Burgu i Prishtinës shndërrohet në muze, Kurti: Objekti do të dokumentojë historinë tonë të vështirë, në përkujdesje që të mos përsëritet më kurrë

Në Prishtinë më 12 korrik është hapur muzeu “Burgu i Idealit”, që është ish-qendra e paraburgimit gjatë kohës së regjimit serb, ku mijëra ish të burgosur shqiptarë kanë përjetuar trajtime çnjerëzore.

Në hapësirat e këtij burgu janë vendosur fotografi, video, e artefakte të tjera të ish të burgosurve, për të treguar përjetimet e tyre gjatë qëndrimit në këtë burg.

Për hapjen e këtij muzeu ka shkruar edhe kryeministri Albin Kurti.

“Një mur me thënie, vargje e ilustrime nga ish të burgosurit. Poshtë korridorit, në fund të katit të parë, brenda rrojtores së dikurshme, është një ekran. Janë më shumë se 9 mijë emra dhe mbiemra të të burgosurve shqiptarë në të gjitha burgjet politike në Kosovë dhe Serbi,” ka shkruar Kurti.

Ai ka përkujtuar se brenda këtyre mureve rrojnë histori të shumta të dhunës së regjimit serb mbi patriotët shqiptar.

“Brenda 17 qelive të ish-Burgut të Prishtinës rrojnë histori të shumta të dhunës së regjimit serb mbi patriotët shqiptar, që nga ndërtimi i tij në vitet e 50-ta, e deri në vitin 1999. Kujtime e dëshmi të përndjekjes, maltretimit dhe shtypjes së idesë e idealit për liri”.

Ekspozita e cila u hap sot gjatë ditës së martë të 12 korrikut, sipas kryeministrit tregon realitetin e shumë të burgosurve dhe burgjeve.

Kurti thotë se ndërtesa e cila është shndërruar në Muze do të restaurohet tërësisht.

“Kjo ndërtesë, që e kemi shndërruar në Muze të Burgut të Prishtinës, do të restaurohet e konservohet tërësisht, për ekspozitën e përhershme, e në funksion të Muzeut të plotë të Burgut të Prishtinës”.

“Nga sot, kjo ndërtesë është aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Si kujtesë e idealit dhe qëndresës, e si përkujtim për torturat e terrorin e përjetuar nga shumë të burgosur. Ky burg që sot hapi dyert, do të ruajë e dokumentojë historinë tonë të vështirë, në përkujdesje që të mos përsëritet më kurrë”, deklaroi tutje Kurti./Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT