Norvegjia rrit gatishmërinë ushtarake në përgjigje të luftës në Ukrainë

Norvegjia do të vendosë ushtrinë e saj në gatishmëri të lartë nga dita e martë, deklaroi kryeministri norvegjez, teksa ky shtet po rrit sigurinë në përgjigje të luftës në Ukrainë.

 

Norvegjia tani është eksportuesja më e madhe e gazit natyror në Bashkimin Evropian, duke dërguar rreth çerekun e furnizimeve në BE, pasi Rusia ndaloi dërgesat.

 

“Kjo është situata më e rëndë e sigurisë në disa dekada”, tha më 31 tetor kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere.

 

“Nuk ka tregues se Rusia po zgjeron luftën e saj në shtetet e tjera, por rritja e tensioneve na bën ne më të ekspozuar ndaj kërcënimeve, operacioneve të inteligjencës dhe fushatave ndikuese”, shtoi ai.

 

Forcat e armatosura norvegjeze do të kalojnë më shumë kohë në detyra operacionale sesa në stërvitje, dhe Garda e Brendshme, që është një forcë e mobilizimit të shpejtë, do të ketë rol më aktiv, tha ministri norvegjez i Mbrojtjes, Bjoern Arild Gram.

 

Ndërkaq, forcat e armatosura norvegjeze kanë anuluar stërvitjet me Shtetet e Bashkuara me avionët luftarakë F35, duke preferuar që këta avionë të mbesin në Norvegji, tha kreu i forcave të armatosura, gjenerali Eirik Kristoffersen.

 

“Ne presim që kjo situatë të zgjasë të paktën një vit”, tha Kristoffersen.

 

Norvegjia më herët kishte dislokuar forcat e saj në platformat e gazit që ka në det, pasi u zbuluan rrjedhje në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1 dhe 2.

 

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe së fundmi është përballur me humbje të territorit pas nisjes së një kundërofensive nga forcat e Kievit.