“Zhan Mone” – zgjidhje për bllokadat parlamentare të opozitës

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut është duke u përballur me bllokadë të punës që nga viti 2020, nga fillimi i mandatit të përbërjes aktuale. Partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe Levica disa herë kanë bojkotuar koordinimin te kryeparlamentari Talat Xhaferi.

Në anën tjetër vetë Xhaferi, disa herë ka bërë me dije se është e nevojshme të ndryshohet Rregullorja për punën e Parlamentit dhe se sipas tij, nëse nuk miratohet Rregullore e re, do të vazhdojnë të njëjtat probleme me bllokadat dhe kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Nga ana tjetër, për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, partitë kanë diskutuar prej kohësh në kuadër të procesit “Zhan Mone”.

Koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Jovan Mitreski, thotë se ata si parti janë për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit, por nuk janë optimistë se do të ndodhë një gjë e tillë, për shkak të opstrukcioneve nga ana e opozitares VMRO-DPMNE.

“Në takimin e fundit në kuadër të procesit të dialogut “Zhan Mone” opozita (VMRO-DPMNE – LEVICA) nuk morën pjesë. Nëse arrihet konsensus, do të fillojë procedura për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit. Në këtë moment, duke marrë parasysh veprimin e opozitës, nuk jam optimist se ajo mund të ndodhë”, deklaroi Mitreski për Indeks.mk

Nga opozitarja VMRO-DPMNE edhe pse deklarohen se janë për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit, megjithatë thonë se edhe me Rregulloren aktuale mund të punohet.

“Nuk ka asnjë mosmarrëveshje, punohet në ndryshimet kushtetuese. Por, ky është problemi më i vogël në vend për momentin, ne kemi një Rregullore në përdorim, e cila nëse respektohet në princip nuk është edhe aq e keqe dhe mund të punohet edhe me të”, deklaroi për Indeks.mk, Nikolla Micevski  – koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së.

Në anën tjetër, partitë politike shqiptare kanë qasje konstruktive për sa i përket procesit të “Zhan Mone”-së dhe ndryshimit të Rregullores së Parlamentit. Nga partia më e madhe shqiptare në vend BDI thonë se qasja e tyre në kuadër të procesit të “Zhan Mone”-së është konstruktive dhe se angazhohen për gjetjen e zgjidhjeve cilësore dhe produktive në kuadër të këtij procesi që do ta bëjë më funksional Parlamentin.

Edhe nga opozitarja Aleanca për Shqiptarët (ASH) thonë se në këtë proces do të jenë konstruktive dhe do të japin propozime konkrete për një Rregullore më të mirë të punës që do të mundësojë funksionim më efikas Parlamentit, si dhe do të eliminojë të gjitha mundësitë për interpretim vullnetar të Rregullores sipas nevojave të politikës ditore.

Një duzinë ligjesh para fillimit të pushimeve verore të deputetëve në gusht të këtij viti, ishin në bllokuar. Ligji për kundërvajtje është një ligj sistematik që kërkon të votojnë dy të tretat e deputetëve dhe është ndër ata që presin miratimin prej vitesh. Nuk janë miratuar as ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ligjet për mësuesit në arsimin fillor dhe të mesëm kanë ngecur në komisionet përkatëse parlamentare. Dinamizmi i Parlamentit varet nga puna e komisioneve që ligjet të hyjnë në rendin e ditës të seancave plenare. (Indeks.mk)