Drejtorët që nuk i kanë paguar faturat e energjisë do të japin llogari në qeveri

Shkup, 6 Dhjetor – Kryeministri Dimitar Kovaçevski të hënën deklaroi se për disa nga institucionet që kanë borxhe të energjisë elektrike ka faktorë të...

Përplasje SHBA-Arabi Saudite mbi uljen e prodhimit të naftës nga OPEC+

Arabia Saudite i refuzoi si “të pabazuara në fakte” kritikat ndaj vendimit të marrë javën e kaluar nga grupi OPEC+ për të ulur nivelin e prodhimit të naftës, megjithë kundërshtitë e Shteteve të Bashkuara. Arabia Saudite tha të enjten se kërkesa e Uashingtonit për ta shtyrë me një muaj uljen e prodhimit do të kishte patur pasoja negative ekonomike.

 

Shtëpia e Bardhë u kundërpërgjigj duke thënë se u kishte paraqitur sauditëve një analizë ku tregohej se ulja e prodhimit të naftës mund të dëmtojë ekonominë botërore, si dhe aludoi se sauditët u kanë bërë presion edhe vendeve të tjera anëtare për ta votuar këtë vendim. Zyrtarë nga të dyja vendet pritet ta diskutojnë situatën së shpejti.

 

Shkëmbimet kanë krijuar një ftohje të marrëdhënies mes dy vendeve, të cilat kanë patur prej dekadash një aleancë të bazuar tek marrëdhënia “energji në këmbim të sigurisë”.

 

OPEC+, grupi i vendeve prodhuese që përfshin vendet e organizatës OPEC dhe Rusinë, njoftoi javën e kaluar se do të shkurtojë me 2 milionë fuçi në ditë nivelin e prodhimit, pas disa javësh lobimi nga zyrtarët amerikanë kundër një vendimi të tillë.

 

Vendimi u mor megjithëse tregjet e karburantit vazhdojnë të jenë të tkurrura, me rezervat në vendet me ekonomitë kryesore që gjenden në nivele edhe më të ulëta se gjatë periudhave të mëparshme kur OPEC-u ka ulur prodhimin.

 

Vendimi i OPEC+ ka krijuar shqetësim në Uashington për mundësinë e rritjes së mëtejshme të çmimeve të karburantit përpara zgjedhjeve të mesmandatit që zhvillohen në muajin nëntor, kur demokratët do të përpiqen të ruajnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit.

 

Presidenti amerikan Joe Biden u zotua më herët këtë javë se “do të ketë pasoja” për marrëdhëniet SHBA – Arabi Saudite pas vendimit të grupit OPEC+.

 

I pyetur të enjten për situatën, gjatë një udhëtimi për në Los Anxhelos, Presidenti Biden u tha gazetarëve se “do të flasim me ta”.

 

Presidenti Biden në aeroport

Vendimi i OPEC+ u mor me konsensus, pasi mori parasysh balancën e ofertës dhe kërkesës, dhe synon të qetësojë luhatjet e tregut, tha ministria e jashtme saudite në një deklaratë të enjten.

 

Deklarata e ministrisë saudite përmend konsultimet me Shtetet e Bashkuara përpara takimit të grupit OPEC+ të mbajtur më 5 tetor, kur iu kërkua të shtyjë me një muaj uljen e prodhimit të naftës.

 

“Mbretëria qartësoi në konsultime të vazhdueshme me administratën amerikane se të gjitha analizat ekonomike tregojnë se shtyrja me një muaj e vendimit të OPEC+, siç sugjerohet, do të kishte pasoja negative ekonomike”, u shpreh ministria e jashtme saudite.

 

Shtetet e Bashkuara e akuzuan Arabinë Saudite për vasalitet ndaj Moskës, e cila kundërshton vendosjen e një tavani çmimesh nga Perëndimi për naftën ruse, si reagim për sulmin ndaj Ukrainës.

 

“I paraqitëm Arabisë Saudite analiza që tregojnë se nuk ka arsye të bazuar tek tregu për ulje të prodhimit, dhe se mund të prisnin lehtësisht për takimin e ardhshëm të OPEC-ut për të parë se si do të zhvilloheshin gjërat”, u shpreh në një deklaratë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, duke shtuar se vendet e tjera të OPEC-ut i kishin rrëfyer Shteteve të Bashkuara se ndiheshin “të shtrënguar” të mbështesnin vendimin saudit.

 

John Kirby, zëdhënës për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë

Deklarata e ministrisë së jashtme saudite, duke cituar një zyrtar anonim, thekson “kontekstin krejtësisht ekonomik” të uljes së prodhimit të naftës. Kërkesa për karburant është dobësuar në mbarë botën, dhe OPEC-u, Departamenti amerikan i Energjisë, dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) kanë ulur këtë javë parashikimet e tyre për kërkesën që do të ekzistojë në treg gjatë vitit 2023.

 

Megjithatë, IEA-ja shtoi të enjten se vendimi i OPEC-ut mund të përkeqësojë kërkesën, duke thënë se “çmimet e rritura të karburantit mund të shërbejnë si pika fundore për një ekonomi që gjendet tashmë në prag të reçensionit”.

 

Deklarata saudite thotë se mbretëria e percepton marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara si “strategjike” dhe thekson rëndësinë e respektit të ndërsjelltë. Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) publikoi një deklaratë në mbështetje të komenteve të Arabisë Saudite, duke lavdëruar përpjekjet e mbretërisë për të mbrojtur tregjet nga luhatjet.

 

Në një studim javën e kaluar, kompania Goldman Sachs tha se në 25 vitet e fundit, OPEC-u nuk ka ulur kurrë prodhimin, kur rezervat kanë qenë në nivele kaq të ulëta në vendet e Organizatës për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD), ku bëjnë pjesë 38 nga vendet më pasura të botës. Çmimet e OECD-së janë rreth 8% më poshtë se mesatarja e tyre pesëvjeçare. Megjithatë, kompania Goldman Sachs vë në dukje se OPEC-u ka ulur prodhimin gjatë periudhave të dobësimit të kërkesës në treg./voa

Latest Posts

50 vjetori i misionit të fundit me astronautë drejt Hënës, Apollo 17

Kapsula Orion e NASA-s po rrotullohet në orbitën e Hënës këtë javë, duke përgatitur kështu rikthimin e misioneve me ekuipazh në sipërfaqen e Hënës....

Portugalia “tenis” me Zvicrën/ Luzitanët mposhtën 6 me 1 helvetët

Portugalia luan pingpong me Zvicren duke fituar me rezultatin e thelle 6 me 1.Skuadra helvete zhvilloi nje ndeshje shume te dobet dhe pa...

Seanca e 106-të e Qeverisë, Grubi: Miratuam donacion për Ukrainën dhe përmirësojmë kushtet e punës për personat me aftësi të kufizuara

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka mbajtur seancën e 106-të në të cilën janë miratuar disa vendime. Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi ka njoftuar opinionin...