Kica – Xhelili: Distancohem nga Pacolli, nëse ka menduar për disiplinim të mediave

Deputetja e pozitës, Doarsa Kica Xhelili, e cila është pjesë e Listës “Guxo”, ka thënë se gjuha e përdorur nga kolegia e saj, Fitore Pacolli, e cila i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës t’i kontrollonte mediat, nuk ka qenë e duhur.

Kica – Xhelili ka thënë se nëse deputetja Pacolli ka menduar që t’i disiplinojë mediat,  distancohet nga ajo.

“Në kuptim të interpretimin që deputetja ka mendu disiplinimin e mediave, unë distancohem automatikisht, nëse interpretohet ashtu”, ka deklaruar ajo në emisionin Debat Plus.

Tutje, ajo ka bërë të ditur, se deputetja Pacolli i kishte thënë asaj, se vetëm e ka cituar rezolutën e Parlamentit Evropian, e cila sipas saj flet për transparencën e pronësisë mediale.

Por sipas saj, nuk është justifikim të thuash diçka dhe të dalësh më pas të thuash se “kam menduar diçka tjetër”.

“Në rastin konkret, rezoluta thotë që shtetet duhet të kenë vëmendje më shumë për pronësinë mediale për shkak të investimeve, për burimet e dyshimta. Ajo që deputetja ka dashur të thotë është ricitimi i kësaj rezolute, unë pajtohem që nuk e ka bërë në mënyrën e duhur”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Kica – Xhelili, ka thënë se nuk është në rregull që deputetja Pacolli të “dehumanizohet” dhe të mos lejohet ta arsyetojë atë që ka thënë.

Ajo ka bërë të ditur, se deputetja Pacolli, i ka “sqaruar”, se qëllimi i saj ka qenë të flasë për pronësinë mediale, dhe jo për kontrollim të mediave.

“Në sqarimin që ma dha mua, ka të bëjë për një rivlerësim për transparencën e pronësisë mediale, kur flasim për pronësinë mediale, nuk flasim vetëm për pronësi televizive, por edhe të shkruara, shpesh nuk e dimë se kush qëndron prapa tyre”, ka deklaruar ajo.

Ndërkaq, analisti Imer Mushkolaj, e ka cilësuar si shqetësues faktin që deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk i dinë konceptet bazike për mediat.

Po ashtu, Mushkolaj, ka thënën se gjuha e përdorur nga Pacolli, nuk dallon nga gjuha e përdorur në të kaluarën nga pushtetet tjera, siç është ai i PDK-së. Ai e ka rikujtuar momentin kur deputeti Nait Hasani, kishte kërkuar që mediat të disiplinoheshin./RTV Dukagjini/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT