Zv. Drejtori i Doganave Asani takon përfaqësuesit e lartë të departamentit të financave nga SHBA

Zëvendësdrejtori Muarem Asani dhe përfaqësues të Drejtorisë së doganave dje kanë mbajtur një takim pune me përfaqësues të lartë të Zyrës për Asistencë Teknike në Ministrinë e Financave të SHBA-ve.

Qëllimi i takimit ishte identifikimi i fushave me interes për Drejtorinë e doganave për të cilat Zyra për Asistencë Teknike mund të ofrojë asistencë teknike dhe ndihmë eksperte, si aktivitet i radhës në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme afatgjatë që marrim nga Shtetet e Bashkuara përmes projekteve të ndryshme.

Gjatë takimit u prezantuan rezultatet e arritura deri më tani nga aktivitetet e ndërmarra për dixhitalizimin dhe modernizimin e operacioneve doganore, si dhe aspektet kyçe për zhvillimin e mëtejshëm të Doganës, me synim mbledhjen më të mirë të të hyrave, përmirësimin e shërbimeve për operatorët ekonomikë dhe mbrojtjen e shoqërisë. Në këtë drejtim u diskutuan masat e mundshme parandaluese, trajnime dhe shkëmbim përvojash për forcimin e integritetit të punonjësve, kontrollin efikas, parandalimin e ekonomisë gri dhe luftën kundër mashtrimit.