Barcelonë, 24 nëntor- Në kuadër të Forumit Rajonal të Unionit për Mesdheun, i cili po mbahet në Barcelonë, Ministrat e Punëve të Jashtme të 42 vendeve anëtare njëzëri e sollën vendimin për anëtarësimin e plotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Unionin për Mesdheun – organizatë që i përfshin të gjitha vendet anëtare të BE-së, si dhe vendet mesdhetare që nuk janë pjesë e BE-së.
Siç bëri të ditur MPJ-ja,Gjatë fjalimit të tij, në ceremoninë e anëtarësimit, Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, falënderoi për njohjen e interesit real të Maqedonisë së Veriut që të bashkohet në Unionin për Mesdheun, si dhe për besimin e dhënë.
“Pjesëmarrja jonë në Unionin për Mesdheun, si platformë për bashkëpunim dhe dialog rajonal do të na mundësojë, si vend me negociata të filluara për anëtarësim në BE, rrjetëzim më të ngushtë dhe integrim të Maqedonisë së Veriut në strukturat evropiane që mbulojnë zonën e Mesdheut dhe interaksion më të ngushtë me vendet e Bashkimit Evropian dhe rreth pesëmbëdhjetë shtetet nga Mesdheu Jugor dhe Lindor”, tha Osmani.
Osmani, mes tjerash, theksoi se Maqedonia e Veriut, me traditën e saj të dialogut ndëretnik, kohezionit dhe zgjidhjes paqësore të kontesteve bilaterale, kontribuon në stabilitetin e Evropës Juglindore, duke promovuar vlerat evropiane, marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore, bashkëpunimin rajonal dhe kulturën e dialogut. Si e tillë, sot duke u kyçur në punën e organizatës, Maqedonia e Veriut do të përpiqet të kontribuojë në promovimin e rritjes së punësimit, kohezionit rajonal dhe integrimit socio-ekonomik, duke shtuar vlerë në marrëdhëniet e përgjithshme në rajonin euro-mesdhetar, qëndron në kumtesë.