“Rusia nuk do të jetë në gjendje të na thyejë”- Sulmet me dronë “kamikazë” në Ukrainë, Zelensky: Ne do të fitojmë

Presidenti Volodymyr Zelensky ka reaguar pasi Rusia nisi sulmet me dronë kundër Ukrainës.

Kryeqyteti ukrainas u godit të paktën katër herë nga dronët “kamikazë”. Punonjësit e shpëtimit nxorën të paktën 18 të mbijetuar nga rrënojat, sipas autoriteteve.

 

 

“Përgjatë gjithë natës dhe mëngjesit, armiku terrorizoi popullsinë civile. Dronët dhe raketat kamikaze po sulmojnë të gjithë Ukrainën. Një ndërtesë banimi u godit në Kiev”, tha Zelensky në një postim në Telegram.

Më pas vazhdoi: “Armiku mund të sulmojë qytetet tona, por nuk do të jetë në gjendje të na thyejë. Pushtuesit do të marrin vetëm ndëshkim të drejtë dhe dënim të brezave të ardhshëm. Dhe ne do të fitojmë.”

Një grua ka vdekur dhe një person tjetër mbetet nën rrënojat, pas bombardimeve të së hënës.

“Trupi i një gruaje të vdekur u nxor nga rrënojat në shtëpinë në lagjen Shevchenkivskyi, ku pati një shpërthim si pasojë e një sulmi me dron”, tha Vitali Klitschko në Telegram. Një person tjetër është nën rrënoja. Tre persona janë shtruar në spital, shtoi Klitschko.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se kanë shkatërruar dhjetëra avionë të prodhuar nga Irani Shahed-136 – të njohur si drone “kamikaze” në jug dhe në lindje të Ukrainës në orët e hershme të mëngjesit të së hënës.

Nërkohë Irani ka hedhur poshtë sërish pretendimet se po furnizon me armë Rusinë për të luftuar kundër Ukrainës.

“Irani ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk është palë në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës dhe nuk i ka dërguar armë asnjërës palë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanaani, sipas medias shtetërore iraniane IRNA.

“Po publikohen lajme që bazohen në çështje politike”, shtoi Kanaani. “Është ironi e hidhur që vendet që eksportojnë miliona dollarë armë në njërën anë të luftës filluan një luftë propagandistike kundër Iranit.”

Gjatë një bisede telefonike me ministrin e jashtëm të Portugalisë të shtunën, ministri i jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, theksoi se Irani “nuk ka dhe nuk do të sigurojë” asnjë armë për t’u përdorur në Ukrainë.

Reagimet vijnë pas pretendimeve nga Kievi dhe SHBA-ja se Kremlini përdori drone “kamikaze” të prodhuara nga Irani në një varg sulmesh fatale që nisi në të gjithë Ukrainën të hënën, ku operacionet e shpëtimit po vazhdojnë.