dhe të kërkuara në treg përcakton ekuilibrin e tregut – çmimin. Nëse oferta rritet dhe nga ana tjetër kërkesa mbetet e njëjtë – çmimi do të ulet. Nëse oferta pëson rënie, me kërkesë të pandryshuar – çmimi do të rritet. E kundërta vlen edhe për anën e kërkesës.

“Inflacioni i lartë” në vitet e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, i cili u përhap në mbarë botën, vinte kryesisht nga ana e ofertës. Rritja e çmimeve të naftës, paratë e lira, spekulimet rreth këmbimit valutor, biznesmenët dhe sindikatat që kërkuan më shumë fitime – me ç’rast kjo në histori shënohet si shkaku i zhvillimit të kësaj krize. Shkurtimisht për krizën e viteve të shtatëdhjeta: 1. solli norma të larta të inflacionit; 2. zgjati më shumë se një dekadë dhe 3. krijoi fenomenin ekonomik – stagflacionin – stagnimin e pasuar nga norma të larta të inflacionit.

Ithtarët e teorisë kejnsiane, në atë kohë injoruan mundësinë e stagflacionit, pasi shkallët e larta të papunësisë nuk lidheshin me inflacionin e ulët. Në teorinë kejnsiane, stagflacioni dhe inflacioni ishin dy antagonizma, që përjashtonin njëri-tjetrin dhe raporti i tyre shihej përmes kurbës së Philips-it. Ideja ishte që çmimet e larta të sillnin fitime më të larta, fitimet më të larta – prodhim më të lartë dhe kjo përfshin zgjerimin e kapaciteteve dhe rritjen e punësimit. Por gjërat nuk po shkonin sipas planit dhe neokejnsianët e pranuan këtë, resprektivisht se inflacioni i krijuar në anën e ofertës, sidomos në lidhje me burimet dhe produktet primare, mund të stimulojë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik. Në këtë drejtim është edhe teoria e profesorit Edmund Phelps, e cila tregoi se në periudhë afatgjate, kurba e Phillips-it është vertikale në nivelin e “shkallës natyrore të papunësisë”, e cila nuk lidhet me inflacionin por me faktorët realë të rritjes së ekonomisë. Ai në fakt inkorporon pritshmëritë për inflacionin në kurbën e Phillips-it, duke shpjeguar se në rrethana të ofertës së pandryshuar, rritja e stokut monetar (money supply or money stock) shkakton inflacion, teori që është afër monetaristëve. Ndryshe, në atë periudhë monetaristi i njohur Milton Friedman pohonte se inflacioni është gjithmonë dhe kudo fenomen monetar, resprektivisht vënia në qarkullim e parave më shumë se ç’duhet në ekonomi sjell në mënyrë të pashmangshme inflacionin. Në rrethana të një debati të tillë ekonomik, që të përfundojë inflacioni i lartë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijoi edhe ndryshimi i kryetarit të Rezervës Federale, më tej edhe shtrëngimi brutal i politikës monetare me rritje të normës së interesit deri në 20%, duke përfshirë edhe pranimin e recesionit, përpara se inflacioni të kthehej në norma të ulëta njëshifrore. Ende mbetet i hapur debati në teorinë ekonomike nëse stagflacioni u shkaktua nga shtrëngimi i shpejtë dhe i fuqishëm monetar dhe rregullimi i tregjeve

Kriza aktuale energjetike dhe e çmimeve kundrejt “Inflacionit të lartë” të viteve të 70-ta

A kanoset bota nga kriza e re sipas shembullit të viteve të 70-ta e cila do të përfundojë me norma të larta të papunësisë dhe recesion? – Për fat të mirë, jo. Po, ka rritje të shpejt të aktiviteteve ekonomike si rezultat i reagimit ndaj recesionit të rëndë që ndodhi gjatë pandemisë. SHBA-ja dhe BE-ja janë rikthyer në nivelet para pandemisë brenda një viti, madje i kanë tejkaluar ato, si rezultat i masave të ndërmarra përmes politikave monetare dhe fiskale. Por çregullimi i zingjirëve të furnizimit, likuiditeti i lartë, reagimi më i dobët i ofertës ndaj kërkesës që u kthye në nivelin e para pandemisë, e gjithë kjo kontribuoi në rritjen e shpejtë të çmimeve dhe rritjen e inflacionit në shumë vende në dekadat e fundit.

Si rezultat i presioneve të fuqishme të çmimeve, çregullimeve të zinxhirëve globalë, pasigurisë së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, por edhe normalizimit të politikës monetare, resprektivisht rritjes së çmimit të kapitalit, Banka Botërore pret që gjatë këtij viti rritja globale të ngadalësohet në 2.9%. Projeksioni i muajit qershor paraqet ngadalësim të dukshëm prej 1.2 pikë përqindjeje krahasuar me projeksionin e muajit janar ose krahasuar me rritjen e pas pandemisë prej 5.7% në vitin 2021. Rritja e të ardhurave dhe ulja e varfërisë në ekonomitë në zhvillim janë ngadalësuar deri më tani si rezultat i Covid-19. Megjithatë, lufta në Ukrainë ndikoi në mënyrë shtesë dhe pritet që në vitin 2022 të arrijë rritje të PBB-së prej 3.4% – ose pothuajse gjysmën e normës në vitin 2021, resprektivisht shumë më poshtë se mesatarja në vitet 2011-2019. E ngjashme është edhe prognoza lidhur me rritjen për vendet me të hyra mesatare, që për këtë vit ka rënë dukshëm për 1.3 pikë përqindje krahasuar me projeksionin e muajit janar.

Megjithatë, ajo që ndryshon në këtë krizë çmimesh në raport me “Inflacionin e lartë” të viteve të 70-ta janë pritshmëritë inflacioniste. Institucionet financiare ndërkombëtare, tregjet, investitorët – pavarësisht nivelit të lartë të pasigurisë që lidhet me luftën në Ukrainë, presin që inflacioni të stabilizohet vitin e ardhshëm, si më i lartë në dekadën e kaluar. Tashmë në periudhë afatmesme pritet që të kthehet në nivelet më të ulëta para pandemisë. Në vitet e 70-ta, pritshmëritë ishin të larta. Një shembull të tillë jep edhe laureati i çmimit Nobel, Krugman për pritshmëritë inflacioniste të asaj kohe në SHBA: punëtorët prisnin çmime më të larta, punëdhënësit prisnin çmime më të larta, prandaj u dakorduan për rritje të pagave shumë më të larta se output-i që krijuan, që kontribuoi në intensifikimin e mëtejshëm të spirales inflacioniste dhe zgjatjes së krizës.

Disa aspekte të tjera do doja t’i përmend si dallim nga zhvillimet aktuale në krahasim me vitet e 70-ta si gatishmëria e politikëbërësve dhe dukshëm më shumë mekanizma e rrjete sigurie që janë krijuar ndër vite, veçanërisht pas krizës financiare globale. Vitet e 70-ta, gjithashtu karakterizohen nga rënia e madhe e bursave dhe depreciacioni (zhvlerësimi) i dollarit, gjë që nuk ndodh aktualisht.

Fillimi i fundit të “parave të lira”- “cheap money”

Kur i ceka rrjetet e sigurisë dhe politikëbërësit, le t’i referohemi vitit 2022. Bankat qendrore më të mëdha tashmë filluan ta shtrëngojnë politikën monetare. Rezerva Federale ishte e para që nisi rritjen e normës bazë të interesit dhe me vendimin e fundit të miratuar pak ditë më parë, norma e interesit u rrit për 75 pikë bazë, një nga rritjet më agresive që nga viti 1994. Për këtë vit ata targetojnë inormën e interest prej 3.4%, ndërsa për vitin 2023 prej 3.8% dhe janë dedikuar fuqishëm që të kthehen në inflacionin e targetuar prej 2%. Gjithashtu, Banka Qendrore Evropiane, ndonëse më e kujdesshme në shtrëngimin e politikës krahasuar me FED-in, në muajin qershor miratoi vendim për rritjen e normës bazë të interest prej 25 pikë bazë, por gjithashtu në muajin shtator do ta rishikojë sërish politikën e saj. Të gjithë janë të impenjuar për ta rikthyer inflacionin e targetuar prej 2% në periudhë afatmesme, por kjo do të thotë se koha e parave të lira ka mbaruar.

Gjatë kohës kur pushtetet monetare rrisin çmimin e parasë, çfarë duhet të bëjnë pushtetet fiskale? – Pas pandemisë, hapësira fiskale për reagim u zvogëlua, veçanërisht për vendet në zhvillim. Prandaj, ky aspekt duhet të merret parasysh gjatë krijimit të politikave fiskale, duke pasur parasysh rritjen e pritshme të çmimit në tregjet e kapitalit. Masa fiskale duhet të ketë gjithsesi, por reagimi fiskal gjatë pandemisë edhe gjatë kësaj krize të çmimeve si do që të jetë, duhet të jetë i ndryshëm, sepse natyra e krizës dhe kushtet aktuale për financimin dhe zbatimin e masave janë të ndryshme.

Fuqia e kërkesës për stabilizimin e inflacionit dhe përkrahja e kategorive të ndjeshme

“Masa të targetuara” janë fjalë magjike në secilën prej analizave dhe raporteve të organizatave financiare ndërkombëtare. Kjo do të thotë që të përcaktohet saktësisht se cila kategori e targetuar e qytetarëve dhe kompanive kanë nevojë për masat, hartimin dhe zbatimin e tyre sipas grupit të targetuar.

Sipas një publikimi të FMN-së, politikat fiskale gjatë krizës aktuale duhet të planifikohen sipas sistemit ekzistues të mbrojtjes sociale që praktikohet në vend. Rekomandimet për masat fiskale jepen sipas këtyre tre kategorive të vendeve: 1. me mbrojtje të lartë sociale, 2. me mbrojtje të ulët sociale, pa subvencione për ushqim dhe energji dhe 3. me mbrojtje të ulët sociale, me subvencione për ushqim dhe energji.

Për vendet me sistem të fuqishëm të mbrojtjes sociale, rekomandohet që të mos ndërmerren masa kundër përhapjes së çmimeve më të larta të energjisë në ekonomitë nacionale. Rekomandohet gjithashtu përkrahje financiare e targetuar për amvisëritë më të ndjeshme. Nëse politika aktuale sociale nuk ofron përkrahje për amvisëritë e klasës së mesme të prekura nga kriza – rekomandohet që të merret në konsideratë përkrahja e targetuar financiare e njëhershme.

Për vendet me sistem më të dobët të mbrojtjes sociale, të cilat nuk kanë subvencione për energji dhe ushqim, rekomandohet zgjerimi dhe përmirësimi i programeve sociale të krijuara gjatë krizës së COVID-19. Këto vende rekomandohen gjithashtu që ta shfrytëzojnë krizën aktuale si bazë për përforcimin e sistemit të mbrojtjes sociale.

Vendet që kanë sistem më të dobët të mbrojtjes sociale, por që tashmë praktikojnë subvencione për energji dhe ushqim, rekomandohen gjithashtu që të lejojnë transferim gradual të çmimeve nga tregjet botërore në vend, ndërsa nëpërmjet hapësirës ekzistuese fiskale të kalibrojnë hendekun midis çmimeve importuese dhe çmimeve të shitjes me pakicë.

Me pak fjalë, edhe pse politikisht jo shumë atraktive, rekomandimet janë që të lejohen fuqitë e tregut të veprojnë mbi ofertën dhe kërkesën, me përkrahje të kategorive më të ndjeshme. Sinjalet e çmimeve janë kyçe për të reaguar në mënyrë konkrete ndaj kërkesës dhe me këtë edhe fillimin e stabilizimit. Si shembull kemi edhe energjinë. Kërkesa për energji është joelastike në periudhë afatshkurtër, ndërsa ajo bëhet elastike në periudhë afatmesme, veçanërisht për karburantet, që do të thotë se me rritjen e çmimeve, mund të ulet kërkesa. Me kalimin e kohës, si pasojë e uljes së kërkesës, çmimi do të stabilizohet.

Nga ana tjetër, ushqimi karakterizohet nga joelasticitet edhe më i madh i çmimeve. Prandaj, aspekt shum i rëndësishëm është ofrimi i sigurisë sociale për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve. Sërish i kthehemi termit “masa të targetuara saktë”. Për shembull, nëse amvisëritë me të hyra të ulëta shfrytëzojnë karburante të caktuara për ngrohje, përmes masave të projektuara në mënyrë të duhur, të ndikojnë në çmimin e atyre karburanteve. Nuk rekomandohet ulja e tatimeve për karburantet dhe ushqimin Përkundrazi, arkëtimi i tatimeve duhet të destinohet në mbrojtjen e familjeve më të ndjeshme. Me uljen e tatimeve për të gjithë, do të thotë se subvencionohen edhe ata që nuk kanë nevojë për përkrahje, në llogari të kategorive të ndjeshme të qytetarëve.

FMN-ja rekomandon gjithashtu që të merren parasysh edhe ndryshimet klimatike gjatë hartimit të masave, pasi që karburantet janë një nga qëllimet që duhet vepruar.

Anketa e fundit e FMN-së tregon se shumica e vendeve kanë ndërmarrë tashmë hapa për uljen e transferimit të çmimeve nga bursat botërore në ekonomitë nacionale. Shumica e vendeve ndërmorën të paktën nga një masë që nga fillimi i vitit, përkatësisht 26 nga 31 ekonomi të zhvilluara dhe 45 nga 103 ekonomi në zhvillim. Pikërisht hapësira më e vogël fiskale, por edhe subvencionet tashmë ekzistuese të ushqimit dhe energjisë në vendet në zhvillim janë faktorë të këtij numri më të ulët.

Inflacioni vendas u amortizua për rreth një të katërtën këtë vit

Ekonomia jonë ka sistem të mirë të mbrojtjes sociale. Me reformën sociale që e zbatuam në vitin 2017, ne u bëmë vendi i parë në rajon me vendosjen e të hyrave minimale të garantuara. Kemi gjithashtu transferta sociale që targetojnë grupe të ndryshme, duke përfshirë edhe subvencionet e energjisë elektrike për familjet e kategorive më të ndjeshme.

Por pavarësisht kësaj, Qeveria jonë deri tani ka ndërmarrë shumë masa në drejtim të ngadalësimit të përhapjes së çmimeve nga bursat botërore në vend. Tani lexuesi do të vërejë se kjo është e kundërta e asaj që u potencua më lartë, por do të theksoj se në vendin tonë ushqimi dhe energjia marrin pjesë me përqindje shumë të lartë në indeksin e çmimeve të konsumit (CPI), ndaj ky reagim ishte i domosdoshëm për ta ngadalësuar spiralen inflacioniste. Reagimi fillestar ishte përmes lehtësimeve tatimore, përkrahjes së kompanive energjetike për ngadalësimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, përkrahjes së targetuar financiare për kategoritë më të ndjeshme, kufizimeve administrative që do të ndikojnë në çmime si dhe masave të kursimit të energjisë.

Në periudhën janar – maj 2022, norma e inflacionit pati tendencë në rritje dhe arriti në 9.1%, gjë që reflekton presionet e çmimeve në anën e ofertës, të shkaktuara nga faktorë globalë, që u transmetuan në ekonominë vendase kryesisht nëpërmjet rritjes së çmimeve të ushqimeve (12.8 %), derivatet e naftës (30.7%) dhe energjia elektrike (9.4%). Këto kategori kanë pjesëmarrje prej 71% në rritjen e inflacionit në këtë periudhë.

Sipas analizës së kryer nga Ministria e Financave, ky inflacion do të ishte shumë më i lartë nëse nuk do të ishte reagimi i shpejtë fiskal përmes masave antikrizë. Sipas të dhënave në dispozicion nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), në gjysmën e parë të vitit 2021, çmimi mesatar i energjisë elektrike për amvisëritë ishte 4.37 denarë për KWh pa TVSH, resprektivisht 5.156 denarë me 18% TVSH. Duke pasur parasysh se çmimi i energjisë elektrike në periudhën janar-maj 2022 është më i lartë për 9.4% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, llogaritet se çmimi në periudhën janar-maj 2022 është 5.641 denarë për KWh me 5% TVSH ose 5.373 denarë pa TVSH. Nëse për këtë çmim llogaritet 18% TVSH, çmimi do të ishte 6.340 denarë për KWh, resprektivisht rritje prej 22.9% në vend se 9.4%, për shkak të uljes së TVSH-së nga 18% në 5%. Sipas kësaj, kontributi i rritjes së çmimit të energjisë elektrike në inflacionin e përgjithshëm do të ishte 1.7 p.p. në periudhën janar – maj 2022 në vend se 0.7 p.p., gjegjësisht inflacioni i përgjithshëm do të ishte 10.1% në vend se 9.1 %. Ky është vetëm efekt direkt, ndonëse ka edhe efekte indirekte, duke shmangur valën më të fuqishme të rritjes së çmimeve.

Gjithashtu, ulja e normës së TVSH-së nga 5% në 0% për produktet ushqimore bazë (miell, bukë, vaj, mish, djathë, qumësht, vezë etj.) ndikoi në ngadalësimin e normës së rritjes së inflacionit, duke qenë se ushqimet kanë pesëmarrje më të lartë në strukturën e indeksit të kostove të jetesës. Sipas llogaritjeve, ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë ndikoi në uljen e normës së përgjithshme të inflacionit për 1.5 pikë përqindjeje, resprektivisht norma vjetore e inflacionit në muajin prill në vend të 10.5% do të ishte 12 %. Efekt të njëjtë pati edhe gjatë muajit maj 2022, resprektivisht ulja e TVSH-së ndikoi në uljen e normës së inflacionit për 1.4 pikë përqindje, gjegjësisht norma vjetore e inflacionit në muajin prill do të ishte 13.3% në vend se 11.9%.

Sipas këtyre llogaritjeve, nëpërmjet reagimit fiskal ndaj ushqimeve dhe energjisë, rritja e inflacionit është amortizuar me rreth një të katërtën.

Masa të reja të targetuara me rishikimin e buxhetit

Projeksionet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare janë në drejtim të vazhdimit të inflacionit, i cili pritet të stabilizohet në vitin 2023, ndërkohë që rritja ekonomike do të ngadalësohet dhe në vitin 2023/2024 do të kthehet në dinamikën e rritjes para pandemisë. Kjo nënkupton se situata do të zgjasë më shumë krahasuar me pritshmëritë fillestare. Nëse kësaj i shtojmë edhe paralajmërimet lidhur me mungesën globale të ushqimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, me ç’rast situata bëhet më komplekse dhe pasiguria më e madhe.

Kjo është goditje e fuqishme eksterne, e cila përfshin pothuajse të gjitha ekonomitë në botë. Kjo është goditje tejmase e madhe që të absorbohet plotësisht nga ekonomia në zhvillim. Ajo që mund të bëjmë është që të veprojmë me mençuri – ta ruajmë stabilitetin dhe njëkohësist t’i mbrojmë ata që kanë nevojë për përkrahje.

Duke pasur parasysh këtë, nevojitet kondicion fiskal që të mund t’i rezistohet sfidave për një kohë të gjatë dhe njëkohësisht të ruhet edhe stabiliteti fiskal. Prandaj, duhet të intervenohet me masa të targetuara kur tashmë në tregjet financiare huamarrja bëhet më e kushtueshme dhe çdo heqje dorë nga të hyrat për një denar në buxhet do të thotë huamarrje me interes më të lartë që do ta paguajmë ne dhe gjeneratat e ardhshme.

Me rishikimin e buxhetit vazhdojmë me masat në drejtim të përkrahjes së qytetarëve dhe kompanive. Mjete rezervë janë ndarë për masat e reja antikrizë. Mjete shtesë janë ndarë për përkrahjen e bujqve për rritjen e rendimenteve vendase, me qëllim të amortizimit të efekteve të çmimit të lartë të ushqimeve të importuara. Mjete shtesë janë ndarë për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve dhe për rritjen e pensioneve të pensionistëve. Të gjitha këto janë masa të targetuara, sepse përveç përkrahjes për tejkalimin e krizës rëndësi ka edhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik. Sepse vetëm një ekonomi stabile mund të gjenerojë rritje ekonomike të fuqishme dhe të qëndrueshme.

Për sa i përket diapazonit të kufizuar, këtu duhet ta përfundoj këtë kolumnë. Megjithatë duhet t’i kushtoj vëmendje edhe…

Koordinimi i politikës fiskale dhe monetare për luftimin e inflacionit dhe shmangien e stagflacionit

Nuk mund ta përfundoja këtë kolumnë me temën e inflacionit pa i dedikuar vëmendje rolit të koordinimit të politikës fiskale dhe monetare. Në përgjithësi, ekonomistët ndajnë mendimin e njëjtë se inflacioni është fenomen monetar. Nëse e shohim përciptazi, pushteti monetar duhet t’i rrisë menjëherë normat e interesit dhe në këtë mënyrë ta ulë kërkesën për para dhe likuiditet në ekonomi, gjë që sipas monetaristëve duhet të ulë edhe inflacionin. Megjithatë, makroekonomistët do të bien dakord se ky fakt është i vërtetë, por në të njëjtën kohë theksojnë se çmimi ekonomik dhe social mund të jetë shumë i lartë.

Në rrethana të tilla si në vitet e 1970-ta, nuk duhet të lejojmë që stagflacioni të kthehet në skenë. Inflacioni i shkaktuar kryesisht nga ana e ofertës nuk mund të zgjidhet vetëm me instrumente të uljes së kërkesës. As problemi dhe as zgjidhja nuk duhet të adresohet vetëm në një institucion. Si reagim ndaj këtyre dukurive në ekonomi nevojitet edhe koordinimi i politikës fiskale dhe asaj monetare.

Gjithashtu, për të pasur reagim efikas nëpërmjet masave dhe politikave, rëndësi ka diagnoza e saktë. Për shembull, nëse kemi temperaturë të lartë dhe shkojmë te mjeku, gjëja e parë që bën mjeku është matja e temperaturës trupore, amnezë e shkurtër dhe analizë laboratorike. Në bazë të rezultateve, cakton terapinë e duhur për shërim ose nëse rezultatet tregojnë komplikime serioze, na drejton te ndonjë specialist i fushës. Si rrjedhojë, do të konkludoja për politikën fiskale dhe monetare, se me qasje profesionale dhe të koordinuar destinohemi drejt zgjidhjes më të përshtatshme për tejkalimin e kësaj krize, me më pak pasoja dhe rezultate më të mira për rimëkëmbjen dhe ruajtjen e nivelit të rritjes.

Në periudhë afatmesme dhe afatgjate, nevojitet ristrukturimi i ekonomisë drejt tranzicionit të gjelbër (pavarësia dhe efikasiteti energjetik), dixhitalizimi, lidhja e infrastrukturës, përforcimi i kapitalit njerëzor dhe qeverisja e mirë (sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit) do të kontribuojnë gjithashtu në përmirësimin e klimës afariste dhe konkurrencës së ekonomisë sonë.

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Konfirmohet lajmi/ Kryetari i degës së ASH në Shkup shkarkohet nga VMRO për incidentin me armë zjarri

Drejtori Zudi Enuzi njëherit edhe kryetar i degës së ASH në Shkup, është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës në ndërmarrjen publike Higjiena...

Hoxha: Hapi i parë është të kontrollohen recensentët

Analisti Ylli Hoxha, sa i përket projektligjit aktual për tekstet shkollore, ka thënë se nuk ka kujdes në botimin e teksteve shkollore. Hoxha në emisionin...

BDI: Incidenti i inskenuar nga aktivistët e koalicionit Aleanca – VMRO – Levica

Bashkimi Demokratik për Integrim fuqishëm dënon incidentet në protestat antieuropiane të nxitura nga elementet pro ruse në shoqërinë tonë, përfshirë edhe incidentin e inskenuar...