“Anima” – kolana më e re e librave letrarë nga shtëpia botuese “Dukagjini”

Shtëpia botuese “Dukagjini” vazhdon me botimin e kolanës më të re të librave letrarë, të quajtur “Anima”. Pas dy kolanave të mëhershme, me libra eseistikë, filozofikë, historikë dhe atyre nga letërsia shqipe etj., kjo shtëpi botuese po vijon me këtë kolanë të re që është një ekskurs nëpër autorët dhe veprat më të njohura të letërsisë botërore.

Me një koncept editorial të mirëmenduar, me përzgjedhjen e autorëve dhe përkthyesve, po ashtu me kujdesin e veçantë të redaksisë së “Dukagjinit”, përmes kësaj kolane synohet qendërzimi i vëmendjes së lexuesit në letërsinë e mirëfilltë botërore.

1- Kolana nis me librin “Sonata e Krojcerit” të Lev Tolstoit. Ky libër, i autorit klasik rus, trajton një ndër çështjet më fundamentale shoqërore, atë të martesës, problemeve që e shoqërojnë atë dhe luhatjen e individit mes dashurisë, xhelozisë, urrejtjes. Novela shoqërohet me një parathënie, që shpjegon ambientin kontekstual në të cilën u ngjiz ajo, ndërsa pasthënia, e shkruar nga vetë Tolstoi, përveç rrethanave të krijimit të novelës, shpërfaq idetë, mjaft aktuale, të autorit rreth problemeve shoqërore që prekin dhe ndikojnë institucionin e martesës.

2- Libri i dytë i kolanës është romani “Zhdukja e mistershme e markezes së re De Loria”, i shkrimtarit José Donoso. Donoso, pjesë e bumit latino-amerikan, thuajse i panjohur për publikun shqiptar, i prezantohet këtij të fundit, me një libër që, përveçse trajton dëshirat më intime të qenies njerëzore, lartëson erotiken në nivelin artistik. Ky libër është ftesë jo vetëm për një shkrimtar tepër të rëndësishëm, por të panjohur për lexuesin shqiptar, por edhe për thellimin e tij në kulturën latino-amerikane.

3- “Ledi Makbeth nga guberna e Mcenskut” i Nikolai Leskovit, trajton “dashurinë fatale” dhe fundin tragjik të heroinës së kësaj novele. Nisur prej titullit, trajtimi i personazheve dhe fundi tragjik, novela krijon lidhje intertekstuale me veprën e Shekspirit. Leskov, i konsideruar si një ndër autorët më të vështirë për t’u përkthyer, për shkak të një gjuhe idiomatike, i vjen lexuesit shqiptar, për herë të parë.

4- “Mjegull” nga Miguel de Unamuno, është një ndër librat më të mirë të këtij autori që solli ndryshime të mëdha në letërsinë botërore, qoftë për nga trajtimi tematik, qoftë për nga risitë narratologjike. Personazhi i Unamunos gjendet gjithnjë në zgrip, duke u luhatur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes reales dhe irreales, të vërtetës dhe të pavërtetës etj., dhe përmes këtij rrëfimi, autori trajton problemin më të madh të qenies njerëzore, dyshimin në ekzistencën e vet. Mendoj, prandaj jam apo jam, prandaj mendoj, fraza dekartiane bëhet lajtmotiv i këtij romani, që përveç lojës narratologjike dhe diskursit filozofik, shoqërohet fund e krye me një sentimentalizëm që rrjedh nga naiviteti i personazhit kryesor, Augusto Perezit.

5- “Shtrëngimi i vidhës” i Henry James-it, i kategorizuar si roman gotik dhe i përshkuar fund e krye nga elementi i suspansës, për shkak të leksikut dhe sintaksës është konsideruar si një ndër veprat më të vështira për t’u përkthyer. “Shtrëngimi i vidhës” e tejkalon cilësimin “horror”, për t’u shndërruar në një alegori.

6- “Shënimet e një të vdekuri“ i Mihaill Bullgakov është një roman i pakohë që mund të përshtatet në çdo kontekst historik, në të cilin, ajo çka është më jetike për artistin, liria, shtypet.

7- “Maitreji” është libri i shtatë i kolanës “ANIMA”, i shkruar nga Mircea Eliade, një ndër personalitetet më të mëdha, të njohura botërisht, të shekullit XX. Eliade, studiues, teoricien, filozof dhe shkrimtar, në këtë roman, më shumë sesa për erudicionin që e karakterizon personalitetin e tij, preokupohet për emocionin dhe na sjell një histori sa të bukur, po aq edhe të dhimbshme dashurie, që ballafaqon dy kultura krejtësisht të ndryshme.

8- “Varfanjaku i Zotit”, i shkruar nga Nikos Kazanxaqisi, është libri i tetë në radhë i kolanës ANIMA. Kazanxaqisi, i njohur dhe i vlerësuar në gjithë botën, i çmuar dhe i adhuruar nga shumë shkrimtarë të tjerë, me letërsinë e tij, i riktheu Greqisë shkëlqimin e letërsisë antike.

“Varfanjaku i Zotit” është historia e Françeskut të Asizit, shenjtorit të pashoq, që ndryshoi rrrugën e të menduarit dhe të afruarit me zotin. Një rrëfim prekës, i thellë, i jashtëzakonshëm që, përmes shembullit të jetës së Françeskut, na fton të kthehemi kah shpirtërorja dhe kah humania. Një libër mbi përkohshmërinë e mishit dhe përjetësinë e shpirtit, por mbi të gjitha për përjetësinë e letërsisë.

“Anima” është një ftesë, jo për një tip lexuesi në veçanti, por për lexuesin në përgjithësi, për atë që tërhiqet nga e bukura, duke na kujtuar se është gjithnjë koha e duhur për t’u kthyer kah arti dhe ka vlerat e vërteta letrare.

Librat mund ti gjeni në librarinë “Dukagjini”.
https://dukagjinibooks.com/

Stay Connected

0FansLike
0FollowersFollow

TË FUNDIT

Diplomacia diskrete është çelësi për zgjidhjen e krizës në Zaporizhzhia – Abc News

schedule19:52 - 19 Gusht, 2022 Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres thotë se situata në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi...

Vendoret, Gështenja: Të dënuar të dalim me 1 kandidat, jemi gati të bashkohemi në shtator

schedule16:11 - 19 Gusht, 2022 Nga Juxhin Mustafaraj  Deputeti demokrat Lefter Gështenja nuk i është bashkuar grupit të Berishës në Partinë Demokratike por është...

“I përkëdhelur dhe i padurushëm”, situatë e ndërlikuar në dhomën e zhveshjes së Parisit për Mbappe

schedule16:14 - 19 Gusht, 2022 Sjellja e Mbaappe nuk është më e mira e mundshme dhe ka shkaktuar komente të shumë njerëzve. Superylli francez...