Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi si anëtar i kryesisë së BDI-së nuk përbën shkelje të Kushtetutës, deklaroi për TV21, profesori i të drejtës kushtetuese, Jeton Shasivari. Sipas tij duhet bërë dallimi mes funksioneve në parti politike në kuptimin e ngushtë, siç janë funksioni i kryetarit të partisë politike, nënkryetari, sekretarit të përgjithshëm ose sekretarit organizativ dhe mes të qenurit anëtarë në një organ partiak.
“Kështu që në rastin konkret bëhet fjalë për kryesi të partisë politike, organ kolegjial dhe aty kryeparlamentari meqenëse është zgjedhur nga lista kandiduese e asaj partie politike ka të drejtë të merr pjesë në mbledhje, të propozojë, të jap ide, të debatojë, të diskutojë, por nuk ka të drejtën e vendimmarrjes”, tha Jeton Shasivari, profesor i të drejtës kushtetuese.
Sipas Shasivari, kryeparlamentari Xhaferi nuk ka bërë asnjë shkelje të ligjeve duke shpjeguar më tej se në vendin tonë ka pasur raste kur një kryeparlamentar ka qenë njëkohësisht edhe kryetar partie.
“Jo për shkak se shiheni edhe praktika jonë 30 vjeçare parlamentare dëshmon se p.sh. në kemi pasur kryeparlamentar i cili në të njëjtën kohë ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit të partisë politike. Prandaj po them që modeli kushtetues i yni për kryeparlamentarin është i tillë ushtrimi i funksionit në parti politike nënkupton funksionin në kuptimin e ngushtë”, tha Jeton Shasivari, profesor i të drejtës kushtetuese.
Ndërkaq në nenin 67 të Kushtetutës thuhet se funksioni Kryetar i Kuvendit nuk pajtohet me ushtrimin e funksionit, profesionit tjetër publik ose funksionit në parti politike.