Gati një e katërta e botës në rrezik nga përmbytjet

Një studim i botuar të martën ka bërë të ditur se afro një e katërta e botës është tashmë e ekspozuar ndaj rreziqeve të konsiderueshme nga përmbytjet, veçanërisht vendet e varfëra.

Rreziqet nga përmbytjet po rriten dita-ditës dhe kjo si shkak i ndryshimit të klimës, e cila është duke shkaktuar reshje ekstreme dhe rritje të nivelit të detit.

Studimi i ri, i botuar në revistën Nature Communications, ka analizuar të dhënat globale mbi rreziqet e përmbytjeve nga deti, lumenjtë dhe reshjet, njëherësh edhe shpërndarjen e popullsisë dhe vlerësimet e varfërisë nga Banka Botërore.

Ky studim ka zbuluar se rreth 1.81 miliardë njerëz, përkatësisht, 23 për qind e njerëzve në planet, janë të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj përmbytjeve prej mbi 15 centimetrash (gjashtë inç) në përmbytjet e ndodhura 1 në 100 vjet.

Përmbytjet në Indonezi

“Kjo do të përbënte rreziqe të konsiderueshme për jetët dhe jetesën, veçanërisht për grupet e cenueshme të popullsisë”, thuhet në studim.

Në përgjithësi, gati 90 për qind e atyre që janë të ekspozuar ndaj përmbytjeve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose të mesme, sipas studimit.

Sipas studimit, numri i njerëzve që jetojnë në varfëri dhe nën rrezik të rëndë nga përmbytjet është “thelbësisht më i lartë sesa mendohej më parë”.

Studiuesit zbuluan se rreth 9.8 trilionë dollarë të aktiviteteve ekonomike globale, rreth 12 për qind e prodhimit të brendshëm bruto global në 2020, ndodhet në zona të ekspozuara ndaj përmbytjeve të rënda.

“Duke llogaritur nivelet e varfërisë së popullatave të ekspozuara, ne tregojmë se vendet me të ardhura të ulëta janë të ekspozuara në mënyrë disproporcionale ndaj rreziqeve të përmbytjeve, ndërsa janë më të prekshme ndaj ndikimeve katastrofike afatgjata”, thuhet në studimin e Jun Rentschler, nga Banka Botërore.

Rreziqet në rritje

Ky studim ka vlerësuar se rreziqet më të mëdha të përmbytjeve janë në Azinë Jugore dhe Lindore, me Kinën dhe Indinë, të cilat përbëjnë mbi një të tretën e totalit global, përkatësisht 1.24 miliardë.

Autorët e studimit kanë thënë se studimet e mëparshme shpesh ishin të kufizuara nga gjeografia ose lloji i rrezikut të përmbytjeve, dhe kishin nënvlerësuar sesa njerëz në të gjithë botën janë të ekspozuar.

“Ndryshimet klimatike dhe modelet e rrezikshme të urbanizimit pritet të përkeqësojnë më tej këto rreziqe në vitet e ardhshme”, shtuan ata.

Sipas “World Weather Attribution”, një rrjet shkencëtarësh që gjurmojnë ndikimet e ndryshimeve klimatike, ngrohja globale i ka bërë reshjet ekstreme më të zakonshme dhe më intensive në pjesën më të madhe të botës.

Përmbytjet në Bangladesh

Kjo ka ngjarë t’i ketë bërë përmbytjet më të rënda në këto zona, megjithëse shkencëtarët theksojnë se faktorë të tjerë njerëzorë gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm, siç janë vendimet, se ku ndërtohen shtëpitë dhe infrastruktura.

Pas përmbytjeve të fshtrave në Bangladesh, Kryqi i Kuq ka bërë të ditur se shtatë milionë njerëz janë ende në nevojë “të dëshpëruar” për strehim dhe ndihmë.

Përmbytjet në disa pjesë të Bangladeshit kanë lënë të vdekur 21 persona, kanë prekur mbi 2.6 milionë njerëz dhe kanë zhvendosur qindra mijëra familje.

Sipas raportit ditor të situatës së fatkeqësive nga Qendra Kombëtare e Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive të vendit (NDRCC) në varësi të Ministrisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Ndihmës, 2617398 njerëz u prekën nga përmbytjet në 18 nga gjithsej, 64 rrethe të vendit.

Të hënën, raporti i publikuar në faqen e internetit të ministrisë ka thënë se 21 njerëz kanë vdekur nga përmbytjet në vend, ndërsa deri tani, 580,655 familje janë prekur nga vërshimet.

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT