Çekia në krye të Këshillit të BE-së, prioritet edhe liberalizimi i vizave për Kosovën

Çekia do të jetë kryesuesja e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian për gjashtë muajt e ardhshëm.

E për këtë, të premten e një korrikut, në ceremoninë e prezantimit të përparësive të Çekisë gjatë kryesimit të Këshillit të BE-së, pjesëmarrës ishin edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë ceremoni, si prioritete janë theksuar normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

No description available.

Sipas diplomatëve në Bruksel, Çekia do të mbajë si prioritet një varg çështjesh që kanë përshkuar edhe kryesimin francez, e që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë dhe sigurinë e furnizimit me energji.

Një diplomat i lartë evropian ka thënë se Çekia do ta ketë prioritet të rëndësishëm edhe çështjet për Ballkanin Perëndimor.

Njëherësh, ky burim ka thënë se në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë, procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është më i rëndësishëm se kurrë, dhe se kjo vlen edhe për raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Përgjatë rrugëtimit të saj si kryesuese, Çekia do të ketë edhe përparim konkret rreth Ballkanit Perëndimor me nisjen e negociatave lidhur me anëtarësimin në BE, të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas burimeve diplomatike, nivelet më të larta po punojnë që konferenca e parë ndërqeveritare, me të cilën do të hapeshin simbolikisht negociatat e anëtarësimit për Shkupin dhe Tiranën, të ndodhë para pushimeve të verës, përkatësisht përgjatë muajit të parë të kryesimit çek.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Çekia është e gatshme që këtë vendim ta vendosë në rend të ditës, sapo të vërtetohet se ka gatishmëri nga vendet anëtare për heqjen e vizave.

Komisioni Evropian ka konfirmuar se mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, dhe se procesi i stërzgjatur i liberalizimit të vizave duhet të përmbyllet sa më shpejt.

Mirëpo, disa vende anëtare, si Franca, vazhdojnë të shprehin rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Diplomatët në Bruksel thonë se Çekia, në cilësinë e kryesueses së BE-së, do të konsultohet me vendet anëtare dhe se ajo ka shprehur gatishmëri që ta çojë përpara këtë proces.

Ndër të tjera , Çekisë i imponohen si prioritete menaxhimi i krizës së refugjatëve nga Ukraina, vazhdimi i ndihmës për Ukrainën, për t’u përballur në secilin aspekt me agresionin e Rusisë, siguria e furnizimit me energji e cila nënkupton zvogëlimin e varësisë nga Rusia, forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë në BE dhe forcimi i institucioneve demokratike.

Kjo është hera e dytë që Çekia merr kryesimin e BE-së qëkur është bërë anëtare e bllokut në vitin 2004.

Qeveria çeke ishte rrëzuar përgjatë kryesimit të vitit 2019, por kryesimi i vendit me BE-në është vlerësuar si i suksesshëm.

Pritet që Çekia të organizojë një takim të liderëve në Pragë, më 6 tetor, kur do të diskutohet për “Evropë më të gjerë”.

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Do jenë mjaft të vogla – Abc News

schedule01:23 - 9 Gusht, 2022 Një ish oficer kryesor në forcat e armatosura të Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se Rusia do të...

Monza nuk dorëzohet, së shpejti sulmi final për Mauro Icardin

schedule22:14 - 8 Gusht, 2022 Monza nuk di të dorëzohet dhe po mendon që javën e fundit të merkatos të transferojë Mauro Icardin. Argjentinasi...

Pas Taika Waititi, as Rita Ora s’e fsheh më unazën, burimet konfirmojnë martesën – Abc News

schedule22:45 - 8 Gusht, 2022 Dyshimet se është martuar me Taika Waititi, i ka shtuar më shumë vetë Rita Ora. Ylli shqiptar me...