Shkup, 6 tetor – Në Parlamentin Evropian në Strasburg përfundoi Takimi i 20-të i Komitetit të përbashkët parlamentar – Republika e Maqedonisë së Veriut dhe BEE (Komiteti parlamentar për stabilizim dhe asocim), me miratimin e rekomandimeve të përbashkëta. KPP për herë të parë mbahet pasi që Maqedonia e Veriut i filloi bisedimet për anëtarësim në BE. Përfaqësuesit e institucioneve evropiane, eurodeputetët dhe deputetët maqedonas insistonin në faktin se filloi faza e re në marrëdhënie mes BE-së dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa vendi duhet të mbetet i përkushtuar në reformat dhe nevojitet konsensus për proceset euroatlantike, lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Strasburgu.
Rekomandimet u miratuan pasi që deputetët maqedonas dhe eurodeputetët në sesionin e dytë të Komitetit të përbashkët parlamentar – BE dhe Maqedonia e Veriut shkëmbyen mendime për mjedisin jetësor dhe energjetikën, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal, raport për Dialogun Zhan Mone, për sundimin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për shoqërinë civile dhe mediat.
Në rekomandimet, Komiteti i 20-të i përbashkët parlamentar, i merr parasysh konkluzionet paraprake të Këshillit, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, veçanërisht aprovimin nga Këshilli të Kornizës së bisedimeve për Maqedoninë e Veriut më 18 korrik të vitit 2022 dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare më 19 korrik të vitit 2022, i lëvdon konkluzionet e miratuara nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 16 korrik, me të cilat u çel rruga për fillimin e bisedimeve aderuese, si hap kyç në rrugën aderuese të vendit në BE, e dallon kompleksitetin që shqyrtohet në këtë kompromis, që e njeh dhe respekton identitetin kulturor maqedonas dhe e garanton njohjen e gjuhës maqedonase.
Deputetët e përshëndesin fortë aprovimin qëmoti të vonuar të Kornizës së bisedimeve nga Këshilli më 18 korrik, që e shënoi fillimin e procesit të bisedimeve aderuese nga Këshilli më 18 korrik, që shënon fillimin e procesit të bisedimeve aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare më 19 korrik; duke theksuar se kjo e shënon fillimin e fazës së re në procesin e aderimit për Maqedoninë e Veriut dhe zbatimin e vendimit unanim të miratuar nga Këshilli Evropian në mars të vitit 2020 për hapjen e bisedimeve aderuese.
KPP-ja fillimin e skriningut, që është hapi i parë në procesin e bisedimeve aderuese thekson se skriningu nuk është vetëm ushtrim teknik meqë ka të bëjë me çështje dhe shqetësime që janë të afërta me jetën e përditshme të qytetarëve; e shënon Vendimin e Qeverisë për vendosjen e strukturës së bisedimeve për aderimin e vendit në BE, me të cilën konsolidohet dhe koordinohet mekanizmi për procesin e aderimit në përputhje me metodologjinë e re për zgjerim; në atë drejtim e thekson rëndësinë e forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe inkluzivitetit të procesit; e thekson rolin e Parlamentit në sigurimin e qasjes së gjerë deri te qytetarët në këtë drejtim; inkurajon BE-në që të vazhdojë të përshpejtojë ritmin e procesit të bisedimeve aderuese për Maqedoninë e Veriut, në bazë të kushtëzimeve korrekte dhe rigoroze dhe parimit të bazuar në merita; bën të ditur në rëndësinë e respektimit të këtij parimi në mënyrë që të sigurohet trajtim i barabartë në procesin e aderimit.
KPP-ja e përsërit bindjen e tij të fortë se procesi i integrimit në BE ka fuqi të rëndësishme transformuese dhe duhet t’i përmbushë qëllimet për konsolidim demokratik, integritet institucional, rritje afatgjate dhe kohezion socio-ekonomik, që duhet të jenë në plan të parë gjatë marrjes së vendimeve në të gjitha vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që të pengohet ndikimi i mëtejshëm negativ nga palët e treta që e rrezikojnë konceptin evropian; nënvizon, në këtë aspekt, se fillimi i bisedimeve aderuese dërgon sinjal të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor dhe me gjerë, duke konfirmuar se ai paraqet prioritet gjeopolitik për BE-në; e shprehë bindjen e tij të fuqishme se Evropa nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor;
KPP-ja, më tutje, e përsërit qëndrimin se vendi vazhdon të demonstrojë dosjen më të mirë për tranzicion demokratik në Ballkanin Perëndimor, përkundër sfidave të shumta; përshëndetë reformat e vazhdueshme që sjellin rezultate të kapshme për vlerat themelor, siç janë sundimi i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë agjendën “Evropa në shtëpi” dhe Plani i veprimit për luftë kundër korrupsionit; i përshëndet përpjekjet rrjedhëse të vendit për avancimin e mëtejshëm të procesit demokratik dhe arritjes së rezultateve në fushat kryesore politike;
Janë përshëndetur përpjekjet e bëra për sigurimin e implementimit të kornizës juridike për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe funksionimit të drejtë të institucioneve kompetente për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, në përputhje me standardet evropiane; i vëren përmirësimet rrjedhëse në sigurimin e të drejtave të grave dhe politikave gjinore – përgjegjëse, duke përfshirë edhe përmes zbatimit të Konventës së Stambollit dhe harmonizimit vijuese të kornizës juridike dhe institucionale, si dhe punës së Grupeve të ndryshme parlamentare ndërpartiake; me brengosje e vëren rritjen e dezinformatave, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes kundër LGBTI+ personave dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut në diskursin politik, mediat dhe platformat onlajn në mediat sociale.
Nga ana tjetër KPP-ja pranon se është arritur përparim i caktua në implementimin e strategjisë për reforma në drejtësi, duke përfshirë edhe në raport me adresimin e mëtejshëm të rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe grupit të ekspertëve të lartë për çështje sistemore për sundimin e së drejtës; i përsëritë thirrjet e tij për zbatimin e reformës në aspektin e pavarësisë institucionale, financimit, cilësisë, koordinimit dhe transparencës së gjyqësorit.
Deputetët e dy parlamentare e përshëndetën përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për t’i parandaluar të gjitha format e korrupsionit dhe të sanksionojë sjelljen korruptuese; e konsideron, në këtë aspekt, inkurajues përparimin e arritur në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe atë në nivel të lartë; inkurajon autoritetet të vazhdojnë me implementimin e plotë të rekomandimeve të Grupit të shteteve kundër korrupsionit të Këshillit të Evropës (GREKO); përshëndet përpjekjet për vendosjen në shkolla të arsimit kundër korrupsionit.
Janë përshëndetur edhe marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm ndëretnik të Maqedonisë së Veriut; e lëvdon implementimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes kornizë të Ohrit, që paraqet kornizën e shoqërisë multietnike; e përshëndet vëmendjen e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të bashkësive më të vogla etnike dhe u bën thirrje të gjithë faktorëve që të vazhdojnë forcimin e qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit ndëretnik;
Sipas KPP-së, ka klimë pozitive në Maqedoninë e Veriut për punë të organizatave civile; me ç’rast më tutje janë edhe kontributi i vazhdueshëm dhe i rëndësishëm i organizatave civile në reformat dhe proceset e vendimmarrjes, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, veçanërisht të anëtarëve më të rrezikuar të shoqërisë; inkurajon Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë rrugën e saj të tanishme në mënyrë që të evitojë çfarëdo regresi potencial.
Rreth klimës mediatike në Maqedoninë e Veriut, KPP-ja konsideron se ajo është e hapur për raportim kritik dhe si mbrojtëse ndaj lirisë së shprehjes dhe pikëpamjeve pluraliste, me këtë rast përkujton në domosdoshmërinë që të revidohet korniza juridike mediatike në përputhje me të drejtën e BE-së dhe të formohet servisi publik i radiodifuzionit, duke siguruar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e tij financiare; bën thirrje për luftë të vazhdueshme kundër dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes në mediat; i përshëndet përpjekjet e bëra për forcimin e arsimimit mediatik, duke përfshirë edhe promovimin e gazetarisë së pavarur hulumtuese dhe kontrollit të paanshëm të fakteve.
KPP-ja e thekson rëndësinë më të madhe, veçanërisht në rrethanat e tanishme, për veprime të angazhuara dhe koordinuara në mënyrë që të kontribuohet për sistem më rezistues dhe më efikas energjetik dhe në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm përmes diversifikimit të burimeve të energjisë; thekson se duhet të arrihet përparim i mëtejshëm në fushën e mjedisit jetësor dhe ndryshimeve klimatike, jashtë premtimeve të azhurnuara klimatike dhe aprovimit të Agjendës së gjelbër, me qëllim që të promovohen dhe implementohen politika për përdorimin e burimeve alternative të prodhimit të energjisë; e thekson nevojën për hapa të mëtejshëm për përmirësimin e cilësisë së ajrit, mbrojtje të ujërave dhe biodiversitetit, si dhe menaxhimin e mbeturinave rajonale.
KPP-ja e dallon përkushtimin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në agjendën reformuese të BE-së dhe rolin e partive opozitare në punën parlamentare, duke përfshirë edhe funksionin mbikëqyrës të Kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv; ndonëse e pranon tërësisht diversitetin legjitim të qëndrimeve, pozicioneve dhe mendimeve politike, i inkurajon të gjithë aktorët politik që të ulin polarizimin politik dhe u bën thirrje të gjitha forcave politike që të përfshihen në dialog paqësor në mënyrë që të punojnë për ardhmërinë e vendit në BE; përkujton se Kuvendi duhet të mbetet forumi kryesor i debatit politik.
KPP-ja bën thirrje për vazhdimin e dialogut Zhan Mone dhe implementimin e marrëveshjeve të arritur a gjatë rrethit të tretë të Dialogut të mbajtur në fillim të vitit 2020; veçanërisht, bën thirrje për punë intensive të grupit të punës Zhan Mone me qëllim që të dakordohen ndryshimet e Rregullores; më tutje, pasi të dakordohen dhe miratohet ndryshimet e Rregullores, bën thirrje që të organizohet rrethi i katërt i dialogut Zhan Mone.
Është përshëndetur ndihma e konsiderueshme financiare prej rreth 240 milionë euro të siguruar nga Bashkimi Evropian për masa të ndryshme socio-ekonomike për rimëkëmbje, duke përfshirë edhe ndihmën mikrofinanciare, mbështetje të kompanive mikro dhe të vogla dhe personave në rrezik nga papunësia dhe në formë të pajisjes mjekësore, furnizim të vaksinave dhe granteve për vaksina gjatë pandemisë KOVID-19; inkurajon autoritetet e Maqedonisë së Veriut që t’i maksimizojnë përfitimet e plota nga ndihma financiare e BE-së, duke përfshirë edhe përmes Instrumentit për ndihmë para aderuese dhe Planit ekonomik dhe investues dhe t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për forcimin e kapaciteteve administrative në të gjitha nivelet e pushtetit; e thekson bindjen se stimulimet politike
dhe ekonomike për vendet aderuese nuk duhet ta zëvendësojnë, por ta lehtësojnë qëllimin përfundimtar për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.
Në raport me marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë përshëndeten takimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, duke përfshirë edhe ato në nivel të ekspertëve, dhe theksohet rëndësia që të zgjidhen të gjitha diskutimet kulturore-historike ndaras nga procesi i aderimit të Maqedonisë së Veriut. KPP-ja me këtë rast e përsërit qëndrimin e vet se Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim duhet të zbatohet në mënyrë të përpiktë dhe me vullnet të mirë nga të gjitha palët.
PKK-ja në fund e lëvdon rolin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në zhvillimin dhe kultivimin e bashkëpunimit rajonal dhe rolit aktiv të saj në iniciativat rajonale; e thekson, veçanërisht, zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë nga të gjitha palët.
KPP-ja e përshëndet përkushtimin e vazhdueshëm të Maqedonisë së Veriut për sigurinë euroatlantike dhe kontributin e saj në misionet dhe aktivitetet për menaxhimin e krizave të kryesuara nga BE-ja, si dhe harmonizimin e saj të vazhdueshëm të plotë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes të BE-së, duke përfshirë edhe për masat restriktive kundër Rusisë, me këtë rast i lëvdon përpjekjet e vendit për t’i ofruar ndihmë Ukrainës.
Qëllimi themelor i KPP-së është shqyrtimi i të gjitha aspekteve të marrëdhënieve mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, veçanërisht implementimi i Marrëveshjes për stabilizimit dhe asocimit. Komiteti formalisht kontribuon drejt ngritjes në nivel më të lartë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në Kuvend me Parlamentin Evropian, në rolin e vet në Marrëveshjen rekomandon obligim për Këshillin e BE-së, Komisionin Evropian dhe Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrjen e tyre të plotë në punën e tij dhe informimin e rregullt në çdo takim të KPP-së për nivelin e zbatimit të Marrëveshjes.