Vetëm vitin e kaluar, nga 1 janari e deri më 31 dhjetor 2021, në Shkup kanë ndodhur gjithsej 5569 vjedhje (1973 vjedhje të lehta dhe 3596 vjedhje të rënda), janë zbuluar 602 raste me 473 padi të iniciuara, ndërsa 603 hajna kanë përfituar padi penale. Thënë më qartë, për çdo ditë kanë ndodhur nga 15 vjedhje! E shndërruar në përqindje, efikasiteti i policisë për kapjen e hajnave arrin në vetëm 10.8 për qind! Çairi, Gazi Baba dhe Buteli aktualisht janë lagjet ku më së shumti po veprojnë grupe të hajnave, ndërsa nuk ka ditë kur në këto tre lagje, nuk ndodhin deri në 10 vjedhje të rënda
Vedat MEMEDALIU
Shkup, 9 dhjetor – Shtëpi, banesa, dyqane dhe vetura… Kryeqyteti i Shkupit është mbërthyer nga grupe të shumta të hajnave. Me maska e të armatosur, madje edhe me eksploziv, hajnat po sfidojnë policët dhe inspektorët e krimeve të rënda. Në dy vitet e fundit, statistikat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme tregojnë se në një ditë, vetëm në Shkup ndodhin deri 15 vjedhje – të lehta apo edhe të rënda, ndërsa numri i zbulimeve të hajnisë apo kapja e personave që po tmerrojnë qytetarët, po ulet çdo ditë e më shumë, shkruan gazeta KOHA. Vetëm vitin e kaluar, nga 1 janari e deri më 31 dhjetor 2021, në Shkup kanë ndodhur gjithsej 5569 vjedhje – 1973 vjedhje të lehta dhe 3596 vjedhje të rënda, ndërsa janë zbuluar 602 raste me 473 padi të iniciuara, ndërsa 603 hajna kanë përfituar padi penale. E shndërruar në përqindje, efikasiteti i policisë për kapjen e hajnave arrin në vetëm 10.8 për qind! Thënë më qartë, për çdo ditë kanë ndodhur nga 15 vjedhje! Çairi, Gazi Baba dhe Buteli aktualisht janë lagjet ku më së shumti po veprojnë grupe të hajnave, ndërsa nuk ka ditë kur në këto tre lagje, nuk ndodhin deri në 10 vjedhje të rënda. Madje, zyrtarë policorë thonë për gazetën KOHA se, krahasuar me numrin e vjedhjeve – Çairi renditet i pari, pasuar nga Gazi Baba e Buteli, Karposhi, Aerodromi e të tjerat. Çairi, Buteli e Gazi Baba kryesojnë edhe me numër më të vogël të zbulimit të vjedhjeve.
Në këto tri lagje veprojnë edhe grupet e mëdha të hajnave, të rinjtë e në moshë, të armatosur e të koordinuar mirë. Megjithatë, zyrtarisht, MPB arsyetohet se në pajtim me Rregulloren për evidentimin e vjedhjeve, Qyteti i Shkupit nuk ndahet në komuna veç e veç.
“Sipas të dhënave ekzistuese në lidhje me veprat penale nga neni 235 – ‘vjedhje’ dhe neni 236 ‘vjedhje e rëndë’ nga Kodi Penal i RSM, vitin e kaluar kanë ndodhur gjithsej 1973 vepra nga neni 235 (vjedhje), ndërsa 239 prej tyre janë zbuluar, për të cilët janë ngritur 205 kallëzime penale ndaj 236 autorëve, ndërsa për pjesën tjetër po merren masa, varësisht nga faza hetimore në të cilën ndodhen. Në sferën e veprës penale ‘vjedhje e rëndë’ për të njëjtën periudhë, në zonën e Qytetit të Shkupit janë raportuar gjithsej 3596 vepra penale dhe prej tyre janë realizuar 363, për të cilat janë iniciuar 268 kallëzime penale kundër 367 autorëve, ndërsa pjesa tjetër po hetohet deri në ndriçimin e rasteve. Në të njëjtën kohë, ju informojmë se sipas Rregullores për përpunimin e të dhënave statistikore, nuk mbahen evidenca për rastet veçmas për secilën ndarje territoriale të qeverisjes së Shkupit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të MPB-së drejtuar gazetës KOHA. Për vitin 2022, MPB akoma nuk ka statistikë zyrtare, megjithatë sipas raporteve ditore të policisë, vitin që po lëmë pas kanë ndodhur edhe më shumë vjedhje sesa viti paraprak. Këtë e konfirmojnë edhe në mënyrë jozyrtare policë që merren me hetimin e vjedhjeve.
Grupi i Dizhonit, i Gazi Babës, i Lagjes Veri, i Tophanës, i Butelit… janë grupet e hajnave më të rrezikshëm në Shkup, që përveç vjedhjeve në shtëpitë e banesat ku e dinë sigurt se ka mungesë të banorëve, në të shumtën e rasteve po futen edhe kur brenda gjenden familjarë. Madje, nëse dikur veturat kanë qenë caku kryesor i hajnave, tani ata kanë shkuar një hap më lartë – synojnë shtëpitë që kanë madje edhe kamera e alarme. Problemin kryesor në “trimërimin” e hajnave në vendbanimet shqiptare në Shkup, shumë qytetarë e njohin te paaftësinë e zyrtarëve të lartë të policisë që merren me kapjen dhe zbulimin e vjedhjeve. “Kjo vjen si pasojë e punësimit të shefave dhe policëve jokompetent për këtë punë. Dihet se punësimet në vendbanimet tona janë politike dhe jomeritore. Mjafton të shohim emrat e shefave dhe policëve që merren me zbulimin e rasteve të vjedhjeve dhe e kemi të qartë se çfarë po ndodhë”, thotë Agimi nga Shkupi, shtëpia e të cilëve muaj më parë ishte cak i hajnave.
Veç paaftësisë së policisë, e cila konfirmohet edhe me zbulimin e rasteve, një tjetër problem paraqitet edhe me gjyqësorin. Gjyqësori me dënime të vogla po toleron rritjen e hajnisë. Ka policë që tregojnë se, është drejtësia në të shumtën e rasteve që sjell dënime minimale, me çka e trimëron hajnin që të përsërit veprën. Zaten, ka disa vite që nuk është publikuar ndonjë dënim i madh me burg për ata pak hajna të kapur. Dhe, derisa policia gjendet “në gjumë” e gjyqësori “mëshirohet” me hajnat, qytetarët ndjejnë pasigurinë më të madhe deri më tani.
NGA 1 JANARI DERI MË 31 DHJETOR 2021
– 5569 vjedhje gjithsej
– 1973 vjedhje të lehta
– 3596 vjedhje të rënda
– 602 raste të zbuluara
– 473 padi
– 603 persona të paditur
– 10.8% raste të zbuluara
(koha.mk)