Murati i quan të pavërteta pretendimet e Tahirit se po bllokohen investimet kapitale në komuna

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka quajtur të pavërteta pretendimet e shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, se Qeveria Kurti po bllokon projektet komunale edhe investimet kapitale.

Në fjalën e tij, Tahiri tha se raportet e Qeverisë me komunat nuk kanë qenë asnjëherë më të dobësuara.

“Një shqetësim që vjen nga pushteti lokal, nga komunat e Kosovës, pasi investimet kapitale dhe raportet në mes qeverisë dhe komunave nuk kanë qenë asnjëherë më të dobësuara në raport me projektet kapitale”.

“E para, Qeveria duhet urgjentisht që në procesin e rishikimit buxhetor të adresojë kërkesat reale të komunave të Kosovës. Investimet kapitale në komuna janë të bllokuara. Procesi i buxhetimit për 2023 duhet të jetë shumë më transparent dhe nuk duhet të ketë qasje politike”, deklaroi ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri

Por, këto akuza i mohoi ministri Murati, i cili tha se e bën të kundërtën, duke i trajtuar barabartë komunat dhe se pret që realizimi i projekteve të përshpejtohet.

“Nuk ka bllokadë nga niveli qendror, përkundrazi ne kërkojmë nga ta që t’i kryejnë sa më shumë që të jetë i mundur. Nëse bëhet fjalë për çështje të tjera, për lista dëshirash që mund t’i kenë kryetarët e komunave dhe kërkojnë që pushteti qendror t’ua financojë dhe nëse kjo praktikë ka ekzistuar në të kaluarën, ne kemi thënë që kjo praktikë me këtë qeveri nuk mund të ekzistojë. Pra, të gjitha komunat do të trajtohen sipas peshës që e kanë, barabartë”, u shpreh ai.

Murati tha se ka përfunduar praktika kur ka pasur mbështetje shtesë nga niveli qendror për komunat ku në udhëheqje kanë qenë kryetarë nga partia në pushtet.

“Te ne s’ndodh, trajtohen barabartë”. /Telegrafi/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT