Daut Dauti: Qeveri e zgjeruar? Joreale dhe jofunksionale, ku s’dihet kush pi e kush paguan!

Analisti politik Daut Dauti idenë e liderit të Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov për një qeveri të zgjeruar, as e hedh poshtë, e as e përkrahë. Ajo sipas tij, nuk është as e re dhe as origjinale, ndonëse motivet janë të kuptueshme dhe të arsyeshme, në një kohë jonormale të krizave objektive si pandemia, lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike.

“Një kohezion më i gjerë social i të gjithë faktorëve për t’u përballur me këto sfida duket një ide e mirë për hir të unitetit më të madh, për hir të “shpërndarjes” së përgjegjësive. Në varësi të kulturës politike, një unitet i tillë mund të arrihet edhe pa një koalicion të gjerë ku do të hynin partitë në pushtet dhe opozitë, me një bashkëpunim korrekt mes tyre, edhe pse nga përvoja jonë duket utopike. E kuptoj motivin e Pavle Trajanovit, i cili si pjesë e qeverisë dëshiron të ndajë përgjegjësinë për çështjen më delikate të ndryshimeve kushtetuese, por ende nuk shoh shanse të mundshme për realizimin e saj, sepse kjo situatë është si gjueti në mjegull për opozitën, e cila nuk ka ndërmend të bëhet “bashkëpunëtor” në zgjatjen e jetës së qeverisë, të cilën e konsideron të paligjshme, por ka synime të tjera pragmatike: përmbysjen e saj, edhe pse në këto kushte nuk është një alternativë e mirë as për ta, sepse do të merrte përsipër përgjegjësi që ndoshta nuk do t’i marrë, ndonëse në mënyrë deklarative duket ndryshe” – tha Dauti për portalin lokalno.mk.

“Sugjerimi im është që të mendohet për një koalicion të gjerë, në të cilin do të përfshihen të gjitha partitë parlamentare dhe do të përfshihen të gjitha kapacitetet e mundshme në shtet, për të kapërcyer sfidat me të cilat po përballemi. Me koalicion të gjerë nënkuptoj se hyjnë edhe VMRO-DPMNE dhe partitë tjera opozitare. Kjo duhet të jetë tema dhe tema e dytë duhet të jetë marrëveshja për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, të lidhura me ndryshimet në Kushtetutë” – pati deklaruar Pavle Trajanov në emisionin “360 Gradë” në “Alsat M”.

Dauti rikujton se një qeveri uniteti politik vendi ka pasur vetëm një herë, edhe atë në vitin 2001, duke shtuar se atëherë lufta na imponoi një opsion të tillë dhe se nuk beson se tani, në këto situata krize të karakterit më të gjerë objektiv, do t’i bëjë palët grindavece të ulen bashkë.

– Me një fjalë, synimi i Trajanovit është i mirë dhe i arsyeshëm, por i paarritshëm. Dhe edhe në versionin më optimist, nëse do të bëhej realitet, do të ishte një qeveri në të cilën nuk do të dihej “kush pi e kush paguan”!”, përfundon Daut Dauti.