Sekuestrimi i pasurive të Gjinajt, Bardhi-SPAK-ut: Çfarë po ndodh me hetimet për abuzimet me tenderin e rindërtimit të “5 Majit”

schedule14:56 – 28 Korrik, 2022

Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e pasurisë së Anton Gjinajt pasi dyshohet se  janë vënë si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri dhe Spanjë. Mes pasurive të sekuestruara është edhe “ALESIO – 2014” shpk, firma fituese e tenderit për rindërtimin e lagjes “5 maji.”

Pas këtij zhvillimi, deputeti Gazment Bardhi kujton se më 27 janar të këtij viti ka kallëzuar në SPAK kryebashkiakun Erion Veliaj për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë të pjesëmarrjes në tendera.

Bardhi sjell në vëmendje se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion nuk ka asnjë njoftim mbi fazën në të cilat ndodhen hetimet për “abuzimin me ligjin nga Erjon Veliaj dhe Bashkia Tiranë.” Deputeti demokrat bën thirrje që SPAK të ngrihet në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë dhe t’i japë fund pandëshkueshmërisë.

GAZMENT BARDHI NË FACEBOOK

“Në emër të Partisë Demokratike më 27 Janar 2022 kam kallëzuar në SPAK Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erjon Veliaj dhe zyrtarë të tjerë të Bashkisë Tiranë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Në shkelje të ligjit Bashkia Tiranë kishte kualifikuar dhe shpallur fitues në tenderat e rindërtimit në lagjen “5 Maj” në Tiranë, me vlerë më shumë se 10 milion euro, kompaninë “ALESIO – 2014” shpk. në pronësi të një personi me rekorde të rënda kriminale.

SPAK ka njoftuar sekuestrimin e kompanisë që ka fituar tenderat e rindertimit në lagjen “5 Maj” dhe pasurisë së këtij shtetasi. Ndërkohë nuk ka asnjë njoftim mbi fazën në të cilën ndodhen hetimet për abuzimin me ligjin nga Erjon Veliaj dhe Bashkia Tiranë. Hetimet gjysmake nuk janë drejtësi, por pandëshkueshmëri.

SPAK duhet të ngrihet në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë. Zyrtarët publik që kanë abuzuar me ligjin duke fuqizuar me fonde publike persona me rekorde kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi penale. Koha është tani, na provoni që të gjithë janë të barabartë para ligjit. Na provoni që askush nuk është mbi ligjin dhe nuk gëzon imunitet për shkak të statusit të tij.” /abcnews.al/


Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT