Krasniqi: Kosovën e pret dimër i rëndë, Kurti kalon ditët në ekskursione e takime shterpe

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë për mosveprim në raport me krizën e ngritjes së çmimeve në Kosovë.

I pari i PDK-së përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kosova po përballet me një inflacion që nuk e ka pasur që nga lufta.

Krasniqi thotë se me të njëjtat para dhe të hyra qytetarët nuk po mund të përballojnë ngritjen e çmimeve

“Për dallim nga shtetet tjera, të cilat kanë një ekonomi më të fuqishme dhe përmes masave qeverisëse po lehtësojnë jetën e qytetarëve të tyre, qytetarët e Kosovës kanë mbetur nën mëshirën e fatit”.

Ai thotë se në kulmin e ngritjes së çmimeve të gjitha produkteve bazike ushqimore – Kryeministri dhe Qeveria që ai udhëheqë, nuk po tregojnë as vizion, as vullnet e as guxim për të marrë masa konkrete për të zbutur këtë gjendje.

“Fatkeqësisht, më e keqja akoma pritet që të vije për ekonominë dhe qytetarët tanë. Analizat ekonomike paralajmërojnë se dimri që po vjen pritet të jetë jashtëzakonisht i rëndë”.

“Rritja deri në trefish e çmimit të energjisë, shtrenjtimi i lëndëve djegëse për ngrohje, do të jenë sfidë shumë e rëndë për secilën familje. Çmimet e derivateve dhe të ushqimeve nuk pritet aspak të zbresin. Pandemia po e rikthen intensitetin e saj, e, sipas gjendjes faktike, mundësia për rritjen e pagave është tepër e vogël”.

I pari i PDK-së thotë se Qeveria tashmë është e vonuar për të menaxhuar situatën në të cilën ndodhemi.

“Këto paralajmërime, do të duhej të mjaftonin që Qeveria të ndërmerrte masa emergjente qysh sot. Por, jo. Për Kryeministrin, i cili në 100 ditët e fundit gjysmën e tyre e ka kaluar jashtë vendit nëpër ekskursione personale – pa asnjë rezultat për Kosovën, më me rëndësi po dalin të jenë tryezat e debateve dhe takimet shterpe”.

Ai thotë se Parti Demokratike e Kosovës, ka propozuar prej kohësh heqjen e akcizës për naftën dhe të TVSH-së për produktet ushqimore.

“Kjo tashmë nuk është vetëm një propozim, por, një kërkesë urgjente që po i bëjmë kësaj Qeverie për të reaguar. Dita është sot. Koha është menjëherë. Tashmë jeni vonë”, ka përfunduar Krasniqi./Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT