Me 62 vota “pro”, Hysni Ismaili nga radhët e partisë Alternativa u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, në vazhdimin e sotëm të seancës së 71-të. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, e ndërpreu vazhdimin e kësaj seance dhe njoftoi se deputetët do të njoftohen më tutje për vazhdimin e saj.
Seanca filloi me një orë vonesë dhe në të nuk morrën pjesë deputetët e opozitës VMRO-DPMNE dhe koalicionit.
Në rendin e ditës të kësaj seance është edhe Interpelanca për punën e kryetares së Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Sonja Mirakovska, e parashtruar nga deputetja e opozitës VMRO-DPMNE. Po ashtu, në kuadër të kësaj seance, deputetët duhet të diskutojnë edhe për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregtinë në procedurë të shkurtuar, për Projektligjin për plotësimin e Ligjit për mjedisin jetësor, në lexim të dytë, ndryshimet në Ligjin për marrëdhëniet e punës dhe Ligjin për sigurimin pensional dhe invalidor me procedurë të shkurtuar, si dhe projektligje të tjera dhe disa raporte vjetore për punën e institucioneve për vitin 2021.
Paraprakisht deputetët kanë votuar për ministër të ri të Vetëqeverisjes Lokale Risto Penovin dhe për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese Fatmir Skenderin dhe Tatjana Vasic Bozaxhieva. Deputetët e VMRO-DPMNE-së u larguan nga salla e Kuvendit në fillim të debatit për zgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues.