Krejt çka ndodhi dje e sot në veri – reagimet nga vendi e nga jashtë.
Që nga orët e pasdites së djeshme, rruga drejt Jarinjës, në fshatin Rudarë dhe ajo në drejtim të Bërnjakut, janë të bllokuara nga serbët me kamionë e autobusë.
Ky reagim i serbëve të Kosovës erdhi pas arrestimit të djeshëm të Dejan Pantiqit nga Policia e Kosovës.
I njëjti u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprave terroriste ndaj zyrave dhe zyrtarëve të KKZ-së (Komisioni Komunal Zgjedhor) në Mitrovicën e Veriut ditë më parë, ku po bëheshin përgatitjet për zgjedhjet caktuara për fundjavën e ardhshme. Më 6 dhjetor, disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri.
E pas arrestimit të Pantiqit, serbët u organizuan menjëherë për t’i bllokuar rrugët. Për pasojë, policia njoftoi se janë mbyllur edhe pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Gjatë kohës sa serbët po i vendosnin barrikadat nëpër rrugë, Presidentja Vjosa Osmani në Prishtinë kishte mbledhur krerët e institucioneve, bashkë me partitë politike për t’u konsultuar në lidhje me datën e re të zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës.
Nga ky takim u arrit konsensusi që zgjedhjet të shtyheshin për 23 prillin e vitit të ardhshëm, me qëllim të dhënies kohë që situata të qetësohej në këtë pjesë të vendit.
Por, veç bllokadave të rrugëve, ditën e djeshme pati edhe të shtëna me armë zjarri nga grupet kriminale ndaj forcave policore të Kosovës, të cilat iu përgjigjën njëjtë – mirëpo deri më tani nuk është raportuar për ndonjë të plagosur nga asnjëra palë.
Megjithatë, më 8 dhjetor, një polic mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në drejtim të një patrulle policore në fshatin Serbovc të Zveçanit.
Sipas Policisë, zyrtarët e saj janë sulmuar nga persona të armatosur me armë të gjata, nga një automjet i tipit Audi, ngjyrë hiri, me targa KM.
Mbrëmë ndërkaq u sulmua edhe një patrullë e EULEX-it me shok-bomba, por që nuk pati të lënduar e as dëme.
Çka thanë Kurti e Sveçla për situatën në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mblodhi sot Këshillin e Sigurisë për të diskutuar rreth gjendjes së krijuar në veri.
Pas takimit, Kurti u shpreh se 23 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia po kërcënon me rikthimin e trupave të saj ushtarake.
“Ajo që ne e dinim në të vërtetë gjatë gjithë kohës u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshme dhe përkundër të gjithë atyre të cilët mendonin ndryshe. Pas 23 vitesh nga përfundimi i luftës në Kosovë, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e trupave të saj ushtarake, të cilët para gati çerek shekulli patën kryer gjenocid kundër popullit tonë dhe dogjën e shkatërruan pronën e pasurinë tonë”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti tha se Serbia po kërkon të vazhdojë luftën, siç u shpreh ai, të cilën e humbi.
“Beogradi zyrtar sot po flet e sillet si para 23 vitesh. Serbia nuk po e fsheh se kërkon rikthim në Kosovë, pra në esencë kërkon që të vazhdojë luftën, luftën të cilën e humbi dhe kapitullimin e pranoi asokohe në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999. Andaj edhe mohimi i shtetit të Kosovës dhe o pavarësisë tonë nga ana e Serbisë, përbën kërcënim të vazhdueshëm jo vetëm për shtetin tonë, por edhe për ekzistencën tonë”.
“Paqja në Kosovë edhe pas rezistencës së popullit tonë dhe ndërhyrjes së aleancës më të madhe ushtarake NATO-s, pra me një koalicion të demokracive më të avancuara në botë, ndaj një regjimi fashit e gjenocidal, siç ishte ai i Millosheviqit”, tha ai.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i pranishëm në takimin e Këshillit të Sigurisë, në paraqitjen e përbashkët me shefin e tij të qeverisë para mediave, u bëri thirrje qytetarëve serbë që të mos bëhen pjesë e organizimeve të grupeve kriminale në veri, duke u bërë thirrje organizatorëve që të largojnë menjëherë barrikadat.
“Meqë barrikadat e vendosura dje nuk janë hequr ende, i bëj thirrje qytetarëve serbë që të mos bëhen pjesë organizimeve të këtyre grupeve kriminale, ndërsa iu bëj thirrje organizatorëve për largim të menjëhershëm të barrikadave”, ka thënë Sveçla.
“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë që bandat kriminale të organizojnë e të pengojnë qarkullimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë”, shtoi ai.
Sveçla tha se arsyeja e vënies së barrikadave është tentimi për të mos lejuar që ish-zyrtari i arrestuar, Dejan Pantiq, të dërgohet në jug të Mitrovicës, për procedura të mëtutjeshme.
Tutje ministri tha se deklarimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se Policia e Kosovës po terrorizon qytetarët serbë, është plotësisht e pavërtetë.
“Vuçiqi, i dëshpëruar nga arrestimi i Pantiqit, dhe në mungesë të çdo argumenti, u rikthye në detyrën e tij të viteve të ‘90-ta, si propagandues”, deklaroi Sveçla.
Reagime pati edhe nga udhëheqësit e institucioneve tjera në vend.
Borrelli la shije të keqe
Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka reaguar pas sulmeve me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX-it në Zveçan, duke thënë se barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet serbe.
“BE nuk do të tolerojë sulmet ndaj EULEX-it ose përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in. Të gjithë aktorët duhet të shmangin përshkallëzimin”, shkroi Borrelli, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, Borrelli, për dallim nga ambasadorët e QUINT-it, nuk dënoi sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e BE-së/PSBE-ja në Kosovë, mirëpritën vendimin e Qeverisë së Kosovës dhe liderëve të partive politike për shtyrjen e zgjedhjeve komunale dhe për kryetar komunash në katër komunat veriore në këtë kohë.
“Ky vendim konstruktiv avancon përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, e cila është kyçe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si e vetmja rrugë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u tha në reagimin e Quint-it të shtunën.
E reagimi i Borrellit, si duket i la shije të keqe ministres së Jashtme dhe të Diasporës, e cila reagoi në Twitter.
Donika Gërvalla tha se Borrelli duhet të dënojë edhe të shtënat ndaj policëve të Kosovës.
“Çdo jetë ka rëndësi. Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borrell duhet të dënojë edhe të shtënat ndaj Policisë së Kosovës duke përmbushur detyrën e saj dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga sulmet e bandave kriminale”, ka shkruar Gërvalla në Twitter.
Sipas saj, deklaratat që nuk dënojnë Vuçiqin për agresionin e tij të hapur, inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm.
SHBA-ja e Britania e quajtën farsë pretekstin për vendosjen e barrikadave
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd kanë reaguar lidhur me situatën në veri.
Në deklaratën e përbashkët, bëhet thirrje që të hiqen barrikadat e vendosura në ato zona.
Tutje, në deklaratë thuhet se arrestimi i një të dyshuari për plagosjen e një polici kosovar po përdoret si justifikim për situatën e krijuar atje.
“Ata që i ngritën barrikadat e paligjshme duhet t’i largojnë ato menjëherë”.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin e thelë për situatën aktuale në veriun e Kosovës. Arrestimi i një individi të dyshuar për sulm ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor, po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, u tha në reagimin e sotëm të Ambasadave të SHBA-së në Prishtinë e Beograd.
“Ne presim që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit. Ne shprehim mirënjohjen dhe mbështetjen tonë të plotë për NATO-n në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Ne i dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, u tha tutje në deklarim.
Ambasadat e Shteteve të Bashkuara në Kosovë e Serbi i ftojnë palët për të marrë masa në de-përshkallëzimin e situatës në veri.
”I bëjmë thirrje të gjithëve që të kenë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të arritur de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”.
Pas SHBA-së, edhe Britania e Madhe reagoi për situatën që po mbizotëron në veriun e Kosovës.
Me anë të një deklarate të përbashkët, Ambasadat britanike në Prishtinë e në Beograd thanë se presin që të hiqen “barrikadat ilegale” të vendosura në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
“Ne presim që të gjitha pengesat ilegale të hiqen dhe t’i jepet fund kërcënimeve, dhunës dhe frikësimit. Ne vlerësojmë dhe mbështesim plotësisht Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) në punën e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe kontributin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) në mbështetjen e autoriteteve kosovare për sundimin e ligjit. Ne i dënojmë fuqishëm dhe i cilësojmë si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”.
Edhe në reagimin e britanikëve thuhet se arrestimi i të dyshuarit për sulm ndaj institucioneve të sigurisë nuk mund të përdoret si arsyetim për vendosjen e barrikadave ilegale.
“Ky arrestim nuk është justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, as kërcënime dhe frikësim ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”.
Britania kërkon nga autoritetet e Serbisë që të përdorin ndikimin e tyre për qetësimin e situatës në veriun e Kosovës.
“U bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që të veprojnë me përmbajtje dhe që autoritetet e Serbisë të përdorin ndikimin e tyre për të arritur një shtensionim të situatës. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është mjeti për të zgjidhur konfliktet dhe për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara”.
Gjermania ” e gjet” fajtorin
Ndonëse SHBA-ja dhe Britania ishin të ashpra ndaj veprimeve të serbëve në veri, ishte ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ajo që ia vuri kapakun çështjes.
Në një postim në Twitter, ajo tha se Kosova i uli tensionet duke i shtyrë zgjedhjet lokale, ndërsa shtoi se retorika nga Serbia po e bën të kundërtën, raporton Klankosova.tv.
Veç tjerash, ajo u ndal edhe te kërkesa serbe për dërgimin e forcave policore e ushtarake në Kosovë.
“Kosova i uli tensionet duke shtyrë zgjedhjet lokale. Retorika e fundit nga Serbia e bënë të kundërtën. Ideja për dërgimin e forcave serbe në Kosovë është krejtësisht e papranueshme. Siç janë edhe sulmet e fundit ndaj EULEX-it. E gjithë mbështetja ime shkon për dialogun e udhëhequr nga Mirosllav Lajçaku”, shkroi ministrja e Jashtme gjermane në Twitter.
Këtij deklarimit të ministres gjermane, iu bashkëngjit edhe shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars Gunnar Wigemark, duke e shpërndarë postimin e saj në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.
Reagoi edhe Shqipëria
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se sulmet mbi EULEX-in dhe Policinë e Kosovës janë të dënueshme pa asnjë ekuivok, dhe se rishfaqja e barrikadave në veri bie ndesh me frymën e dialogut.
“Sulmet mbi EULEX-in janë të dënueshme pa asnjë ekuivok ashtu siç është i dënueshëm çdo akt dhune ndaj policisë së Kosovës. Rishfaqja e barrikadave në Veri të Kosovës,bie ndesh me çdo ligj e çdo frymë dialogu e jo vetëm nuk zgjidh asgjë, po përkundrazi komplikon më tej çdo gjë”, shkroi Rama në Twitter, përcjell Klankosova.tv.
Tutje, Rama tha se Beogradi duhet t’i përgjigjet me të njëjtën frymë, shtyrjes së datës së zgjedhjeve në veri, nga presidentja Vjosa Osmani.
“Shtyrja e votimeve nga ana e Presidentes së Republikës së Kosovës është një sinjal kuptimplotë, të cilit autoritetet e larta të Beogradit duhet t’i përgjigjen me të njëjtën frymë dhe ndjenjë përgjegjësie, për moslejimin e përshkallëzimeve të mëtejshme të akteve destabilizuese”, deklaroi ai.
Krejt në fund, Rama i bëri thirrje urgjente BE-së që të ftojë palën kosovare dhe atë serbe në takim.
“Beogradi duhet të ushtrojë ndikimin e vet mbi serbët e Veriut të Kosovës, pa i justifikuar assesi veprimet e tyre cilatdoqofshin arsyet! Arsyet diskutohen nuk përdoren si armë kundër policisë e si barrikada kundër rendit ligjor. BE-ja duhet të thërrasë urgjent tryezën e dialogut”.
Veç tij, për situatën në veri reaguan edhe Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryeministri Pandeli Majko, ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, si dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla e ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka.
Që të gjithë apeluan për qetësi.
Vuçiqi e cilësoi edhe këtë natë si më të vështirën për të
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thirri në takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas së cilit u kërkoi serbëve të Kosovës të mos e sulmojnë KFOR-in dhe EULEX-in, por “harroi” të përjashtonte nga sulmet edhe Policinë e Kosovës.
“Bëjmë thirrje për paqe, për dialog, për lirimin e një njeriu të pafajshëm (polici Dejan Pantiq), por edhe për të mos sulmuar KFOR-in dhe EULEX-in”, tha Vuçiqi.
Tutje, ai tha se Policia e Kosovës nuk ka të drejtë të jetë në veri të Kosovës. “Në asnjë situatë, sepse nuk keni kryetarë të rinj të zgjedhur të atyre komunave (katër në veri)”, tha ai.
“Askush nga Beogradi nuk urdhëroi barrikadat, kështu që mos e sulmoni Serbinë”, tha më tej Vuçiqi, duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare.
“Për ne është e rëndësishme t’u bëjmë thirrje serbëve dhe shqiptarëve që të ruajnë paqen dhe të qetësojnë situatën. U bëj thirrje serbëve në Kosovë që të jenë të qetë dhe të mos bien në provokime. Serbët thonë se sulmin ndaj EULEX-it e kanë shpikur disa nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk kemi asnjë indikacion se ka pasur ndonjë lloj sulmi ndaj EULEX-it, por sulmet ndaj EULEX-it dhe KFOR-it nuk guxojnë të ndodhin, sepse shqiptarët do të insistonin në këtë, sepse nuk kanë çfarë t’i tregojnë botës”, tha presidenti serb, raporton Klankosova.tv.
Vuçiqi ka deklaruar se sot është dita më e vështirë për të, dhe se ndoshta e ka natën më të vështirë përpara. “Shpresoj dhe kemi garanci nga KFOR-i se nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme ndaj demonstruesve, do të vazhdojmë të bisedojmë”, tha ai.
Ai u tha serbëve në Kosovë që të respektojnë KFOR-in dhe EULEX-in. “Mos lejoni që të na provokojnë dhe reagoni nëse shihni të tilla. Ka mundësi që pala tjetër të dërgojë njësi speciale me maska në fytyrë për të kryer një sulm ndaj KFOR-it dhe t’ia atribuojnë serbëve. Kështu u tregoni të gjithëve se është e pamundur – ne nuk po dalim kundër KFOR-it apo EULEX-it, vetëm duam ta shpëtojmë popullin tonë që të mos qëndrojë në vatra. Dhe ne po e kërkojmë atë pak – jepini drejtësi serbëve, respektoni marrëveshjen e Brukselit – është më e lehtë të formohet AKSHS-ja”, tha ai, duke shtuar se atëherë do të kishte më pak probleme, do të ktheheshin serbët në institucione dhe nuk do të kishte probleme të tilla.
Duke folur për kryeministrin Albin Kurti, Vuçiqi tha se është i sigurt se komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me sjelljen e tij, por se, siç thotë ai, “do të ishte naiv dhe budalla të mendojë se nuk kanë se si ta detyrojnë atë të sillet në mënyrë të denjë dhe në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare publike”.
“Nuk ka dorëzim, ne jemi me ju”, u tha Vuçiqi serbëve në Kosovë.
Chollet e nis turneun ballkanik në Kosovë
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, të hënën do të nisë një vizitë dyditore në Kosovë.
Ai pritet të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Në një përgjigje për Klan Kosovën, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë se “Escobar udhëton shpesh në rajon dhe do të jetë aty për konsultime të rregullta”.
Përmes një njoftimi për media, DASH bëri të ditur se Chollet, përveç në Kosovë, do që qëndrojë edhe në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Kroaci dhe Belgjikë nga 11 deri më 17 dhjetor.
“Më 12 dhe 13 dhjetor, Chollet do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me zyrtarët qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë, me të cilët do të bisedojë për vazhdimin e bashkëpunimit në një sërë fushash, përshirë përpjekjet e SHBA-së për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, edhe përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohje reciproke”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, më 13 dhjetor, Chollet do të vizitojë Serbinë.
Vizita e tyre pritet të ndodhë në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.