Shtetet e Bashkuara shqyrtojnë masat kundër rritjes së çmimeve të karburantit

Pasi OPEC+, organizata e vendeve prodhuese të naftës, vendosi këtë javë të pakësojë prodhimin e naftës, administrata e Presidentit Joe Biden po shqyrton masat e mundshme për të parandaluar një rritje të çmimit në treg. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, rritja e çmimeve të karburantit është një ogur jo i mirë për Presidentin Biden dhe Partinë Demokrate, ndërsa po afrojnë zgjedhjet e muajit nëntor që përkojnë me mesin e mandatit të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë.

 

Me më pak se pesë javë deri në zgjedhjet e nëntorit, gjatë së cilave demokratët shpresojnë të arrijnë të ruajnë shumicën në Kongres, administrata e Presidentit Biden u duk se kishte arritur të shënonte njëfarë suksesi për mbajtjen nën kontroll të çmimeve të karburanteve. Ato ranë me gati 26 cent për litër, megjithë luftën në Ukrainë që ushqen rritjen e çmimeve.

 

Por, kjo ishte situata përpara se grupi OPEC Plus të vendoste këtë javë ulje të prodhimit të naftës me 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga muaji i ardhshëm. Presidenti Biden e kritikoi këtë vendim.

 

“Zhgënjim. Po shohim se çfarë alternativash mund të kemi”, tha ai.

 

Ndër alternativat e mundshme do të ishte futja në treg e një sasie masive nafte nga rezerva strategjike e Shteteve të Bashkuara; lehtësimi i mundshëm i sanksioneve ndaj Venezuelës, për të lejuar kështu furnizime të reja në treg; si dhe, kritikat publikisht ndaj kompanive energjitike për nxjerrje fitimesh në nivel rekord, ndërkohë që çmimet vazhdojnë të rriten.

 

“Kompanitë energjitike duhet të ulin çmimet e shitjeve me pakicë që të reflektojnë nivelin e çmimit që paguajnë për karburantin me shumicë”, tha Brian Deese, Drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar.

 

Kongresi po shqyrton projektligje për të ndëshkuar Arabinë Saudite, vendin që prodhon më shumë naftë dhe që udhëheq de facto OPEC-un, ndërkohë që radhitet edhe ndër aleatët kyçë strategjikë të Uashingtonit. Vëzhguesit thonë se marrëdhënia me Riadin shtrihet përtej naftës.

 

“Po shqyrtojnë pasoja ligjore për OPEC-un dhe se si ta anashkalojnë atë. U duhet gjithashtu të mendohen shumë seriozisht se çfarë trajte do të marrë në të ardhmen marrëdhënia me Arabinë Saudite, duke qenë se Shtetet e Bashkuara janë furnizues kryesorë me armë për Arabinë Saudite. Atje gjenden forca amerikane. Ka edhe çështje të tjera që ndikojnë, si Irani”, thotë Jonathan Katz, nga Fondi Gjerman Marshall.

 

Ndërsa rritja e çmimeve po e mban inflacionin në nivelin më të lartë të 40 viteve të fundit, kjo do të jetë një çështje kryesore për zgjedhjet e mesmandatit në nëntor. Pasojat po ndjehen në nivelin e miratimit të publikut për punën e Presidentit Biden.

 

“Nëse shikojmë 60 vitet e kaluara, vërejmë se partia e një presidenti me rreth 40% nivel miratimi, siç është aktualisht Presidenti Biden, nuk ka fituar ndonjëherë më shumë vende në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Mesatarisht, ata humbasin rreth 30 vende ligjvënësish”, thotë Chris Jackson, nga firma e anketimeve Ipsos.

 

Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar nëse po shqyrton masën e ndalimit të eksportit të naftës amerikane – një masë që industria e karburanteve thotë se do të dëmtonte tregjet globale të energjisë.