Komuna e Tetovës e ka shkelur Ligjin për Qasje të Lirë në Informatat me Karakteri Publik, pasi nuk i është përgjigjur kërkesës së gazetarit të Portalb.mk në lidhje me atë se sa ka borxh Komuna e Tetovës. Kështu ka vendosur Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik, të cilët kanë kërkuar informatë nga komuna në lidhje me ankesën e Portalbit, por komuna edhe ata i ka injoruar.
Gazetari i Portalb.mk me 5 shtator, përmes e-mailit zyrtar të Komunës së Tetovës dërgoi pyetje në lidhje me borxhin publik të Komunës, ndërmarrjeve publike si dhe shkollave.
Pasi Komuna nuk u përgjigj në këto pyetje, gazetari përmes arkivit të komunës dhe e-mailit, me 9 shtator dërgoi kërkesë me qasje të lirë në informatat me karakter publik, sipas Ligjit për Qasje të Lire në Informatat me Karakter Publik.
Pyetjet të cilave gazetari i kërkoi përgjigje janë:
- Sa është shuma aktuale e borxhit të Komunës së Tetovës së bashku me shkollat dhe ndërmarrjet publike?
- Sa është vetëm borxhi aktual i komunës?
- Sa është vetëm borxhi aktual i shkollave?
- Sa është borxhi aktual i secilës ndërmarrje publike?
- Na dërgoni raport të plotë për çështjet e lartpërmendura.
Pas kësaj, komuna përsëri nuk u përgjigj në këtë kërkesë në afatin ligjor, pas së cilës gazetari i Portalb.mk me 4 tetor u ankua në Agjencinë për mbrojtjen e të drejtës për qasje në informata me karakter publik, ku kjo e fundit e pranoi ankesën, dhe njofton se Komuna ka bërë shkelje të Ligjit për qasje në informata me karakter publik.
Konkretisht, Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje në informata me karakter publik vendosi se:
- Pranohet ankesa e gazetarit Fisnik Xhelili, e parashtruar kundër Komunës së Tetovës, e regjistruar në Agjenci me nr.08-255, më 04.10.2022, në lëndën Kërkesë për qasje në informata të karakterit publik.
- Urdhërohet poseduesi i informacionit që të veprojë sipas kërkesës së Kërkuesit, në pajtim me dispozitat e Ligjit për qasje të lirë në informacione të karakterit publik.
- Poseduesi i informacionit është i detyruar ta zbatojë këtë vendim në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së tij dhe për këtë ta njoftojë Agjencinë.
Pas kësaj, Agjencia ia ka përcjellë Ankesën bartësit të Informacionit (Komunës së Tetovës) me shkresë elektronike të datës 05.10.2022 dhe ka kërkuar që brenda 7 ditëve të vendosë për të dhe të dorëzojë në Agjenci të gjitha dokumentet lidhur me këtë çështje.
Por, Komuna e Tetovës nuk i është përgjigjur as kërkesës së Agjencisë.
“Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat e Karakterit Publik, pas shqyrtimit të ankesës dhe dokumenteve të tjera lidhur me temën, konstatoi se pronari i informacionit nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat e Ligjit për qasje të Lirë në informatat me karakter publik, d.m.th. brenda afatit të përcaktuar me ligj, nuk i ka dorëzuar kërkuesit informacionin e kërkuar, në mënyrën dhe formën e përcaktuar në kërkesë, dhe as nuk ka miratuar akt administrativ në përputhje me ligjin e lartpërmendur, prandaj konsiderohet se kërkesa është refuzuar. Nga sa më sipër, Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informacionet Publike vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendimin e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat e Karakterit Publik.
Çfarë thonë dispozitat kundërvajtëse për këtë shkelje?
Sipas nenit 39 të Ligjit për qasje të lirë në informatat me karakter publik, gjobë në shumë prej 250 eurosh në kundërvlerë me denarë për kundërvajtje do t’i shqiptohet personit zyrtar te poseduesi i informatave nëse:
- Në afatin e paraparë prej 20 ditësh, përkatësisht 30 ditësh, në mënyrë të pabazuar nuk mundëson qasje në informatë në përputhje me nenin 21 të ligjit i cili thotë se: “Poseduesi i informatës është i detyruar menjëherë të përgjigjet pas kërkesës së kërkuesit, kurse më së voni në afat prej 20 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës”.
- Nuk e zbaton aktvendimin e Agjencisë në afat prej 15 ditësh nga pranimi i tij në pajtim me nenin 27 paragrafin 4 të këtij ligji, i cili thotë: “Poseduesi i informatës është i detyruar ta zbatojë aktvendimin e Agjencisë në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të tij dhe për të njëjtën ta njoftojë Agjencinë”.
Në qoftë se transparenca, llogaridhënia, përgjegjësia para opinionit dhe para qytetarëve të Tetovës, mbeten imperativ kryesor i punës së komunës, ashtu siç kanë premtuar udhëheqësit e komunës, atëherë komuna duhet t’ua sqarojë qytetarëve se si është gjendja e borxhit të komunës.
Kasami para se të vijë në krye të komunës premtoi llogaridhënie permanente dhe komunë transparente, e cila gjëndër edhe në programin zgjedhor për Tetovën 2021-2025. Ku në mes tjerash theksohet: Llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët dhe të tjera.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës këtë sjellje disa herë e ka praktikuar kur me të udhëhiqte Tetuta Arifi. Ndërsa Kasami edhe pse premtoi ndryshim, edhe udhëheqësia nën të ka filluar ta zbatojë këtë qasje.