Zëdhënësi i Borrell: Kosova dhe Serbia të tregojnë pjekurinë dhe guximin e nevojshëm politik për kompromiset e nevojshme

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Ballkan” të gazetares Linda Karadaku, korrespondentja e ABC në Bruksel, Erisa Zykaj ka përcjellë prononcimin e zëdhënësit të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë, Josep Borrell mbi dialogun Prishtinë-Beograd.

Marrëveshja për normalizimin varet nga pjekuria e Kosovës dhe Serbisë

Pyetje: Burimet zyrtare të Kosovës dhe Serbisë bëjnë me dije se si Albin Kurti ashtu edhe Aleksandr Vuçiç janë aktualisht nën presion për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës bazuar në propozimin franko-gjerman sa më shpejt. Sipas Zëvendës Ndihmës Sekretarit Amerikan, Gabriel Escobar, arritja e kësaj marrëveshje do të ishte më tepër një çështje javësh apo muajsh. Cilat janë shanset për të arritur një marrëveshje të tillë në një kohë shumë të shkurtër? A e konsideron përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak dhjetorin si një moment të mirë për të organizuar një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë?

Peter Stano, zëdhënës i Josep Borrel: BE-ja si ndërmjetësues i dialogut po i ndihmon të dyja palët që të jenë në gjendje të takohen dhe të bien dakord për çështjet në fjalë dhe të çojnë përpara dialogun drejt një përfundimi të suksesshëm, që do të ishte marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Megjithatë, nuk i takon BE-së të vendosë afate kohore, ato varen ekskluzivisht nga aftësia e Kosovës dhe Serbisë për të gjetur pjekurinë dhe guximin e nevojshëm politik për të arritur kompromiset e nevojshme.

Pyetje: Shtyrja e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për aplikimin e targave vendore për serbët që jetojnë në veri të Kosovës skadon më 1 nëntor. Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak ka takuar së fundmi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç si dhe kryenegociatorët e të dyja palëve. Në llogarinë e tij në Twitter, z. Lajcak deklaroi më 13 dhe 17 tetor gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd, se çështja e targave dhe energjisë ishte në rend të ditës dhe ishte urgjentisht e nevojshme. A e parashikon Lajçak një raund të ri targash përpara datës 1 nëntor në nivelin e kryenegociatorëve?

Peter Stano, zëdhënës i Josep Borrel: BE-ja ka qenë gjithmonë e qartë se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim. Megjithatë, sipas Marrëveshjeve të Dialogut për lëvizjen Lirë e nga viti 2011 dhe 2016, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, si dhe të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje praktikat evropiane më të mira. Konkluzionet në kuadrin e lëvizjes së lirë nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj. Kjo shtrirje do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur. Kjo gjithashtu do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës. Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe, potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeo-politik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon.