Aksion ‘blic’ në Tiranë/ Policia kap Endrit Doklen, Fatjon Muratin dhe Gentjan Reçin, lidhja me masakrën e Fushë-Krujës

Fatjon Murati u arrestua mbrëmjen e sotme nga policia e Tiranës pasi ishte i shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.

Murati gjatë arrestimit ndodhej në makinë me Endrit Doklen dhe Gentjan Reçin. Murati është një emër i njohur për policinë shqiptare, pasi ai akuzohet për armëmbajtje pa leje, por jo vetëm kaq.

Emri i Muratit doli nga grupi hetimor edhe në maskarën me tre të vdekur në mbikalimin e Fushë-Krujës, ku mbetën të vrarë Brilant Martinaj, (nipi i Ervis Martinajt) Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

Mes emrave që kërkon organi i akuzës të pyeten ishin Gentian Reçi, djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, numri dy i bandës së Durrësit të Endrit Dokle.

Policia nga atentati mblodhi një sërë provash dhe Prokuroria e Kurbinit kërkoi po ashtu që të merrej në pyetje Fatjon Murati, Alesio Dobrozi dhe Rohan Brahimi.

Brilant Martinaj dhe dy shokët e tij Besmir Hoxha e Diklen Vata, mbetën të vdekur pasditen e 17 korrikut pasi makinës me të cilin ata udhëtonin nga Rinasi në drejtim të Fushë Krujës ju bë pritë dhe u qëllua me breshëri plumbash. Fatkeqësisht, të tre të rinjtë ndërruan jetë në vend.

Njoftimi i policisë:

Në kuadër të kontrolleve “blic” për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në infomacionet e marra në rrugë operative për një shtetas në kërkim që qarkullonte me automjet, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është organizuar puna dhe është kapur shtetasi në kërkim F. M., 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqërohej bashkë me dy shtetas të tjerë, E. D., 39 vjeç, dhe G. R., 39 vjeç.

 

 

Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit F. M., i cili ishte shpallur në kërkim pasi në bazë të një procedimi penal të këtij viti, ka rezultuar se është bashkëpunëtor (posedues i armëve) me shtetasin K. Gj., i cili është arrestuar në kuadër të operacionit “Ruger”, të zhvilluar me datë 12.07.2022.

 

 

Ndërsa për shtetasit E. D., dhe G. R., të cilët udhëtonin me 32-vjeçarin, po vijojnë veprimet hetimore.