Mërgata shqiptare në SHBA dhe çështje e pazgjidhur shqiptare

(Emin Kabashi, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, monografi, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 2020)

Elez Osmani, prof.

Hyrje

Monografia Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, trajton një temë shumë të gjerë. Vetë përkufizimi, çështja shqiptare, është temë e përmasave kombëtare, me raporte të ndërsjella në planin ndërkombëtar. Po, ashtu, mund të thuhet, se monografia përkundër faktit se nismën e ka për disa veprimtarë të çështjes kombëtare, siç janë në rastin tonë, vëllezërit Osmani në SHBA, lidhte me tërësinë e zgjidhjes së çështjes shqiptare të pa zgjidhur edhe sot e tërë ditën. Do të thotë, studiuesi, prof. dr. Emin Kabashi, ka arritur që duke zbatuar një metodologji të caktuar shkencore, të njëjtësojë të veçantën me të përgjithshmen, pra ta trajtojë veprimtarinë e vëllezërve Osmani në tërësinë trajtimit të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në shërbim të çështjes shqiptare në SHBA.

Në monografinë Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, marrë në gjithë strukturën e veprës, është trajtuar veprimtaria atdhetare e Ligës Shqiptaro-amerikane, jo vetëm e këtyre viteve, kur janë angazhuar edhe vëllezërit Osmani, por që në historikun e saj, pra që në kohën kur atdhetarët shqiptarët, kanë dhënë çdo gjë, mjete financiare, gjak, armë dhe këngë për lirinë e Shqipërisë. Nëse vetëm shkarazi shqyrtohet veprimtaria e mërgatës shqiptare në SHBA lidhur me lirinë e atdheut, nëse vetëm në mënyrë sipërfaqësore shqyrtohet veprimtaria e Ligës shqiptaro-amerikane e viteve nëntëdhjetë e deri në çlirimin e Kosovës, atëherë mund të shihet se kjo mërgatë, tërë veprimtarinë atdhetare të saj e ka mbështetur, jo vetëm në mundësitë e saj, por edhe në punën e madhe që është bërë për të fituar përkrahjen e administratës amerikane, qoftë për lirinë dhe pavarësinë Shqipërisë, që nga viti 1912 e tutje, qoftë për lirinë dhe pavarësinë Kosovës që nga vitet nëntëdhjetë e deri në çlirimin e saj në qershor të vitit 1999, qoftë për demokracinë në Shqipëri dhe luftën për liri kombëtare të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e sotme nga vitet nëntëdhjetë e deri më 2001. Në tërësinë strukturës së monografisë së Prof. dr. Emin Kabashi, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, kjo është lakorja që trajton, analizon, shqyrton, diskuton, sjellë përfundime, duke marrë për bazë veprimtarinë atdhetare të vëllezërve Osmani, të shkrirë në tërësinë e veprimtarisë së Ligës shqiptaro-amerikane, të ndërvarur me intensitetin e angazhimit të administratës amerikane për çështjen shqiptare.

Qoftë vetëm ky aspekt i trajtimit të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në SHBA, në shërbim të të gjitha pjesëve të atdheut, mund të thuhet se kjo monografi, në mënyrë të sintetizuar ka shpaluar, përmes vëllezërve Osmani, gjithë veprimtarinë e mërgatës shqiptare në SHBA, tërësinë e angazhimit të administratës amerikane për çështjen shqiptare, si dhe mundësinë dhe fuqinë e këtyre dy faktorëve për të lëvizur ngjarjet në jetën shqiptare, nga aty ku i kishte lënë politika e dikurshme evropiane para njëqind vjetësh e këndej deri në ditët e sotme.

Argumenti i të dhënave historike dhe mërgata shqiptare në SHBA

Në monografinë e prof. dr. Emin Kabashit, Vëllezërit Osmani dhe çështja shqiptare në SHBA, lexuesi i vëmendshëm dhe i durueshëm, mund të hetojë gjerësinë e argumentimit që ka përdorur autori për të mbështetur të dhënat e ngjarjeve që ka trajtuar në këtë monografi. Argumentet janë marrë nga burime të verifikuara historike, studime shkencore, trajtesa, analiza të ngjarjeve të caktuara që kanë trajtuar çështjen shqiptare, përherë të mbështetura nga administrata më e lartë amerikane, siç janë Senati dhe Kongresi amerikan, e deri të pozita e Presidentit në SHBA.

Janë marrë rrëfime nga dora e parë e veprimtarëve të caktuar, pa u lodhur aspak për përkatësinë tyre ideologjike dje e pardje, as për përkatësinë e tyre partiake dje e sot, siç janë bisedat, intervistat, shënimet, të dhënat e pjesëmarrësve, të thëna me gojë dhe të mbajtura me shkrim, që gjë plotëson aspektin e parë të trajtimit të ngjarjeve në veprimtarinë e mërgatës shqiptare në SHBA.