“Nuk futen me një thes Vettingu dhe Byroja Shtetërore”, “Vazhdoni pa ne, rruga e mbarë ju qoftë” – replika mes Kurtit e Abdixhikut në Kuvend

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme para hedhjes në votim ka nxitur sërish debat në Kuvendin e Kosovës.

LDK ka propozuar që ky Projektligj të mos votohet pa pasur gjithpërfshirje. Lidhur me këtë është deklaruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se Byroja Shtetërore dhe Vettingu nuk bënë që të përfshihen në një thes.

Ai ndërkaq ka falënderuar PDK-në dhe AAK-në për takimet konsultative që kanë pasur për procesin e Vettingut.

“Unë e falënderoj PDK-në dhe AAK-në për takimet që kemi pasur për Vettingun, LDK ka thënë që takohemi në Kuvend e s’kemi nevojë të takohemi si subjekte politike. Unë mendoj që është e nevojshme të takohemi si subjekte politike dhe jam i gatshëm që këto konsutlime të vazhdojnë me të gjitha pajtimet politike, për shkak se bëhet fjalë për një proces me shumë vendime që tejkalon mandatin tonë”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi.

Kryeministri ka shtuar se Vettingu dhe Byroja janë dy gjëra të ndryshme.

“Byroja Shtetërore dhe Vettingu nuk janë e njëjta gjë, nuk është mirë të fusim gjithçka në një thes kur nuk e kanë vendin e tyre. Vettingu dhe Byroja janë dy gjëra të ndryshme, njëra ka të bëjë me gjithë zyrtarët shtetëror e tjetra vetëm me sistemin e drejtësisë, nuk është mirë e i përzi”, tha Kurti.

Pas kësaj ka reaguar deputeti i LDK-së njëherit kryetar i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku.

Derisa ka folur për takimin e Kurtit me partitë opozitare për Vettingun, Abdixhiku tha se nuk e kanë pasur problem lokacionin.

“Kemi marrë një ftesë konsultative nga Kryeministri për Vetting, problem se kemi pasur lokacionin por institucionin. Tani i kemi dy pako, Vettingu dhe Byroja që mendoj që janë të lidhura pasi që bëhet fjalë për reformë në drejtësi. Por nuk mund ti ndash, por edhe mundesh e pastaj do të vazhdosh i vetëm. Keni kërkuar gjithëpërfshirje, edhe ne po kërkojmë gjithpërfshirje”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ju drejtua edhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

“Ju kryetar i Kuvendit keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias, dhe këtë e kemi vlerësuar. Është bërë mirë që e keni dërguar. Ju takon që këtë ligj ta trajtoni bashkërisht me partitë tjera politike, nëse kryeministri vendos me hedh në votim vazhdoni pa ne, pa konsultime. Ne do të ndjekim rrugën tonë institucionale. Nëse vendosni me shku pa konsultim vazhdoni rruga e mbarë ju qoftë”, tha Abdixhiku.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës plenare ka miratuar në parim Projektligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 58 vota për dhe 3 abstenime.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim, pasi që patën kundërshtime të ashpra rreth këtij Projektligji. /Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT