Mehmeti dhe Johnson flasin për pajisjen e policëve në Kosovë me kamera të trupit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, priti sot në takim Zëvendës Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Lisa Johnson, nga Byroja Ndërkombëtare për Luftën kundër Narkotikëve dhe Zbatim.

Në njoftim për media të policisë thuhet se në këtë takim është diskutuar përpjekjet e vazhdueshme të partneritetit ndërmjet dy kombeve.

“Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit Johnson dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës diskutuan për progresin e sundimit të ligjit në Kosovë, sfidat e vazhdueshme dhe sukseset e fundit në luftën e prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve në rajon, korrupsionin dhe trendet tjera të krimit me të cilat ballafaqohet Kosova”, thuhet në komunikatën për media.

Udhëheqësit gjithashtu thuhet se diskutuan për pilot- programin e ardhshëm, i cili do t’i pajisë policët e përzgjedhur të Kosovës me sisteme të kamerave për trup, me plan që viteve të ardhshme Policia e Kosovës plotësisht të pajiset me këso kamera.

“Ky takim ishte jashtëzakonisht pozitiv, takim ky i cili edhe një herë ilustron lidhjet dhe partneritetin e fortë në mes komuniteteve për zbatimit të ligjit në Kosovë dhe SHBA. Së bashku, ne përsëri do i tregojmë botës fushat e ndryshme në profesionin e policisë në të cilat Policia e Kosovës vazhdon të zhvillohet dhe forcojë aftësitë e saj për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer të gjithë popullit të Kosovës”.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë pa u lodhur për ta forcuar bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tashmë fantastike ndërkombëtare me partnerët tanë globalë, veçanërisht me INL-in dhe ICITAP-in të cilëve ju jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme”, tha drejtori i përgjithshëm Mehmeti në mbyllje të ngjarjes.

Vizita u përmbyll me ceremoninë e nënshkrimit për dhurimin e sistemit të ri për komunikim të sigurt që do të përdoret nga hetuesit në terren. /Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT