Zyrtarët e SHBA-së vizitojnë basketbollisten e burgosur në Rusi

Zyrtarët e Ambasadës amerikane në Moskë kanë vizituar basketbollisten Brittney Griner, që gjendet në burg në Rusi. Kjo vizitë ndodh disa javë pasi një gjykatë ruse refuzoi apelin e basketbollistes ndaj vendimit për nëntë vjet burgim, për posedim të drogës.

 

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se përfaqësuesit amerikanë “panë nga afër qëndrueshmërinë e saj, pavarësisht rrethanave në të cilat ajo gjendet aktualisht”.

 

Ai tha se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do të vazhdojë të kërkojë lirimin e menjëhershëm të Griner dhe Paul Whelan, i cili është dënuar më 2020 me 16 vjet burgim në Rusi, nën akuzat për spiunim. Whelan dhe familja e tij thonë se akuzat janë të pabaza, teksa autoritet amerikane po kërkojnë që amerikanët e ndaluar në Rusi të trajtohen mirë.

 

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se Grienier “është mirë, bazuar në rrethanat në të cilat ndodhet” dhe se administrata amerikane po punon që të “zgjidhë ndalimet e papranueshme dhe të padrejta” të Griner dhe Whelan.

 

Griner u dënua në gusht, pasi policia tha se i kishin gjetur vaj kanabisi në bagazhin e saj, teksa kishte arritur në aeroportin Sheremetyevo të Moskës. Ajo u arrestua në shkurt, në kohën e rritjes së tensioneve midis Moskës dhe Uashingtonit, disa ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës.

 

Basketbollistja pranoi para një gjykate ruse se kishte pasur me vete drogë të llojit kanabis, por posedimi i kësaj droge nuk kishte qenë për qëllime kriminale.

 

SHBA-ja ka thënë gjatë verës se i ka bërë “ofertë” serioze Rusisë për lirimin e Griner dhe Whelan. Persona, që kanë njohuri për këtë temë, kanë thënë se SHBA-ja ka kërkuar shkëmbimin e të burgosurve, duke ofruar që t’ia dorëzojë Rusisë tregtarin e dënuar të armëve, Viktor Bout./rel