Federata Botërore e Futbollit (FIFA) ka njoftuar të shtunën se ka nisur masa disiplinore ndaj Federatës Serbe të Futbollit për varjen e një flamuri me përmbajtje politike në raport me Kosovën në dhomat e zhveshjes përpara se të luante të enjten me Brazilin në Kupën e Botës në Katar.
Flamuri i Serbisë i vendosur në zhveshtore përfshinte hartën e Kosovës me sloganin “Nuk ka dorëzim”.
Në fotografitë e publikuara nga zhveshtorja shihej se flamuri ishte vendosur mbi dollapët e lojtarëve, Milos Veljkoviç dhe Andrija Zivkoviç, përpara humbjes 2 me 0 të përfaqësueses së Serbisë ndaj Brazilit.
Federata e Futbollit të Kosovës u ankua zyrtarisht në FIFA dhe ministri i kulturës, rinisë dhe sportit, Hajrulla Çeku, e përshkroi imazhin si veprim i përfaqësueses së Serbisë për të përdorur Kupën e Botës për të promovuar “mesazhe urrejtjeje, ksenofobie dhe gjenocidale”.
FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet, shenjat ose gjuhën fyese” dhe “përdorimin e një ngjarjeje sportive për demonstrime të një natyre josportive”.
FIFA nuk dha një afat kohor se kur do të merret vendimi, megjithëse Serbia do të luajë të hënën, më 28 nëntor kundër Kamerunit.
Që kur Kosova u anëtarësua në FIFA dhe UEFA në vitin 2016, trupa evropiane e futbollit është siguruar për arsye sigurie që kombëtarja e Kosovës të mos bie në të njëjtin grup me Serbinë apo Bosnje e Hercegovinën në grupet kualifikuese për Kupën e Botës dhe Kampionatin Evropian.
Më 25 nëntor, Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se ka paraqitur ankesë në FIFA për veprimin e ekipit kombëtar të Serbisë.
FFK e quajti këtë veprim si akt shovinist.
“Akte të tilla shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjithë anëtarët e tjerë të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore”, u tha në njoftimin e FFK-së.
Federata e Futbollit e Kosovës kërkoi nga FIFA që veprimi i ekipit serb në Katar të mos kalohet pa masha ndëshkimore, pasi siç u tha, kampionati botëror i futbollit “duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejte mes popujve.