Dhuna mes adoleshentëve, fenomen shqetësuesKohët e fundit janë bërë shqetësuese përleshjet e shpeshta dhe shumë të dhunshme mes adoleshentëve. Rasti i fundit u regjistrua në Kumanovë ku disa të rinj u sulmuan mes tyre. Rasti në fjalë është dokumentuar edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, nga ky thonë se 5 të mitur nga Kumanova janë thirrur në bisedë, shkruan Alsat.
“Me datë 21.10.2022 nga ora 17.30 deri në ora 18.30 në Stacionin Policor – Kumanovë pesë të mitur nga Kumanova janë thirrur në bisedë zyrtare për shkak se së bashku me një grup të miturve të tjerë rreth orës 13 para shkollës së Mesme në Kumanovë kanë sulmuar fizikisht F.K.(18) dhe një person tjetër, të dy nga fshati Sllupçan i Likovës, nxënës të shkollës. Sipas raportit, gjatë sulmit ata kanë përdorur sende metalike dhe të forta dhe kanë shkaktuar lëndime.”, thonë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Drejtori i Shkollës së Mesme “ Sami Frashëri, Afrim Aliti, dënoi skenat e dhunshme të një dite më parë. Ai thotë se deri tani te ai nuk ka mbërritur ndonjë informacion se në përleshje kanë qenë të përfshirë nxënës të shkollës që ai drejton.
“Këtë që ka ndodhur dje, para objektit të Shkollës së Mesme të gjimnazit dhe Shkollës Teknike “ Nice Bugjoni, e dënojmë si ngjarje të pahijshme. Te unë si drejtor nuk ka mbërritur asnjë informacion për përfshirje të nxënësve tonë. Për ditën e martë në orën 19 kemi caktuar mbledhje me kryesinë e Këshillit të Prindërve për të shqyrtuar rastin në fjalë dhe përfshirjen eventuale të ndonjërit nga nxënësit e shkollës tonë.”, tha Afrim Aliti- drejtor i Shkollës së Mesme “Sami Frashëri”.
Sociologu Ali Pajaziti, thotë se brezi i sotëm kalon pjesën më të madhe të kohës në rrjetet sociale, ku dhuna afirmohet jashtëzakonisht shumë, andaj kjo sipas tij është një nga arsyet kryesore që brezi i sotëm është impulsiv dhe i dhunshëm. Sipas tij, situatat e tilla janë tregues për një krizë morale në shoqëri.
“Të gjitha këto janë nxitje që të kemi një gjeneratë, një brez i cili nuk ka durim, i cili është impulsive, i cili eksplodon dhe shpërthen në çast. Qoftë në raportet nxënës-nxënës, qoftë në raportet nxënës mësimdhënës.01:55 Ky fenomen flet për një krizë etike, apo një krizë morale që është evidente këtu tek ne, por edhe në përmasa globale. Andaj, duhet të punohet shumë më tepër në edukimin e brezave, nga gjiri familjar e më tutje. 02:50 Krahasuar me brezat e mëparshëm që kanë qenë më të qetë, më të respektueshëm, ndaj autoritetit, ndaj personave që ata i kanë quajtur referenciar apo të cilëve u janë referuar, duke filluar nga prindërit, mësimdhënësi, njerëzit më të moshuar, në këtë periudhë, në këtë kohë përnjëherë është rrënuar ajo piramida sociale” u shpreh Ali Pajaziti- sociolog.
Vetëm gjatë muajit të fundit janë regjistruar 19 zënka në të cilat janë të përfshirë adoleshentë, ndërsa në 10 raste edhe sulmuesi edhe i sulmuari kanë qenë nën moshën 18 vjeç./Alsat.mk