RMV, 200 milionë euro qarkullim përmes blerjeve online

Qytetarët e Maqedonisë blejnë në internet më pak se 10 herë në vit. Sipas të dhënave, vendi është në fund të Evropës për nga vëllimi i tregtisë elektronike. Por, ndryshe nga krahasimet globale, përdorimi i mjeteve të internetit në vend po rritet çdo vit. Të dhënat tregojnë se çdo përdorues i dytë i internetit nga Maqedonia blen “online”. Vlera e porosive në gjashtëmujorin e parë të këtij viti është rreth 50 euro, dhe më së shumti janë blerë nga e-dyqanet vendore dhe është bërë xhiro afër 200 milionë euro. Shoqata për E-tregti, thotë se tregtarët e paregjistruar të internetit janë problemi më i madh në këtë biznes.

“Ekonomia gri edhe në nivel global, sa e vështirë është të shtypet, aq më e vështirë është të matet. Dimë që shifrat e përgjithshme për ekonominë gri në vend janë mjaft shqetësuese, këtu përfshihet ekonomia gri në tregun e punës, në shitje, por edhe në të gjitha fushat tjera. Është e vështirë të matet në tregtinë elektronike”, deklaroi Nina Angelovska -Kryetare e Shoqatës për e-tregti.

Që tregtia me internet në Maqedoni është në rritje këtë e vërteton fakti se në gjashtë muajt e parë të vitit janë hapur 110 dyqane të reja online. Ndryshe, shumica e përdoruesve të internetit në vendin tonë, ose pak mbi 80 për qind e kalojnë kohën në rrjetet sociale, dhe vetëm 30 për qind përdorin banking elektronik. Në Bashkimin Evropian është e kundërta, Facebook, Instagram dhe rrjetet e tjera sociale përdoren gjithnjë e më pak, dhe evropianët janë më të lidhur me mjetet më të dobishme online./Alsat.mk