A do të hiqen tash barrikadat pasi Serbia e kishte kusht lirimin e Dejan Pantiq?


Serbia e kishte kusht lirimin e Dejan Pantiq, a do të hiqen tash barrikadat?

Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar më 10 dhjetor në pikëkalimin kufitar në Jarinjë në veri të Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte deklaruar se Pantiq kishte organizuar sulmin terrorist në zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Por, Pantiq nuk e vuajti paraburgimin në burg, ai gjatë gjithë kohës qëndroi në veri dhe për shkak të tij u ngritën mbi 10-të barrikada atje. Përkundër tensionve që shkaktoi, Pantiqit sot iu zbutë masa e sigurisë duke u lënë në arrest shtëpiak. Për këtë vendim, kryeministri Kurti është shprehur i interesuar të di se kush është ai prokuror që kërkon arrest shtëpiak për ish-policin e dyshuar për terrorizëm dhe kush është ai gjyqtar që e aprovon këtë.

Si pasojë e vendosjes së barrikadave në veri, u vështirësua lëvizja e lirë dhe puna e policisë, gjithashtu KFOR-it iu desh t’i shtonte përforcimet. Pati incidente të shënuara atje, u sulmuan policë e gazetarë etj. E së fundmi edhe mërgimtarëve iu zgjatë rruga, sepse u vendos edhe një barrikadë në Merdar, në pjesën serbe.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi ka konfirmuar për Gazetën Express, zbutjen e masës së sigurisë për Pantiqin.

“Ka qenë kërkesë e Prokurorisë Speciale që masa e sigurisë t’i ndryshohet nga paraburgim në arrest shtëpiak dhe gjykata ka aprovuar këtë ndryshim”, tha Gashi.

Ndërkohë, në një konferencë për media kryeministri i vendit Albin Kurti u shpreh kureshtar me vendimin e gjykatës për Pantiqin.

“Mirëpo kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak.. , unë jam shumë kureshtar ta marr vesh se cili është ai prokuror që kërkon arrest shtëpiak e cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, ka thënë Kurti para gazetarëve.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, nuk e përjashtonte mundësinë që në bashkëpunim me KFOR-in, Pantiq të sillej në institucionet adekuate të vendit.

“Jemi duke pritur përgjigjen përfundimtare të KFOR-it për këtë çështje, por nuk përjashtohet asnjë mundësi për sjelljen e ish-polici, Dejan Pantiq-it, në institucione adekuate”, deklaroi Sveçla ditë më parë.

Serbët kishin vendosur kusht lirimin e Pantiq për heqjen e barrikadave dhe nuk dihet nëse lënia e tij në arrest shtëpiak ua plotëson apetitet për heqjen e barrikadave.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se kriminelët po e sfidojnë ligjin në veri dhe po synojnë destabilizimin e rajonit dhe cenimin e integritetit territorial të Kosovës, të shtyrë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai deklaroi se koha që ia kanë dhënë KFOR-it për heqjen e barrikadave po shteron shpejt.

Ndërkohë, pala serbe vazhdon të jetë e tensionuar si dhe është në pritje të përgjigjes së KFOR-it për vendosjen e trupave serbë në Kosovë.