“E keqja nuk mund të fitojë” – i jepet lamtumira e fundit katërvjeçares që u vra nga raketat ruse në Vinnytsia

Më shumë se 100 njerëz janë mbledhur për të nderuar katërvjeçaren, Liza Dmitrieva e cila u vra në një sulm me raketa në qytetin ukrainas të Vinnytsias të enjten.

Liza, e cila kishte sindromën Down, ishte rrugës duke shkuar te një terapist të të folurit së bashku me nënën e saj kur raketat ruse goditën Vinnytsia-n, larg vijës së frontit, transmeton Telegrafi.

Të paktën 24 njerëz u vranë, duke përfshirë Lizën dhe dy djem, njëri shtatëvjeçar dhe tjetri tetëvjeçar, dhe më shumë se 200 persona u plagosën, duke përfshirë nënën e Lizës.

“Nuk ka asnjë ndëshkim për njerëzit që e bëjnë këtë”, tha Ilona, një mike e familjes së Lizës për Associated Press. “Më falni, nuk kam më komente. Këtu janë pasojat e gjithë kësaj”.

“Unë nuk e njihja Lizën, por asnjë person nuk mund ta kalojë këtë me qetësi”, tha prifti ortodoks Vitalii Holoskevych në funeral, duke shpërthyer në lot. “Sepse çdo varrim është pikëllim për secilin prej nesh. Po humbasim vëllezërit dhe motrat tona”.

Ai ndaloi dhe vazhdoi me një zë që dridhej: “Ne e dimë se e keqja nuk mund të fitojë”.

Nëna e Lizës, 33-vjeçarja Iryna Dmytrieva, mbeti në njësinë e kujdesit intensiv në gjendje të rëndë. Familja nuk i tregoi asaj se Liza po varrosej të dielën, nga frika se kjo mund të ndikonte në gjendjen e saj. /Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT