Ndërtimi i banesave të reja në vend nuk ka të ndalur, por Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut thotë se edhe pse tregu i patundshmërive për momentin është relativisht stabil është i nevojshëm kujdes më i madh. Lufta në Ukrainë dhe pasiguria për ekonominë vendase dhe inflacioni janë faktorë të rrezikut që mund ta godasin edhe këtë sektor. Gjatë vitit të kaluar ka pasur shumë më tepër blerje dhe shitje të banesave në raport me vitin pandemik 2020, krahas rritjes së çmimeve prej 6%. Regjistrimi gjatë vitit të kaluar tregoi se në vend ka rreth 200 mijë banesa më shumë se amvisëri.
Banka Popullore i ndjek situatat dhe rreziqet e reja të krijuara në tregun e patundshmërive dhe nëse imponohet nevoja do të marrë masa për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Sot, Banka Popullore, njoftoi se në vitin 2021, janë blerë dhe janë shitur më tepër banesa krahasuar me vitin e kaluar.
“Transaksionet me patundshëmri në vitin 2021 e kanë tejkaluar nivelin parapandemik. Çmimet e banesave gjatë vitit të kaluar janë rritur për 6,1%, posaçërisht në gjysmën e dytë të vitit. Shkalla e rritjes së çmimit të banesave në ekonominë vendase është pak më e ulët se mesatarja e BE-së që është 8,3%.” – thonë nga Banka Popullore.
Çmimi i një metri katror të banesave, që në disa pjesë të Shkupit ka arritur deri në 2 mijë euro, sipas Bankës Popullore i referohet rritjes së çmimit të materialeve ndërtimore, por edhe ngecjes në industri gjatë periudhës së pandemisë. Që atëherë është në rritje edhe dhënia e lejeve për ndërtim, që sugjeron se edhe në periudhën që vjen do të ofrohen banesa të reja krahas faktit që numri i patundshmërive të pashitura është gjithnjë e më i lartë. Regjistrimi i vitit të kaluar tregoi se ka rreth 200 mijë banesa “tepricë”, që sipas drejtorit të Entit për Statistika, Apostol Simovski, është mbyllje e parave për shkak të sigurisë.
“Më parë blehej tokë, tani njerëzit blejnë banesa. E vëreni se në Shkup ka ndërtesa të reja, objekte të reja, por në qoftë se kaloni në mbrëmje do ta shihni se vetëm një e katërta e tyre janë me drita. Çmimet deri më tani nuk janë ulur, kanë stagnuar ose rriten” – deklaroi Apostol Simovski, drejtor i ESHS (Klan Debat, mars 2022)
Banka Popullore tani sugjeron kujdes, sepse lufta në Ukrainë dhe pasiguria në ekonominë vendase, si dhe inflacioni i lartë, për të cilin askush në Evropë nuk mund të parashikojë kur do të ndalet, paraqesin faktorë serioze të rrezikut që mund ta godasin edhe tregun vendas të patundshmërive, përkatësisht ata që kanë marrë kredi për banesa, të mos kenë mundësi ta kthejnë.