Përsëri raportime për bomba, u evakuuan shtatë shkolla në Shkup

Shtatë shkolla në Shkup janë kërcënuar me bombë, njoftoi MPB. Policia për MIA-në informoi se po merren masa për evakuim të sigurt dhe kontrolle antiterror.

“Në orën 09:30 në SPB Shkup është raportuar se në adresën elektronike të shtatë shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për mjet shpërthyes. Menjëherë pas marrjes së denoncimeve, zyrtarët policor po marrin masa për evakuim të sigurt dhe janë duke vazhduar kontrollet antiterroriste dhe po merren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, dje në një intervistë për MIA-n, i pyetur nëse ka ndonjë simbolikë që kërcënimet me bombë ndodhin vetëm të mërkurën, të enjten dhe të premten, ai tha se nuk ndodhin vetëm në tri ditët e fundit të javës së punës, por që ato ndodhin kur mësimdhënia ndjek të njëjtin turn me të njëjtin kuadër mësimor.

Sipas ministrit, qëllimi i raportimeve për bombat e rreme që ndodhën javët e kaluara në disa shkolla të mesme të Shkupit është që të ndikohet në situatën politike në vend, në kapacitetin e institucioneve dhe të qytetarëve duke shkaktuar ankth dhe pasiguri.

Ai theksoi në intervistë se për çdo raportim të tillë ka protokolle, të cilat duhet të respektohen pavarësisht shkallës së probabilitetit për vendosjen e bombave, që sigurisht harxhon shumë forcë dhe energji, por thekson se policia është absolutisht e gatshme me gjithë potencialin dhe kapacitetin e tyre dhe për shkak se më shumë sektorë janë të përfshirë në të gjithë këtë proces

Përndryshe, nga 26 tetori në SPB Shkup disa herë është denoncuar se email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Së fundmi ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski njoftoi se mesazhet janë lëshuar nga jashtë shtetit.