Turqia po përjeton një nga krizat e saj më të rënda të tregut të shtëpive në mesin e një ekonomie tashmë të rrënuar. Çmimet e larta kanë bërë që gjetja e banesave të përballueshme për të marrë me qira ose për të blerë të jetë një betejë e vështirë për shumë njerëz, veçanërisht për miliona turq. Hatixhe Erdalit i është dhënë një javë kohë për të liruar shtëpinë e saj me qira që do të shkatërrohet. Duke punuar si pastruese, ajo dhe bashkëshorti i saj fitojnë paga minimale. Edhe me pagat e tyre të kombinuara, ata nuk mund të gjejnë asgjë brenda buxhetit të tyre në tregun e rritur të banesave të Stambollit. “Kam gjetur një shtëpi, ishte 645 dollarë, një tjetër ishte 537 dollarë. Nuk mund ta përballoj… Çfarë do të ha e pi. Nëse moti do të ishte i ngrohtë, do të jetoja në një tendë, por as këtë nuk mund ta bëj. Nuk e di se çfarë do të bëj?”, thotë Hatixheja.
Trazirat ekonomike të nxitura nga inflacioni i mprehtë prej gati 85% e ka zhytur Turqinë në një nga krizat e saj më të rënda të tregut të banesave. Çmimet e larta kanë bërë që gjetja e banesave të përballueshme për të marrë me qira ose për të blerë të jetë një betejë e vështirë për shumë njerëz, veçanërisht për miliona turq që fitojnë një pagë minimale mujore prej 295 dollarësh. Ndërsa rritja e kostove të ndërtimit dhe inflacioni kanë rritur çmimet e banesave në mbarë botën, kriza e shtëpive në Turqi është përkeqësuar nga politika e Presidentit Recep Tayyip Erdogan për uljen e normave të interesit pavarësisht inflacionit të lartë – e kundërta e veprimeve ekonomike tradicionale të ndërmara nga vende të tjera. Kjo ka shtyrë shumë njerëz të investojnë në prona për të ruajtur kursimet e tyre kundrejt inflacionit në rritje.
Me mungesën e banesave, çmimet janë rritur. Banka Qendrore e Turqisë ka ulur normat e interesit në 9% pavarësisht inflacionit që ekonomistët e pavarur thonë se arriti në 170.7% në nëntor. Zoti Erdogan beson se kostot e larta të huamarrjes çojnë në çmime më të larta, ndërsa shumica e ekonomistëve thonë se rritja e normave të interesit është mjeti për të luftuar inflacionin. Blerësit e huaj gjithashtu janë dyndur në tregun turk të pronave, të joshur nga lira turke që ka humbur rreth 28% të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan që nga fillimi i vitit. Ata gjithashtu kanë mundësinë të marrin nënshtetësinë turke përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme. Sipas Institutit Shtetëror të Statistikave, midis janarit dhe nëntorit 2022, shitjet e shtëpive për të huajt u rritën me 20,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shumica e blerësve ishin shtetas rusë, të ndjekur nga iranianë, irakianë dhe ukrainas.
Sipas shifrave të bankës qendrore, kriza e rriti indeksin turk të çmimeve të banesave me gati 190% në shtator krahasuar me një vit më parë. Rritja vjetore ishte 212% në Stamboll, qyteti më i populluar i Turqisë. Inflacioni dhe rritja e çmimeve të banesave kanë çuar gjithashtu në rritje të paprecedentë të qirasë. “Është hera e parë që po përjetojmë një gjë të tillë, që po shohim që çmimet të rriten kaq shumë. Çdo vit, ne shihnim një ndryshim prej 20% ose 25% rritje, por këtë vit, ai ka arritur në 200%”, thotë agjenti i pasurive të paluajtshme Kenan Altinay. Në një përpjekje për të mbajtur çmimet nën kontroll, qeveria ka vendosur një kufi prej 25% në rritjen e qirasë, por pak pronarë i përmbahen rregullit ndërsa përpiqen të mbajnë të ardhurat e tyre në të njëjtin nivel me inflacionin.
Avokatja për çështjet e pronësisë Idil Bora thotë se gjykatat janë mbingarkuar me padi për dëbime për shkak të mosmarrëveshjeve për rritjen e qirasë. “Gjykatat Civile të Paqes, të cilat janë të ngarkuara me trajtimin e këtyre rasteve, kanë ngarkesa aq të shumta saqë datat e seancave caktohen për pesë ose 10 muaj më vonë,” tha ajo. Kjo i ka lënë njerëzit si Duygu Ataman Gunay të pasigurt për të ardhmen. Me profesion arkitekte, Gunay është e shqetësuar se pronari i saj do të rrisë qiranë më shumë se sa mund ta përballojë kur të zgjasë kontratën muajin e ardhshëm. “Nuk e di se çfarë na pret në janar. Ose qiraja jonë do të trefishohet ose pronari do ta nxjerrë shtëpinë në shitje”, thotë ajo. Gunay thotë se kostoja e qirasë, ushqimit dhe veshjeve është rritur dy ose trefish dhe se punëtorët si ajo nuk kanë marrë rritje rrogash që të përballojnë ritmin e rritjes së çmimeve. VOA/