“Shumë nxehtë për të punuar” – çfarë thonë ligjet në disa vende të BE-së për punën në temperatura ekstreme?

Derisa Britania po përgatitet për temperaturat më të larta të regjistruara ndonjëherë, entuziazmi për nxehtësinë e pazakontë të verës po i jep rrugë shqetësimeve mbi ndikimin që mund të ketë në një vend pothuajse plotësisht të papërgatitur për mot të tillë të nxehtë.

Përball paralajmërimit të parë të kuq të nxehtësisë ekstreme të vendit, një sindikatë britanike e punëtorëve, GMB, ka bërë thirrje që të miratohet një ligj “shumë nxehtë për të punuar”, sa më shpejt të jetë e mundur për të mbrojtur punëtorët nga detyrimi për të punuar në temperatura përvëluese, të rrezikshme dhe jo të shëndetshme, raporton EuroNews, përcjell Telegrafi.

Apeli i tyre ka ngritur pyetjen: kur është shumë nxehtë për të punuar dhe pse nuk ka më shumë rregulla për këtë?

Në Mbretërinë e Bashkuar, nuk ka asnjë rregullore që përcakton se sa i nxehtë duhet të jetë një vend pune përpara se punëtori të kërkojë me të drejtë të shkojë në shtëpi.

Udhëzimet e shëndetit dhe sigurisë kërkojnë që vendi i punës të jetë “i rehatshëm”, por është i përcaktuar vetëm i ftohti, duke deklaruar se temperaturat nuk duhet të bien nën 16 gradë Celsius në një mjedis zyre, ose 13 gradë nëse puna është fizike.

Këtu nuk përmendet një kufi për temperatura të larta, që ndoshta nuk konsiderohej i nevojshëm disa dekada më parë, por tani është një çështje e nevojshme.

Çuditërisht, vendet që janë më të mësuara me temperaturat e larta nuk janë shumë më të përgatitura.

Në nivel të Bashkimit Evropian, nuk ka asnjë rregull të përbashkët që përcakton temperaturën maksimale të lejuar në vendin e punës. Por disa vende e kanë zbatuar të tyren.

Franca

Në Francë, “Code du Travail” – që dikton ligjet e punës së vendit – nuk përcakton temperaturën maksimale të vendit të punës, por kërkon që punëdhënësit të sigurohen që punëtorët e tyre të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në kushte të sigurta – që mund të përfshijë me siguri mbrojtjen e tyre nga rreziqet që vijnë nga i nxehti ekstrem.

Sipas një neni të kodit, punëdhënësi në sektorin e ndërtimit duhet t’ju ofrojnë punëtorëve të tyre të paktën 3 litra ujë në ditë – gjë që mund të konsiderohet si një lehtësim kryesor gjatë ditëve të nxehta.

Një dispozitë tjetër i lejon punëtorët të ndërpresin punën e tyre kur kanë frikë nga një rrezik i menjëhershëm për jetën e tyre – por nëse kjo do të përfshijë një valë të nxehti është subjekt interpretimi dhe nuk përcaktohet në mënyrë eksplicite nga ligji.

Italia

Ligji i punës në Itali nuk përcakton temperaturën maksimale të lejuar në vendin e punës, por, ngjashëm me Francën, kërkon që punëdhënësit të sigurohen që punëtorët e tyre të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt.

Sipas një vendimi të vitit 2015 të gjykatës më të lartë të apelit të vendit, punëtorët kanë të drejtë të ndërpresin aktivitetin e tyre – pa humbur të ardhurat ose pa u pushuar nga puna – nëse punëdhënësi i tyre nuk garanton kushte të sigurta pune ose i bën ata të punojnë në temperatura “ndaluese”.

Në vendimin e vitit 2015, gjykata vendosi në një çështje që përfshinte temperatura jashtëzakonisht të ftohta – por nuk ka asnjë arsye pse i njëjti udhëzim të mos zbatohet për temperaturat jashtëzakonisht të nxehta.

Gjermania

Derisa temperaturat rriten në Gjermani, si në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, edhe gjermanët kanë filluar të pyesin se cilat janë të drejtat e tyre për sa i përket temperaturës në vendin e punës – ashtu sikurse studentët që lejohen të ndalojnë mësimin për shkak të motit të nxehtë në verë.

Gjermania përcakton se temperatura maksimale që duhet arritur në vendin e punës është 26 gradë Celsius në rrethana normale, por ky nuk është një kufi i parashikuar në ligj.

Nëse temperaturat tejkalojnë numrin prej 26 gradë Celsius, punëdhënësit duhet të sigurojnë që punëtorët të vazhdojnë me aktivitetin e tyre në mënyrë të sigurtë, duke përfshirë sigurimin e ujit të pijshëm kur termometri arrin 30 gradë Celsius dhe lejimin e pushimeve.

Kur një vend pune arrin temperaturat mbi 35 gradë Celsius, ai konsiderohet “i papërshtatshëm” për punë nëse nuk merren masa të mëtejshme. Kjo nuk do të thotë që punëtorët lejohen të shkojnë në shtëpi: përkundrazi, punëdhënësit duhet të sigurohen që të ftohin ambientin e punës.

Spanja

Më shumë se vendet e tjera të përmendura, Spanja e rregullon mjaft qartë temperaturën maksimale në vendin e punës.

Instituti Kombëtar për Higjienën dhe Sigurinë në Punë thotë se për punën në zyrë kërkohet një temperaturë ndërmjet 17 dhe 27 gradë Celsius, ndërsa puna që kërkon përpjekje të lehta fizike duhet të kryhet në një temperaturë midis 14 dhe 25 gradë Celsius.

Nëse një punëdhënës nuk i respekton këto kërkesa, punëtorët mund t’i raportojnë ato në një organ qeveritar, Inspektimi i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore ose një sindikate punëtorësh për t’u siguruar që ata janë në përputhje me ligjin.

Pra, sa të mbrojtur janë punëtorët nga nxehtësia?

Fatkeqësisht për punëtorët, kjo lloj mbrojtjeje ligjore kundër nxehtësisë në vendin e punës nuk duket se është rritur aq shpejt sa temperaturat në këtë planet të ngrohtë.

Kuptohet, në të katër këto vende, udhëzimet kombëtare kërkojnë nga punëdhënësit një detyrë të kujdesit ndaj stafit të tyre, dhe disa madje lejojnë që punëtorët të ndërpresin aktivitetin e tyre në rast të temperaturave të larta të rrezikshme. Megjithatë, është e paqartë se sa shpesh punëtorët mund të rebelohen me sukses kundër punës në kushte jashtëzakonisht të nxehta.

Por sindikatat e punëtorëve po përpiqen t’i bëjnë qeveritë të njohin një temperaturë maksimale mbi të cilën puna nuk duhet të lejohet – siç po shohim në Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali – dhe ne mund të presim që tema të bëhet gjithnjë e më e diskutueshme ndërsa planeti ngrohet dhe valët e të nxehtit bëhen më të shpeshta. /Telegrafi/

Përktheu dhe përshtati Arigona Bytyçi 

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Pas Taika Waititi, as Rita Ora s’e fsheh më unazën, burimet konfirmojnë martesën – Abc News

schedule22:45 - 8 Gusht, 2022 Dyshimet se është martuar me Taika Waititi, i ka shtuar më shumë vetë Rita Ora. Ylli shqiptar me...

VIDEO/ Humbja i la me pasoja, Berardi tërbohet dhe kërkon të zihet me një tifoz

schedule22:45 - 8 Gusht, 2022 Një episod aspak i bukur për sulmuesin e Sassuolos, Domenico Berardi, në fund të ndeshjes kundër Modenas në...