Steven Gerrard nuk është më trajneri i Aston Villa. Ekipi nga Birmingami humbi 3-0 ndaj Fulhamit, disfatë që ka sjellë fundin e aventurës së ish-kapitenit të Liverpoolit në stol, pasi në katër javët e fundit në Premier League ka mbledhur vetëm dy pikë.
Me anë të një postimi zyrtar në rrjetet sociale, një nga klubet më të vjetra dhe të suksesshme të futbollit anglez, konfirmon se Steven Gerrard është larguar nga klubi me efekt të menjëhershëm.
“Ne dëshirojmë të falënderojmë Steven për punën dhe angazhimin e tij të palodhur, dhe t’i urojmë atij më të mirën në të ardhmen”, shkruhet në njoftimin e klubit nga Birmingami.
42-vjeçari mori drejtimin e Aston Villës në nëntorin e vitit të kaluar dhe gjatë kësaj periudhe ai regjistroi 40 ndeshje në stolin e “The Lions”.
Kontrata i përfundonte në vitin 2025, ndërkohë që Maurizio Pochettino është një nga alternativat për ta zëvendësuar.
Argjentinasi ka punuar më parë në ishull me Southampton dhe Tottenham.
Ai cilësohet si një nga kandidatët e preferuar të drejtuesve të Aston Villa, që renditen në vendin e katërt nga fundi në Premier League, pavarësisht investimeve të mëdha në merkaton e verës.